E habitur me telefonatën, lamë takim pasdite me Kakaunë, si zakonisht në një kënd tek “ Pjaca!”. Me padurim prita të më tregonte. Kakuja është e prerë dhe e sertë nëse dikush i bën padrejtësi. Ndaj e besoj, se e njoh kulturën, njohuritë e saj edhe rebelizmin, kokfortësinë për të vërtetën gjithashtu.
Nga Nadire Buzo
Hej, Kakuja! Ti je një heroinë! – Alo! Më dëgjon?
-Jo, jo, jo! Të gjitha janë shpifje. Unë nuk kam thënë asgjë nga ato që thuhen atje. Po ata spiunët e djallit që na i shëmtuan jetën! -Çfarë thua Kakuja, po të ishte dikush tjetër, tani, në këto kohë do thoshte: “kam thënë edhe të tjera madje”. Po buçasin të gjitha mediat, dhe ti, thua jo, s’kam thënë asnjë nga këto. –Po kur s’kam thënë, skam thënë pse të shpif kot, unë s’jam shpifëse si ata. –rebelohet ajo.
E habitur me telefonatën, lamë takim pasdite me Kakaunë, si zakonisht në një kënd tek “ Pjaca!”. Me padurim prita të më tregonte. Kakuja është e prerë dhe e sertë nëse dikush i bën padrejtësi.Ndaj e besoj, se e njoh kulturën, njohuritë e saj edhe rebelizmin, kokfortësinë për të vërtetën gjithashtu.
-Dëgjo këtu! Më tërheq vemendjen Kakuja, ne kishim një marveshje të heshtur në familjen tonë. Emrin e diktatorit nuk do ta përmendnim kurrë, asgjëkundi për asgjë. Pavarësisht se çfarë dinim dhe mendonim. Dhe porositë e tim vëllai, ishin ligj për ne të gjithë. Pastaj…ne përgjoheshim, Ismailin po se po, shtëpinë gjithashtu. Po, ishte dhe gruaja me përgjues në xhep. Ajo na vinte rrotull dhe mua edhe Helenës. Helena sa e shihte ikte me të katra, sajonte një orar apo një punë dhe nxitonte të shkonte. Unë qëndroja, por e dija se ç’bënte ajo dhe flisja gjëra kot së koti pa lidhje, për punën, për artin dhe letërsinë. Se…edhe në atë kohë kishte njerëz të mirë, në mesin e tyre që punonin “atje”. Tamara Gj., e cila punonte, në Ministrinë e Brëndëshme, na pati porositur. Kujdes nga S.M. se ka përgjues në xhep dhe ju vjen rrotull t’ju përgjojë. Dhe i vetmi përgjim i imi i vërtetë, ishte se; unë kisha folur mirë për letërsinë ruse dhe atë botërore të cilën e pata lexuar të gjithën në Rusisht. Po kurrën e kurrës nuk kisha zënë në gojë, “atë”. Kakuja përsëri nuk ja zë emrin në gojë, dhe vazhdon të tregojë. –Pa le pastaj të thoja se vëllai im, ja kalon atij e të tjera shpifje. Se kush ishte vëllai im e dinte e tërë bota, e s’ishte nevoja ta thoja unë, pale ta krahasoja me “atë”, s’kishte lidhje fare.
– Mbeta me gojë hapur nga habia dhe pyes: -Po si atëherë?
-Atëherë kur i thanë tim vëllai, ai u mërzit shumë me mua, u zëmërua rëndë. Ndaj e shkroi dhe atë letër të flamosurit. Mendoi se do t’më burgosnin, kështu i kishin thënë ata të ministrisë. Mirpo unë u mërzita më shumë se gjithçka, që më prishën me vëllanë, kot fare kot, dhe mos I ndodhte gjë atij. Le që ky ishte dhe qëllimi më i madh i tyre. Ismaili, jo unë. Ta dëmtonin atë. Të thoshin më pas se, e motra e shkrimtarit tha; ashtu e kështu, se i vëllai ishte agjent i kësaj apo asaj agjenture. Shpifje vetëm shpifjeee!
-Po pastaj?
-Eh, pastaj! Unë ju betova shumë tim vëllai, se nuk i kisha thënë kurrë ato fjalë askujt, se e dija tmerrin që vinte pas. Mezi iu mbush mendja, dhe u kërkoi “atyre” të ministrisë së brendëshme, ta dëgjonte vetë inçizimin, se ç’far kisha thënë unë. Doli, që unë s’kisha thënë asgjë nga këto që shpifnin ata. Nuk kishte asgjë në regjistrim, po shpifje me gojën e tyre, jo timen.
