Hapet Panairi i librit në Prishtinë, pjesëmarrës mbi 100 botues

Hapjen e panairit të 22-të të librit në Prishtinë e konsideroi ngjarje të rëndësishme ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Në hapjen e këtij panairi me moton “Libri mbron mendjen”, Çeku tha se ndjehet i inkurajuar me punën që është duke u bërë sa i përket propozimit të reformës për të ndërtuar një politikë ndaj librit.

“Jam shumë i gëzuar që ky rikthim po ndodh pas një pauze të konsiderueshme. Komuniteti është mjaft mirë i organizuar dhe kjo ngjarje e ka marr epitetin e një ngjarje të rëndësishme.

Ka qenë një periudhë e mbylljes e distancës së panairit por edhe e rikthimit pranë librit. Mbështetja për librin duhet të kaloj në një nivel tjetër. Unë jam shumë i inkurajuar që punën që po bëhet e që është duke propozuar një reformë e thellë për ta ndërtuar një politikë tjetër ndaj librit”, tha Çeku, raporton ‘ekonomia online’.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, tha se me marrjen e detyrës së re, e ka të pamundur të lexojë libra. Tha se si i ri ka qenë edhe libërshitës.

“Përgjatë viteve Panairi i Librit ka qenë një ngjarje e rëndësishme për libërdashësit dhe botuesit. Panairi është vendi ku takohen botuesit dhe lexuesit. Kam punuar edhe në panair të librit për arsye që kam mbështet babën gjithmonë në Panairin e librit. Në këtë detyrën time të re e kam të pamundur me lexu aq sa kam qejf dhe një prej mungesave është koha e lirë për të lexuar një roman të bukur”, tha Zogaj.

Kryetari i shoqatës së botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, tha se në këtë panair do të jenë mbi 100 botues.

“Po rikthehemi pas dy vitesh me ngjarjen me të rëndësishme të vitit “Panairi 2022”. Ka një gjë sublime, që nuk lejoj veten të izoluar gjatë kësaj kohe, është pikërisht pra libri. Përderisa maska mbronte trupin, libri mbronte mendjen. Mbi 100 botues prezantojnë librat e tyre për çdo moshë, çdo lexues e çdo të interesuar. Libri është mjet prej së cilës mendjet e ndritura komunikojnë me ne”, tha ai.


Lexo edhe:

RIKTHEHET PANAIRI I LIBRIT PAS DY VJETËSH MUNGESË

ObserverKult