Një pjesë e vogël e Murit të Madh të Kinës është rihapur për vizitorët, këtë 24 mars. Shenjë pozitive kjo, se jeta në Kinë, dalë-ngadalë po i kthehet normalitetit pas epidemisë së koronavirusit.
Seksioni Badaling, që shtrihet nga Bei Liu Lou deri në Nan Wu Lou Ban, do të jetë i hapur çdo ditë, nga ora 9:00 e mëngjesit deri në 4:00 pasdite, sipas CNN.
Rreth 70 kilometra larg Pekinit, është pjesa më e njohur e murit për turistët. Ky segment kishte pasur kaq shumë vizitorë, sa zyrtarët ishin detyruar ta kufizojnë numrin e turistëve në 65,000 në ditë, kjo nga muaji qershor i vitit të kaluar.
Autoritetet deklaruan, se do të lejonin vetëm 30 për qind të numrit të zakonshëm të kuriozëve, deri më tani, në zonë. Për të hyrë, ata duhet së pari, ta prenotojnë biletën dhe sapo të mbërrijnë, do t’u matet temperatura.
Vizitorët duhet të kenë një kod QR të regjistruar, shëndetësor (një sistem përmes AliPay ose një aplikacion WeChat, të lidhur me ID), që shfaqet si “jeshil” pra “i shëndetshëm”, para se të lejohen për të hyrë.