Ndodhën shumë ngjarje aso kohe, po burgoseshin shumë njerëz, Tomsoni, inxhinieri ri, alamet djali, pasi e internuan larg në pyjet pa jetë, i bënë presion për t’a bërë bashkëpunëtor të tyre. Tomi ishte djalë i bukur dhe me karakter, nuk pranoi, dhe vrau veten, dhe disa të tjerë po ashtu.
I ranë mendjes “ata”,se keto dy spiune S. M. dhe Dh. L. të mos merreshin më në konsideratë, se u mbushën burrgjet plot me armiq. Dhe vetë ata vendosën që kjo dosje me këta emra, ku isha edhe unë, të skualifikohej dhe u hoq për tu asgjesuar. Po dikush nga sigurimsat e djallëzuar, e mori e fshehu apo e fotokopjoi, për ta shitur apo servirur si ushqim për antikadaretë, duke fshehur dhe letrën për ta nxjërë atëherë kur u duhej. E kush paaa, ata që im vëlla i ka pritur në shtëpi dhe i ka promovuar si poetë e shkrimtarë. E të tjerë që u mbajnë ison atyre se kanë gëltitur një lugë çorbë dhe vjellin tani gjithë kohën.
Me mua, kishin dhe hallin tjetër, se në katedrën e gjuhës ruse në Institutin Bujqësor ku unë isha pedagoge, ishin dhe disa zonja ruse. “Ata”, donin të më bënin spiune. Po unë nuk e bëja kurrën e kurrës atë poshtërsi. Ato ishin gra shumë të mira që kishin lënë atdheun për hir të dashurisë. Ishin shumë të kujdesshme dhe korrekte. Kurrë nuk bënin biseda politike, thjesht tregonin mall për prindërit dhe familjarët e tyre. Po nomenklatura e egër donte ti masakronte si shumë të tjera. Nina Tarasova, Zoja Gulina, Nadja Sidorova, të treja u arrestuan në orën e mësimit, në sytë e studentëve dhe u dënuan mbi 10 vjet burg. Ndërsa Larisa Çela iku që në fillim duke lenë gjithçka.
Njëra prej tyre, më takoi shumë vite më pas, sapo e dalë nga burgu dhe më pyeti:-Akoma zonjush ti Kadrie?-Po i them, e desha dikë, po nuk u përshtat dot me mua.
– Oh sa mirë do ishte sikur të kishte ndodhur dhe me mua me tim shoq kjo gjasë, nuk do të kisha kaluar këtë kalvar vuajtjesh.
Nusja e dajos tonë, Avdyl Dobi, Nina Francuzova, punonte si inxhiniere te fabrika e bukës, e hoqën kot fare pa asnjë shkak dhe e çuan puntore në hendeqet e Selitës. Ajo deshte të ikte po dajua ynë nuk i’a la djalin dhe ajo nuk u largua. Nga malli dhe nga marazi, vdiq nga kanceri dhe u varros në Shqipëri. Është tregimi “Vdekja e gruas ruse”, shkruar nga Ismaili. E ke lexuar besoj…
Ditë të tëra isha e shokuar nga sa më tha Kakuja. Kisha menduar se dinja shumë prej këtyre gjasave të asaj kohe, miket e mia që vdiqën apo ato që jetuan në mizerje internimeve. S’kishte lënë gurë pa lëvizuar struktura famëkeqe e kohës. Apo njerëzit e këqinj në ndihmë të saj. Një neveri e madhe më pushtoi. Në çast më shkoj mendja dhe te ata njerës të mirë si Tamara, që e kisha njohur në Pogradec, gruan e mrekullueshme që i qeshte fytyra me kilometra larg nga mirësia e shpirtit. Mu kujtua Iliri, poeti dhe djali i mrekullueshëm pjestar i asaj strukture që e donte shumë artin dhe në veçanti shkrimtarin e madh. Mu kujtuan shumë miq të mirë, me të cilët më kishte njohur puna, e kishin mbrojtur dhe i ishin gjendur shkrimtarit në kohë të vështira, megjithëse kishin punuar atje ku punonin “këta”, shpirtzinjtë, që thurnin e bënin gjëma të rënda… Më shkoi mendja në thëniet skolastike mbetur në memorie; roli i individit në shoqëri dhe histori. Sa i madh e rëndësishëm roli i individit. Individë të zi, çfar kataklizmoje. E rebeluar më fort se mikja përballë, i them se do të shkruaj për këtë absurditet.
