Grekët e lashtë i referoheshin me fjalën “heros” gjysmë-zotave, qenieve që i kalojnë kufijtë e zakonshëm të njerëzve. Në mitologjinë greke, heronjtë ose gjysmë-zotat ishin ata të cilët duhej të vërtetonin me kapërcimin e disa provave se ishin të denjë për të prekur të përjetshmen. Romakët me të njëjtën fjalë i referoheshin shërbimit ndaj publikes. Hero është ai që tejkalon individualen dhe i dedikohet së përbashkëtës, pasi shumësia është më e rëndësishme se individualiteti. Më vonë në anglishten e mesme me fjalën “haleth” kuptohet veprimi i atij që e vendos veten në ndihmë të të tjerëve. Akoma edhe ditët e sotme ne kuptojmë me hero një individ në shërbim të totalit duke tejkaluar individualen dhe duke shërbyer si një pikë frymëzimi për të gjithë.
Pse Heroi i përditshmërisë?
Të gjithë ne në përditshmërinë tonë të zakonshme jemi të qartë se nuk jemi heronj të mëdhenj, të cilët bëjnë vepra të jashtëzakonshme që shërbejnë si burim frymëzimi për një numër të madh njerëzish, por ne mund të zgjedhim të jemi heronj të përditshmërisë. Kjo aftësi për të zgjedhur të drejtën dhe të vërtetën, akoma edhe te veprimet tona të përditshme, na shndërron në heronj të vegjël. Botime Akropoli i Ri sjell në shqip veprën “Heroi i përditshmërisë” si një pikëqëndrese frymëzimi për lexuesin shqiptar. Temat e këtij libri i referohen jetës tonë të përditshme dhe potencialit që secili prej nesh ka në mënyrë që të mund t’i tejkalojë ato.
Të gjithë heronjtë e nisin si njerëz të zakonshëm përpara se të bëhen heronj. Është e nevojshme të kalojnë nëpërmes një krize dhe të detyrohen prej nevojës vetjake ose rrethanave të jashtme të ndryshojnë ose të dalin nga zona e tyre e rehatisë. Heroi tejkalon frikën e tij të brendshme për të ndryshuar dhe për hir të dashurisë ndaj të tjerëve zgjon trimërinë e tij. Tejkalon dhembjen, ankthin, frikën, agresivitetin, kritikat duke besuar te vetja dhe ideja për të cilën ai lufton. Nëpërmjet tejkalimit të këtyre pengesave ose provave njeriu kthehet në një hero, në një qenie të lirë. Të gjitha këto tema trajtohen në këtë vepër nga filozofja argjentinase Delia. S. Guzman me besimin dhe dashurinë për qenien njerëzore, si një libër që na çon drejt transformimit.
Autorja na thotë se ne nuk lindim heronj të përditshmërisë, por mund të bëhemi të tillë. Mund të bëhemi njeriu i drejtë, i vërtetë, i fortë dhe i palëkundshëm përballë stuhive të jetës. Në të kundërt mund të ndalojmë se vepruari ose të veprojmë vetëm në dobi të interesit tonë vetjak dhe kjo e fundit do të na kthente në njerëz apatik apo të orientuar vetëm në funksion të egos sonë, jo të mirës së përgjithshme. Liria, na thotë autorja, nuk është pakufizueshmëria në sjellje dhe në veprime, pasi kjo na bën të papërgjegjshëm, por është ajo që shtyn njeriun të veprojë nëpërmes të drejtës dhe detyrës që i buron prej vetes. Heroi i përditshmërisë përforcon thirrjen e filozofit E. Kant, “Duhet, kështu që mundesh”. Ne mundemi të jemi heronjtë e jetës tonë të përditshme, pasi duhet të jemi. Kjo “duhet” na jep lirinë autentike të të qenit njerëz. Ftojmë lexuesit të frymëzojnë heroin dhe lirinë e tyre të brendshme nëpërmjet kësaj vepre./Përgatiti: Lisian Roseni, Drejtues i Botime Akropoli i Ri.