Ernest Heminguej – Petro Markos: Shkrimtari që e do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë!

Petro Marko

Heminguej letër Petro Markos: Shkrimtari, që e do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë!

Një ndër autorët më të mirë shqiptarë, Petro Marko, la gjurmë të pashlyeshme me librat e tij “Nata e Ustikës”, “Hasta la vista”, “Qyteti i fundit” etj

Fati kishte dashur që një herë e një kohë, ai të takohej me laureatin e Çmimit Nobel, shkrimtarin e madh Ernest Heminguej.

Petro Marko dhe Ernest Hemnguej

Në parathënien e librit “Për kë bie këmbana”, botim i shtëpisë botuese “Ombra GVG”, titulluar “Shkrimtari, që do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë” , Petro Marko shpalos historinë:

Janë shkruar shumë e shumë vepra letrare për Luftën e Spanjës: romane, poema, drama, tregime, po, sipas mendimit universal, vepra më e mirë është “Për kë bie kambana” e Ernest Heminguejit. Autori, si mjeshtër i madh, ka ditur që, me këtë roman të fuqishëm, t’i japë lexuesit thelbin e Luftës së Spanjës.

Duke qenë njohës i thellë i folklorit spanjoll e hispanist, i dashuruar pas fiestave, toreadorëve, kurbatkave, pas gjuetisë në tokë e në det, i kacafytur disa herë me vdekjen, Ernest Hemingueji krijoji një roman, ku jepet koha, në të gjitha përmasat e saj. Ide thellësisht humane e përparimtare, realizëm i ashpër, karaktere të forta, stil krejt origjinal – të gjitha bashkë, të shkrira në një, ato të bëjnë për vete e të vënë në mendime, ato të trondisin.

Unë e njoha Heminguejin në Valencia, në Kongresin e Shkrimtarëve më të shquar të botës, si: Pablo Neruda, Nikolas Giljen, Andre Marlo (i cili ka shkruar romanin e madh “Shpresa” për Luftën e Spanjës), Nekse, Ana Segers, Luvdig Ren, Aleksej Tolstoj, Rafael Alberti, Antonio Maçado, etj.

Ky dukej më i gjalli. Unë, për herë të parë, i shikoja dhe u dëgjoja emrin këtyre kalorësve të letërsisë bashkëkohore, të cilët, me mendimet dhe shkrimet e tyre, i dhanë një hapësirë më humane, më internacionale dhe socialiste letërsisë dhe artit botëror.

Isha kureshtar për këtë njeri, trupmadh dhe të ngarkuar me kamera (se xhironte filma për zhurnalet e kinemave të botës dhe i shiste për t’i ardhur në ndihmë Republikës), të ngarkuar me bomba, me dylbi, me pistoleta, aq sa një shkrimtar tjetër i njohur i tha:
– Si shumë t’i rëndojnë supet hekurat, që mban!
– Më shumë më rëndojnë mendimet se hekurat, – iu përgjigj Ernest Hemingueji.

Këtë nuk e harroj kurrë. Erdhi në një konkurs dhe na foli gjatë për rëndësinë e artit dhe për shkrimtarët. Midis të tjerave, tha se shkrimtari duhet të jetë koherent me jetën dhe idealet e tij, kur shkruan, se ka disa që ndryshe jetojnë, ndryshe mendojnë dhe ndryshe shkruajnë.

Po e pashlyeshme do të më mbetet në kujtesë silueta e tij në Frontin e Kastuerës, afër Badajozit, kur ai, mbi një gur, si monument, xhironte betejën e ashpër, që vazhdonte e tërbuar. Xhironte për t’i treguar botës sesi luftonin Vullnetarët e Lirisë, bijtë më të dashur të proletariatit botëror. Ai vizion kurrë nuk më është shqitur nga mendja. E shoh gjithnjë, duke xhiruar betejën për triumfin e Jetës.

Kur lexova romanin e tij u mahnita, prandaj nisa dhe unë të shkruaja romanin “Hasta la vista”. Kur u botua, i dërgova edhe atij një kopje, ku i shkruajta: “I frymëzuar thellë dhe i nxitur nga romani juaj “Për kë bie kambana”, kushtuar vullnetarëve amerikanë, që ranë në Spanjë, unë shkrova këtë roman modest, kushtuar shqiptarëve, që ranë në Spanjë”

Pas dy a tre muajsh, mora një kartë postale. E hapa dhe lexova këto fjalë të Heminguejit, shkruar në gjuhën spanjolle: “I dashur Pedro, mora romanin tuaj dhe ju falënderoj. Mjerisht, unë nuk e lexoj dot, se nuk di gjuhën tuaj. Vetëm për një gjë jam i sigurt: shkrimtari, që e do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…”

Pas “Lamtumirë armë”, “Të kesh a të mos kesh”, “Plaku dhe deti” dhe shumë tregimeve, tani lexuesi ynë do ta njohë më mirë këtë kolos të letërsisë përparimtare botërore të shekullit tonë, fama e të cilit sa vjen e rritet, nëpërmjet romanit “Për kë bie kambana”.

Në Afrikë ku shkonte për të gjuajtur dhe ku u frymëzua dhe shkroi “Dëborat e Kilimanxharos”, ra me aeroplan në një shkretëtirë. U përhap lajmi në botë se Ernest Heminguej vdiq. Tërë shtypi botëror shkroi për këtë shkrimtar të madh fjalët më të mira dhe tha se bota humbi shkrimtarin më të talentuar. Por ai u gjet i gjallë dhe, kur u kthye në shtëpinë e tij në Havanë, ku banonte, lexoi dhe pa me sytë e tij se sa lartë e vlerësonte një botë e tërë. Ishte shkrimtari i vetëm që mësoi se ç’do të thuej pas vdekjes së tij.


Petro Marko

———————————————

ObserverKult

Lexo edhe:

LETRA E RAMIZ ALISË: ROMANI I PETRO MARKOS TË NDALOHET DHE TË BËHET KARTON E ASNJË KOPJE TË MOS QARKULLOJË