Nga Fatmir Sulejmani
Kështu mendonte poeti, romansieri, dramaturgu dhe eseisti i shquar Teki Dërvishi (1943-2011), prej të cilit, nëpërmjet mikut tonë të përbashkët Refet Abazit, arrita të realizoja për revistën BREZI 9 ndoshta intervistën e vetme që e kishte dhënë gjer atëherë, me këtë arsyetim: “Kjo pse u jap këtë intervistë, në të cilën po derdhi mund, më tepër është një vullnet që më shtyri ta bëj këtë punë, pasi e pashë se edhe në Tetovë botohet një revistë, që vërtet është dhe pretendon të jetë kaq estetike, e jo folklo-politike e arriviste, siç i kemi gati të gjitha revistat tona…”.
Siç e dini, Tekiu mbetet, pa mëdyshje, njëri ndër krjiuesit tanë më të veçantë, veprat e të cilit janë lexuar, lexohen e do të lexohen edhe në të ardhmen. Ndër to, po përmendim me këtë rast përmbledhjet poetike: ”Shtëpia e sëmurë”, “Thashë”, “Nimfa”…; romanet: “Herezia e Dervish Mallutës”, “Palimpsest për Dush Kusarin”… dhe veçmas dramat brilante: “Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi”, “Bregu i Pikëllimit”, “Pranvera e Librave”, “Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit” etj.
Ky Promete mendjelirë ra në burgjet e regjimit serb që në moshën 17 vjeçare. Pak vite më pas, ai u bë njëri prej të burgosurve më të rinj të Goli Otokut famëkeq, nga i cili, edhe përkundër dhunës çnjerëzore, doli shpirtpathyer, i vendosur të mos bëjë kurrë kompromise me të vërtetën. Se është kështu kuptohet edhe prej intervistës së sipërpërmendur, nga e cila po parafrazoj vetëm disa thënie që lidhen me shkombëtarizimin nëpërmjet akulturimit.
– Letërsitë e kombeve të robëruar nuk mund të çlirohen asnjëherë nga një fakturim, së paku, alegorik i gjuhës artistike që shpreh mesazhe edhe politike.
– Është diçka që moralisht nuk i lejon krijuesit të shkruajnë tekste p.sh. erotike, kur brenda ditës që mund të botohej ai tekst, në shtypin e ditës lexon se si terrorizohet, nënçmohet dhe përulet kombi yt.
– Sistemi krijon koniunkturën e vet artistike për nevojat politike, që merr rolin të bëjë me program konkret politik akulturimin dhe shkombëtarizimin e kombeve të robëruara.
– Shembull: nëse i takon një kombi të robëruar, si mund të kesh pushtet tëndin, që do të thotë i përshtatesh pushtetit të tjetrit, që do të të shkombëtarizojë, të të pastrojë etnikisht, të të bëjë qytetar të rendit të dytë.
– Shkrimtarët obortarë janë pasardhës të palaçove të oborrit, njerëz që e argëtojnë mbretin. Bukuria e artit të tyre është e ngjashme me bukurinë e prostitutës, që kënaq vetëm atë që e paguan.
– Serbia, Maqedonia dhe Greqia nuk na zhdukin duke na vrarë (ndonëse edhe pa këtë nuk e lënë mangut), por ekskluzivisht duke na akulturuar, duke na nxjerrë ngar rrënja ilire, rrënja shiptare, nga tradita shqiptare, nga karakteri tipizues shqiptar… që do të thotë duke na nxjerrë përjashta faktit të autoktonise, origjinalitetit, për këtë rast identitetit, pra identitetit kombëtar.
– Më së shumti na kanë nxjerrë nga ky identitet kombëtar (dhe përpjekjet e qeverive antishqiptare janë ende në vazhdim e sipër) me instrumentimin e religjionit, fesë, duke e shndërruar fenë nga besimi shpirtëror intim i njeriut, në një besim ideologjik, në një përmbajtje thjesht politike. Folk-intelektualët tanë, disa prej tyre, ose shumica, rëndom, po pa të keq flasin për shkollën shqipe, për flamurin kombëtar, për kulturën shqiptare, për gjuhën shqipe, për lirinë e shqiptarëve… po, dhe mirë që flasin, por pse nuk flasin kush është kundër flamurit shqiptar, kundër shkollimit shqiptar, kundër kulturës shqiptare, kundër gjuhës shqipe.
– Ne bëjmë dasma të shtrenjta, blejmë raritete banale, bëjmë gjithçka që nuk i shkon në dobi kulturës shqiptare. Kështu akulturohen shqiptarët, që do të thotë dalin nga rrënja e tyre, nga tradita, nga trashëgimia, dalin nga karakteri i tyre tipizues shqiptar… dhe, kështu, natyrisht, shkombëtarizohen.
– Gjuha shqipe nuk perdoret si duhet në administratë dhe në entet e institucionet kulturure-arsimore, barbarizohet, ndaj vjen duke u varfëruar, mbushet barbarizma, merr sintaksën e përkthyer, tonalitetin fonetik e bën me krahinarizma të tipeve mesjetare dhe, kështu, dalngadalë humbet edhe vetëdija kombëtare, njerëzit përcaktohen nga identiteti fetar e jo nga ai kombëtar…
– Pushtetet antishqiptare nuk e pengojnë kurrë organizimin institucional të klerit, por e pengojnë organizimin institucional të arsimit (universitetin shqiptar) dhe pengojnë organizimin institucional të kulturës, (shtypin, masmediat, televizionin, shtëpitë produksionare të arteve multimediale, shtëpitë botuese, etj., etj).
– Identitetin e një kombi e bën kultura e tij. Pa kulturë nuk ka identitet. Që do të thotë, pa kulturë institucionale (të organizuar) një grumbull njerëzish mund të shndërrohen nga kombi në grup etnik.
Pra, kështu fliste Teki Dërvishi në vitin 1997, gati dy dekada e gjysëm më parë. Thëniet e tij vijnë si një amanet që mund të ndihmojë etnitë e rrezikuara për ta kuptuar me mirë sa bie sahati…