Kantautori anglez Robert Plant, i cili në vitin 2011 ishte radhitur si lideri më i mirë nga revista e amerikane “Rolling Stone”, ka mundësi të vijë në Kosovë. Por, nëse pandemia e pamundëson mbajtjen e aktiviteteve kulturore, vokalisti i grupit të njohur “Led Zeppelin” mund të mbajë koncert online. Të paktën kështu janë planet e organizatorëve të festivalit “Hardh Fest” për edicionin e tyre të gjashtë, që pritet të mbahet në shtator.
Drejtori i festivalit, Agron Sokoli, ka thënë për ‘kohën’ se janë në diskutime që ylli kryesor i “Hardh Festit” sivjet të jetë Planti. Stafi i festivalit që mbahet në Rahovec po planifikon që t’i mbajë aktivitetet e shumta, përfshirë edhe garën për të rrëkëllyer gota me raki, e deri te përzgjedhja e “Mbretëreshës së rrushit”.
Janë optimistë që duke kufizuar numrin e pjesëmarrësve dhe duke respektuar masat që janë në fuqi për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, do t’u lejohet diçka e tillë. Mëdyshje më shumë kanë për mënyrën se si do të mbahen koncertet.
Janë duke menduar opsionin e formatit online, nëse u ndalohet organizimi i performancave skenike dhe tubimet e masave para binës për të përjetuar muzikën e legjendave të rockut, diçka që në edicionet e kaluara ka qenë fare normale.
Robert Anthony Plant u bë i njohur me grupin “Led Zeppelin”. Kur grupi anglez “The Yardbirds” u shpërbë në vitin 1968, kitaristi Jimmy Page dëshiroi të formojë një grup me këngëtarin me të mirë që mund ta gjente.
Si zgjedhje të parë e kishte pasur Terry Reidin, mirëpo mendoi se Robert Plant, atëherë vokalist në “Bend of Joy”, mund të ishte zgjedhje më e mirë. Qëlloi të ishte e saktë.
“Led Zeppelin” filloi të luante në fund të vitit 1968 dhe publiku sakaq u mahnit nga energjia dhe zëri i vokalistit. Për 12 vjet, Plant ishte vokalist, mirëpo grupi do të shpërbëhej kur vdiq bateristi John Bonham. Ata ishin bërë bashkë herë pas here, ku vlen të theksohet paraqitja e vitit 2007, kur luajtën në të njohurën “London’s 02 Arena”. Sidoqoftë, Plant ishte kokëfortë që të mos vazhdonte me grupin.
Filloi të fokusohej në karrierën e tij si solist, ku arriti kulmin në vitin 2009 kur fitoi çmimin “Grammy” për albumin e vitit me “Raising Sand”. Sukseset vazhduan tutje. Në vitin 2010 lansoi solo-albumin “Band of Joy”, të parin me bendin e tij të ri me të njëjtin emër. Kurse këtë vit ai pritet të publikojë antologjinë “Digging Deep: Subterranea”, që do të bëjë bashkë 30 këngë nga karriera solistike e Plantit, përfshirë edhe tri këngë të padëgjuara më parë.
“Hardh Fest”, që nisi si një festë pa mëtime ambicioze në vitin 2001 e me një traditë prej 19 vjetësh, njihet për faktin se solli disa legjenda të muzikës rock në Rahovec. Ronnie Romero, vokalisti ikonik i bendeve “Lords of Black”, “Rainbow” dhe “CoreLeoni”, bashkë me bendin nga Bullgaria “Eridan”, vjet ishin deserti kryesor i “Hardh Festit”. Më e mira deri më tani mbetet prurja e vitit 2017. Atë vit festivali solli ish-vokalistin e “Deep Purple” dhe “Rainbow”, Joe Lynn Turner. Synimet i kanë të mëdha edhe për këtë vit, ani pse bota po përballet me pandemi.