Hapet Shtëpia e Kulturës Shqiptare në Osijek të Kroacisë

Në Osijek të Kroacisë, u hap Shtëpia e Kulturës Shqiptare, e cila është dedikuar pasurimit dhe promovimit të kulturës dhe artit shqiptar.

Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Unionit të shqiptarëve dhe Shoqatës së Shqiptarëve të Prefekturës së Osijekut dhe Baranjës, dhe synon të jetë një pikë e rëndësishme për zhvillimin kulturor.

“Shtëpia e Kulturës ofron mundësi të pasura për të gjithë ata që duan të shprehin kreativitetin e tyre dhe të përjetojnë pasurinë e artit dhe traditave shqiptare. Shpresojmë shumë që kjo shtëpi e kulturës të jetë e mbushur me aktivitete të ndryshme nga ekspozitat, shfaqjet teatrore, koncertet muzikore e ngjarje edukative, Qendra e Kulturës do të jetë një vend ku qytetarët mund të krijojnë, të mësojnë dhe të bashkëpunojnë”, njofton Unioni Shqiptarëve Republika Kroacisë.

Të pranishëm ishin personalitete të shumta si zëvendës kryebashkiaku i Osijekut z.Dragan Vuljin, Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Milaim Fetai, Shoqata e Bashkësi shqiptare dhe Këshille Shqiptare nga e gjithë Kroacia, qytetarë të shumtë, veteranë të luftës, ansambli i fëmijëve nga qyteti i Mitrovicës, i dërguari i kryebashkiakut të qytetit të Mitrovicës e shumë bashkatdhetarë tanë që jetojnë e veprojnë në Kroaci.

Hapja e Qendrës së Kulturës është vetëm fillimi i një kapitulli të ri për Osijekun, një qytet që ka një histori të pasur kulturore. 

ObserverKult


Lexo edhe:

E VËRTETA MBI “BRAKTISJEN NË AZIL” E NDERIT TË KOMBIT, TINKA KURTI!