Heshtja e gjatë e një artisti

Nga Leon Lekaj

Vështirë që një amator, apo një dashamir muzike i viteve të diktaturës të mos kujtojë grupin e famshëm të “The Beatles”. Në një sfond të shtërnguar prej një dare të hekurt të dogmës më të shëmtuar të shekullit, ata hynë në jetët tona si një ngjarje e gëzueshme, që ngjyroste ditët tona gri.

Ndërsa në vendet perëndimore, u formuan grupe të ngjashme, tek ne nuk ndodhi kështu. Linja e ashpër antiperëndimore, cila u përvijua mbas pleniumit të katërt famëkeq të Komitetit Qendror të PPSH, preu me dorë të hekurt çdo belbëzim dhe çdo iniciativë për nisma të tilla.

Prandaj lindja e grupit “Na bashkoi kënga popullore”, që ishte edhe ishte harmonizimi më i bujshëm dhe më i suksesshëm i atyre viteve, u prit me entuziazëm të madh. Por, edhe pse të gjithë djem të rinj, të gjithë modern në shijet e tyre dhe të gjithë me shkollat muzikore më të sukseshme të vendit, ata nuk mundën ta ngjisnin repertorin më lart se sa emërtimi i grupit të tyre.

I formuar në vitin 1978, me iniciativën e profesorit të folklorit në konservatorin e at’hershëm Beniamin Kruta, grupi “Na bashkoi kënga popullore” gjeti mbështetjen e madhe tek njerëzit e thjeshtë.

I përbërë në fillimet e tij nga  pjesëtarët: Nimet Salobegu, Sazan Binjaku, Aleksandër Paloli, Përpararim Tomçini (Frederik Ndoci, Neki Kastrati), Nikolin Miraj, Fatmir Fani, Marko Matathia, Filip Thano, Agim Duro, Spiro Pano ata u paraqitën fillimisht nëpër salla të vogla, e më pas, ngaqë kërkesat për koncertet e tyre u rritën me shpejtësi, grupi filloi të jepte shfaqje nëpër pallatet e sportit.

Të angazhuar në Teatrin e Operas dhe të Baletit, ata, me eksperiencën e tyre të re, filluan të realizojnë deri dhe planin e këtij institucioni.

Suksesi i atij formacioni vokalo-instrumental u bë i pandalshëm.

Po kush e udhëhoqi këtë grup drejt këtij suksesi kaq të bujshëm e të paaritshëm deri në atë kohë?

Sigurisht që merita e madhe është e të gjithëve, është i kontributeve të tyre të spikatura dhe më tej edhe njohurive të folklorit të trevave prej nga ata vinin, por gjithsesi, grupi kishte një udhëheqës artistik, i cili njihet pak, apo thuaj se aspak prej dashamirësve të atij kompleksi simpatik.

Aleksandër Paloli, ose “fieraku i dashur”, siç njihej shpesh në vitet e liceut ishte ai që udhëhoqi në arritjet e njëpasnjëshme formacionin magjepës “Na bashkoi kënga popullore”.

Aleksandër Paloli

Po kush është Aleksandër Paloli dhe pse shtypi kaq i bujshëm shqiptar, e ka lënë në zgrip të harresës këtë muzikant, orkestrues, instrumentist dhe udhëheqës artistik të atij formacioni aq të këndshëm?

Nëse do të më duhet që të evidentoj shkaqet e harresës, të cilat kanë mbështjellë këtë figurë të artit shqiptar, mendoj se modestia e skajshme e artistit mban mbi shpatualla barrën kryesore të saj. I qetë, i përmbajtur në emocionet e veta, i pazhurmë, edhe pse me mjaft talent, Sandri, siç e thërrisnim në Liceun Artistik, anashkalon me një buzëqeshje karakteristike, kur dikush kërkon të flasë për jetën dhe veprimtarinë e tij.

I lindur në në një familje fierake, kontaktet e tij të para me muzikën dhe kryesisht me instrumentin e fisarmonikës do të ishin në vitet e shkollës tetëvjeçare me mësuese Mira Maletaj.

Në 1970-1974 studion korno në Liceun Artistik të Tiranës dhe pas stazhit në qytetin e lindjes, (i cili qe vendosur nga pushteti i athershëm si kusht për të fituar një të drejtë studimi) i rikthehet studimeve në Konservatorin e Tiranës sërish për korno, nën mbikqyrjen e profesorit të tij të shkollës së mesme, Bahri Fuga.

Pasi mbaron studimet Aleksandër Paloli emërohet si kornist në TOB. Këtu, dalëngadalë, duke qenë se evenimentet e reja që dolën në pah me formimin zyrtar të atij formacioni, i cili mbajti të gjallë dhe në nivele të mrekullueshme këngën qytetare të shumë trevave shqiptare, Sandri shkëputet nga pozicioni si instrumentist në TOB, për t’ju kushtuar tërësisht repertorit të koncerteve të njëpasnjëshme, angazhimit të tyre në “Dekadat e Majit”,  turneve nëpër Shqipëri, e në fund, edhe turneve jashtë shtetit.

Fillon për artistin një jetë bohem, edhe pse me angazhime të shumta artistike të nivelit kombëtar dhe atë  ndërkombëtar.  