-“Mos e nga gjarpërin kur fle” –thonë të moçmit, leri të flenë mos i zgjo, se vjellin vrer.
Zemërimin tim, që po përpiqem të mos e hedh në letër aq sa e përjetova në ato caste, ku përpara kisha një zonjë të ditur, por të tretur e mpakur tashmë nga vitet dhe përjetimet e vështira të një kohë absurde. Shkrova, pikërisht këtë shkrim, aso kohe nuk e botova. Ishte e dhimbëshme qënia e saj ato ditë, kur plagët e zëna kore, gërvishten rëndë. Po tani që Kakuja nuk është më, më dhemb edhe më shumë ajo ngjarje.
Duke menduar rolin që luajti Z. Kadare, si shkrimtar dhe si atdhetar i madh, vuajti shpirtërisht kaq shumë vite, vetëm e vetëm, se “ata”, nuk janë si Ai.
Kam parë për të disatën herë, një dokumentar ku flitej, mbi realizimin e filmit “ Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, nga regjisori dhe artistët e mëdhenj Francez. Ç’far paradoksi qesharak, i paimagjinueshem, i pakuptueshëm se mund të këtë ndodhur kund tjetër në botë. Vetëm në sundimin barbar dhe qesharak njëkohësisht, në pseudokomunizmin tonë. Nuk u lejua të xhirohej filmi në Shqipëri sepse aktorët francezë me Michel Pikoli, mund të ishin agjent të perëndimit dhe do të bënin spiunazh dhe zbulime sekrete. Zot i madh, Ku je? Nëse do ishte xhiruar këtu, çfarë histori agjenturash do ishin shpikur. Zëmërimin, ma shtuan edhe disa emisione apo reportazhe, kur shkrimtarin e madh e vënë në poltronin gjykues, prej disa gazetaruceve për shou. Kanë lexuar pak dhe kanë kuptuar aspak nga vepra e shkrimtarit të përbotshëm ndaj kanë disa pyetje pa pikë konteksti për të bërë . Se si, e qysh e kishte shkruar shkrimtari në shekullin e kaluar, poezinë “pashallarët e kuq”?
Kujdes me gjenitë që bën epokë. Në vend që të shisni dituri dhe zotësi, perpiquni ti fitoni ato. Kadare, si askush tjetër, ka sqaruar mirë gjithçka me hollësi, të gjithë jetën dhe punën e tij krijuese në komunizëm dhe postkomunizëm. Në intervista dhe në librat e tij. Duke na dhënë nëpërmjet tyre, jo vetëm shuarjen e kurreshtjes po një letërsi të madhe të lartë. Ka sqaruar se; thirja e shkrimtarit në studio për interviste, është një tërheqje për kurth. Megjithëse i ka pranuar dhe sfiduar kurthet, kur bëhëj fjalë për çështje të rëndësishme të vendit të tij. Ato lënë gjurmë të thella, duke ja bërë të vështirë egzistencën. Kadare, sqaron, preardhjen, gjysh stërgjyshër, nënën, babanë, motrën, teze e dajallarë e gjithçka. Madje, së bashku me zonjën e tij, Helenën, kanë treguar, dashurinë, miqësinë, përkushtimin për atdheun, botën, e cila e kuptoi drejt dhe e quan “Ndërgjegjja Kombëtare dhe Ndërkombëtare”.
Shkrimtari, poeti dhe studiuesi i madh frances Alain Bosquet, i drejtohet Z. Kadare: -“Nuk është i lehtë roli që luani e nënvizoni tek “Pranverë shqiptare” e “Ftesë në studio”, si për të provuar se nuk ruani asnjë të fshehtë dhe mëndësija juaj në thellësinë e saj mund të gjykohet nga të gjithë. Kjo hapje e mendjes është për tu lavdëruar. A përkon ajo tërësisht me mënyrën tuaj të jetuarit?… Në fillim u mësova të analizoj kompleksitetin tuaj të brëndëshëm dhe më pas ta dua atë. Pra ju jeni njeri, që nuk mund t’ju afrohesh lehtë. Ne kërkonim mënyra përdorimi, receta, çelsa për të njohur personalitetin tuaj. Dhe këto na i ofrojnë pa asnjë kufizim dy librat që citova më lart. Ashtu siç u’a përsëritni shpesh të afërmëve tuaj, ju nuk mbani asnjë sekret.. këta dy libra, në formën e një rrëfimi njëherazi të rezervuar dhe objektiv, mbërritën në kohën e duhur për të kompletuar imazhin e pakapshëm që ne kishim për ju.”
