Hapet shtëpia e luleve dhe e torturave, Begeja: Artistët të kërkojnë falje që tallën tiranasit (Video)

E ndërtuar më 1928 si banesë e familjes tregtare e intelektuale Begeja, me arkitekturë italiane e ambiente të bollshme, shtëpia dykatëshe njihej në Tiranën e saposhpallur kryeqytet si shtëpia e luleve. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, familja u nxor jashtë dhe godina u kthye në shtëpi torturash.

Xhimi Begeja, pinjoll i familjes thotë se ajo që “ishte vila më e bukur në Tiranë, e mbushur me lule, u kthye në shtëpi torture pas ardhjes së regjimit komunist që nxori jashtë familjen”.

Dhomat që dy vëllezërit Begeja i patën ndërtuar për fëmijët, u kthyen në zyra për hetuesit, ndërsa bodrumet e ndërtuara për gatim e magazinim ushqimesh, u kthyen në qeli torture për marrjen në pyetje të atyre që sistemi i deklaronte armiq. Nga ky fat, nuk shpëtoi as vajza e familjes.

“Këtu u tortuan edhe pjesëtarët e familjes sonë. Mjaft t’u them rastin e hallës sime, që ishte 13 vjeçe në atë kohë, që u rrah në këtë shtëpi dhe kur doli nga këtu, humbi rrugën sepse ishte në gjendje të rënduar”, thotë Begeja.

Pesë vitet e funksionimit të saj si hetuesi 1945-1950, e vitet si shtëpi policësh, e kanë damkosur vilën e verdhë, aq sa për familjen, ajo ngjall ende trishtim, e deri refuzim. Në pavetëdije, ajo bart ende, fantazmat e së shkuarës.

“Ne ndjejmë trishtim kur shohim shtëpinë, sepse ajo që ishet shtëpia e luleve, u kthye në në shtëpi, nga ku u syrgjynosën njerëz dhe u dhunuan. Unë banoj afër dhe e kam të vështirë të vij ta shoh, vetëm kur vij e hap për ajrosje”, tha Xhimi Begeja.

Në kuader të 100-vjetorit të Tiranës kryeqytet, pranë Vilës Begeja, Autoriteti i Dosjeve firmosi një marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën “Tirana”, për projekte të përbashkëta që zbardhin fatet e qytetareve tiranas gjatë regjimit komunist.

Arben Tafaj i Shoqatës “Tirana” tha se kryeqyteti ishte ndër më të goditurit nga regjimi komunist, ndërsa kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, vërejti se “Elita e re që erdhi në pushtet përbalti e delegjitimoi banorët e Tiranës”.

Me evidentimin e familjeve të mëdha e me tradita, synohet edhe zhbërja e paragjykimit për tiranasit i ngulitur nga propaganda e pesë dekadave.
“Poetët, artistët, shkrimtarët duhet t’u kërkojnë ndjesë tiranasve që me veprat e tyre, i fyen me ironitë, sarkazmat e metaforat banorët e qytetarët tiranas. Komunizmi shfrytëzoi mirësinë e qytetarinë e këtyrë banorëve”, tha Begeja.

Nga kjo familje, ka dalë ish kryebashkiaku Ali Begeja, apo regjisorja Liri Begeja./BW