-Janë gati pesëqind këngë të kënduara prej nesh, -më thotë Sandri në një bisedë miqsh, -dhe një pjesë e madhe e tyre, janë të përpunuara dhe të orkestruara prej meje.

Pastaj ai bën atë gjestin e vet, si të dojë të thotë se ato janë gjëra të shkuara dhe kanë pak rëndësi, tashmë.

Sigurisht që ashtu si të gjithë artistët, edhe ai nuk do t’i shpëtonte lehtë darës së hekurt të biografisë, me të cilën pushteti komunist i shtrëngonte ata. Një fragment të tillë ma kujton vetë Sandri:

“…Veç koncerteve të shumta, na vinin edhe urdhra nga “lart” për bankete, festa, e dasma në familjet e tyre. Në biografinë time shkruhej: “…I pa lodhur dhe njeri shumë i mirë, më i mirë seç duhet (si kritikë, kjo).

Por kjo nuk do të zgjaste shumë. Ishte nëntor i vitit 1985 dhe sapo kishte ndodhur vdekja e Enver Hoxhës. Në banketin e madh, në Pallatin e Brigadave, si çdo vit, natyrisht, ftohej edhe grupi ynë, me këngëtarë më të njohur si Vaçe Zela, Gaqo Çako etj. Programi përpilohej me urdhër nga “lart”: Vetëm këngë me tematikë. Si drejtues kisha përgjegjësi. Mes të tjerash, pra mes këngëve me tematikë, në program, vura vetëm një këngë popullore, e cila qe jashtë politkës. Ishte kënga “Dil të shoh me sy se më merr malli për ty” e kënduar nga Merita Halili.

Të nesërmen, më thirrën në komitetin e partisë dhe më thanë tekstualisht: -ke biografi të mirë, prandaj të dhamë vetëm vërejtje me paralajmërim.

 Në një kujtim tjetër Sandri thotë:

“…Por ne nuk kishim asnjë komunist në përbërjen tonë. Përkundrazi, ndonjë nga ne shprehej haptazi kundër regjimit, natyrisht, në një rreth të ngushtë, madje, shpesh ndërsa këndohej për “udhëheqësin e lavdishëm” dikush ironizonte, duke nxjerrë nga instrumenti nota të pa sakta, stonime që na bënin të qeshnim.

Kjo qe edhe mënyra e tij e “të protestuarit”.

Grupi pati edhe një takim me Ramiz Alinë, në kohën që vendi ynë u përfshi në lëvizjet studentore. Debatuam gjatë dhe në fund, instrumentisti që “protestonte” me stonaturat e tij mori guximin ta kundërshtonte duke i thënë “Ku e keni pluralizmin tuaj shoku Ramiz?”

Në vitin 1991, ndryshimet politike në vend, e gjejnë atë jashtë kufijve dhe në turneun e tij të fundit, në Shën Mitër, apo San Demetrio Corone, siç e njohim ne, vendin e De Radës së madh, ai njihet me Lilly Gradilone. Ndoshta kishte ardhur koha kur edhe formacioni, të cilën ai drejtonte, ashtu siç ka ndodhur edhe në historinë e shumë grupeve të tjerë, të shpërbëhej.

Martesa e Sandrit me Lilin, do të hapë një faqe të re, jo vetëm në jetën bashkëshortore të çiftit, i cili i gëzohet dy fëmijëve të tij të mrekullueshëm, por edhe në drejtimin e jetës artistike, e cila e mbarsur me vrullin dhe mallin e arbëreshëve, mbush gjithë jetën e gjallë të komunitetit atje.

Aleksandër Paloli bëhet për bashkinë ku jeton një promotor i rëndësishëm i lëvizjes artistike, duke mbajtur të gjallë dhe duke çuar më tej traditat e bukura të arbëreshëve.

Ai merr pjesë në të gjitha festivalet që zhvillohen atje të quajtura “Festival della Canzone Arbëreshe”. Rikthimi i këtij eventi, në vitin 2022 e gjen atë jo vetëm si orkestrues, por edhe si krijues.

Rikthimi i Aleksandër Palolit përpara dhjetë vitesh në TV KLAN, me grupin e tij “KYCET E ZEMRES”, tek i cili marrin pjesë edhe dy fëmijët e tij, është një shpalosje tepër mbresëlënëse e talentit të tij. Eksperienca e artistit, e gërshetuar ndjeshëm me traditën e vendit të De Radës i jep këngëve atë elegancë, të cilën mund ta presësh vetëm prej muzikanti të kompletuar si ai. Duket se shumë nga dashuria e mjeshtrit është derdhur në atë koncert, i cili la mbresa tek telespektatorët, duke e çuar shikueshmërinë e TV Klan në maja të lakmueshme.

Më pas erdhi sërish heshtja.

Ndeshemi shpesh me dhënien e titujve “Mjeshtër i madh”, për njerëz, të cilët nuk e kalojnë mediokritetin në fushat që aderojnë. Një pjesë e tyre, motivohen thjesht, politikisht, duke ulur vlerat e titullit përballë njerëzve të thjeshtë. Jam i sigurt dhe i palëkundur në bindjen time, se Aleksander Paloli do të ishte njëri prej atyreve, që do ti bënte nder atij titulli.

Gjithësesi, vlera e një artisti, është gjithmonë vepra e tij.

Athinë, gusht 2023

ObserverKult


Lexo edhe:

LEON LEKAJ: FLI VIOLINA IME