Kemi fatin që jo çdo komb mund të ketë. Një vepër shumë të madhe dhe shumë të lartë botërore. Ku shkrimtari në vendin e tij jetoi tre gjendjet e “Komedisë hyjnore” të Dantes, Parajsa, Purgatorri dhe Ferri që përkonin me tre gjendjet tona.- thekson fort z. Kadare tek libri; “Dante i Pashmangshëm”. Parajsën shkrimtari e jetoi kur shkruante. Ferrin dhe Purgatorin, pas botimit të librave të tij, brenda apo jashtë vendit në shumë gjuhë të huaja, dhe sa herë ndonjëri prej tyre bëhej film, e nuk përkonin me oreksin e partisë. Çensura, shteti, autoçensura, spiunët e vegjël, të mëdhenj, mediokrit, injorantët, cmirzinjtë. Ka kohë sa herë shkruan libra, shkrimtari thotë; se është i fundit, nuk shkruaj më. Mesa duket plagët e marra tashmë dhëmbin edhe më fort.
Më mirë paskan jetuar këta, bedelë, dhe ne të tjerët që kënaqeshim, duke lexuar, diskutuar, debatuar apo ëndëruar mbi veprën me firmën Kadare.
Kultura është fusha primare në tranzicionin e tejzgjatur. Aty nga do ta fillonte punën një president, sipas shkrimtarit I.Kadare. Nuk ka demokraci pa një popull me kulturë, gjithashtu, nuk mund të mos kujtojnë shijen e keqe të shkrimeve kundërshtare, si një mekanizëm shtypës kundër individit, ishte ende gjallë makina shtypëse komuniste si gërdalla e vjetër, spiunët ishin ende gjallë dhe në poste madje, disa syresh shfaqeshin çdo ditë në TV. “Ç’mjerim, pëshpëriti Kadare, një mjerim i thellë shpirtëror më i mjerë se të gjitha mjerimet e kësaj bote.”
Për ta mbyllur shkrimin pa mbarim, do citoj dy fragmente nga “Kohë e Pamjaftueshme”.
-“Këto vlera, u treguan më së miri, atëherë kur deklarimi i tij për hapjen e arkivave dhe dosjeve të fshehta bëri shumë armiq. Por nga mijëra faqe kundër tij, nuk u gjendën as edhe dy rrjeshta të tij kundër të tjerëve. Ndaj dhe me po atë vërtetësi dhe krenari qe deklarata dhënë Stephane Courtois-së: “ njëmijë vite të kërkojnë, në njëmijë arkiva, nuk do të gjejnë kurrë qofshin dhe dy radhë të miat kundër kujtdo qoftë”.
Ndërsa për gjeniun ka plot shpiftje në arkivat sekrete, anonimatë apo jo, të cilët vashdojnë edhe sot. Sapo fillon tetori i nobelit, dalin nga strofullat gjarpërinjtë për të hedhur vrerin e zi. Ata harrojnë se, njeriun e bëjnë të perjetshëm veprat e tij.
“Publiku është shumë tolerant, fal gjithçka, perveç gjenive”.-thotë Oskar Ëide. Sepse; Gjeniu i ngjan gjithkujt e atij askush”. –thekson një tjetër gjeni si Honore de Balzak.
“Ishte e qartë, se ishte talenti dhe karakteri i tij i fortë, por edhe armiqësitë i vinin pikërisht prej këtyre. Ai kishte krijuar një standard të ri. Ky standard krijonte admirim dhe armiqësi. Dhe kuptohet qartë se kush e admiron dhe kush e urren. “Ai nuk e konsideronte veten disident, i mjaftonte letërsia që kishte bërë”. Po a kishte bërë atë që duhej? Ne besojmë se po, pasi kurajoja e tij për të krijuar vepra kurajoze, nuk kishte munguar.
Ai ishte i ndërgjegjshëm për rolin e veprës së tij për jetën e mëtejshme të Shqipërisë. Si çdo vepër e rëndësishme duke qenë shqiptare ajo ishte njëherësh dhe universale. …..” vazhdon në librin e saj, Helena Kadare, shkrimtarja dhe zonja e tij e mençur e cila përjetoi, peshën e madhe që mbante gjeniu mbi supe./shqiptarja.com
Lexo edhe:
U NDA NGA JETA NË MOSHËN 87-VJEÇARE, KUSH ISHTE KADRIE KADARE- “KAKUJA”