Në vitin 1925, Ernest Hemingway gjendet në Spanjë. Larg Parisit, ku kishte qëndruar për disa kohë, ai mahnitet nga natyra e egër e Spanjës. Në udhëtim e sipër, ai i shkruan mikut të tij, shkrimtarit amerikan Scott Fitzgerald. Kjo është edhe letra e parë që Hemingway i dërgon Fitzgerald-it. Më poshtë jepet letra e plotë.
Burguete, Navarre, Spanjë
1 Korrik [1925]
I dashuri Scott
Nesër nisemi për në Pamplona. U bënë ca kohë që po peshkojmë këtu. Ti, si je? Zelda, si është?
Po ndihem mirë, si kurrë më parë. Që kur jam larguar nga Parisi, nuk kam pirë gjë tjetër pos verës. Për atë Zot, ka qenë një vend i mrekullueshëm. E di që ti e urren fshatin. Në rregull, nuk po flas më për fshatin. Shpesh pyes veten, si do të ishte parajsa sipas teje. Një hapësirë e bukur, e mbushur me monogamë të shëndetshëm. Të gjithë të fuqishëm dhe nga familjet më të mira, të gjithë adhurues të pijes deri në vdekje. Kurse ferri, me shumë gjasa do të ishte një hapësirë me plot poligamë të shkretë, në pamundësi për të siguruar pak pije, apo me ndonjë sëmundje kronike stomaku, që ata e quajnë “pikëllima e fshehur”.
Për mua, parajsa do të ishte një arenë e madhe demash, me mua në ulëset e para; jashtë arenës do ishte një lumë i vockël, përplot me trofta, ku askush nuk lejohet të peshkojë veç meje dhe dy shtëpi të bukura; në njërën shtëpi do të kisha gruan me fëmijët dhe do isha një monogam dhe do t’u ofroja atyre dashurinë time, kurse në shtëpinë tjetër, që do të ishte nëntë kate e lartë, do të kisha nëntë dashnoret e mia të bukura në secilin kat.
Në njërën shtëpi, do të kisha kopje speciale të “The Dial” të shtypura në pëlhurë të hollë, që do t’i mbaja në tualetet e çdo kati, ndërsa në shtëpinë tjetër do të përdorja kopje të “American Mercury” dhe “New Republic”.
Për fund, në qytet do të ishte edhe një kishë e këndshme, sikurse ajo në Pamplona. Gjatë rrugës prej njërës shtëpi në tjetrën, do të ndalesha në kishë dhe do rrëfehesha. Pastaj, do të merrja njërin nga kuajt e mi dhe së bashku me tim bir, do të kalëronim për në fermën e demave “Hacienda Hadley”.
Përgjatë rrugës, do t’u hidhja monedha fëmijëve të mi të jashtligjshëm. Pastaj, do ta dërgoja tim bir që t’i kyçte të dashurat e mia, sepse sapo është përhapur lajmi se monogami famkeq Fitzgerald, është parë të kalërojë drejt qytetit për tek udhëheqësi i një kompanie pijanecësh.
Sidoqoftë, nesër në mëngjes po nisemi për në qytet. Më shkruaj tek:
“Hotel Quintana” ,
Pamplona,
Spanjë.
Apo, nuk të pëlqen të shkruash letra? Unë, zakonisht shkruaj sepse të mban larg punëve dhe prapë, të jep krijon përshtypjen se ke bërë diçka.
Përshëndete Zeldën nga ne të dy,
Yti,
Ernest
Përktheu: Ardian Batusha
ObserverKult
Lexo edhe: