Një nga tekstet më të njohura të dramaturgut kroat, Miro Gavran, do të inskenohet në teatrin “Dodona”.
Aktorët Hazir Haziri dhe Besar Zahti janë përzgjedhur nga regjisori Faik Gashi, për t’i portretizuar rolet e dramës “Harroje Hollivudin”, raporton Express në KTV.
Afërsia e pazakontë mes një studenti dhe profesorit të artit, që gradualisht shndërrohet në konkurrencë të pamëshirshme, do të shtjellohet në këtë shfaqje me elemente komike.
Skenografia e kësaj drame që shfaq përpjekjet e një të riu për t’u bërë aktor profesionist, është realizuar nga artisti vizual Zeni Ballazhi.
Shfaqja “Harroje Hollivudin”, do të jepet premierë më 15 janar në teatrin “Dodona”.