Ikona “Himni Akathist” është një ikonë e rrallë ku ikonografi Konstandin Shpataraku shfaqet si një miniaturist i madh me një talent të jashtëzakonshëm.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar bën të ditur se Shpataraku e pikturoi këtë ikonë për të zbukuruar ikonostasin e kishës së Virgjëreshës Mari në Manastirin e Ardenicës në Lushnjë.
Ikona është pikturuar në shekullin e XVIII dhe i dedikohet një himni kushtuar Virgjëreshës Mari, pra nënës së Zotit si e përzgjedhura e tij për të mbartur Shpëtimtarin e botës.
Në qendër lart paraqitet një skenë e kurorëzimit të Virgjëreshës e cila pasohet 24 skena nga jeta e Shën Marisë të pikturuara në kuadrate të rregullta ku mbizotëron një ngjyrë blu e thellë e cila bën që të kontrastojnë bukur tonet e arta dhe të ngrohtat. Këto fillojnë me skenën e dhënies së lajmit dhe përfundojnë me ngjitjen e Virgjëreshës ne Qiell.
Figurat janë vizatuar me saktësi dhe elegancë. Çdo detaj është pikturuar me kujdes të jashtëzakonshëm./ATSH