Hiqet ylli dhe libri nga Mozaiku në Muzeun Historik/ Debati: A retushohet historia?

ylli

Është hequr ylli dhe libri nga mozaiku

“Mozaiku ikonë i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar konsiderohet si një nga veprat më të mira të realizmit socialist shqiptar. I vendosur në vitin 1981, ai shfaq në sipërfaqen prej 565 m2, disa nga momentet më të rëndësishme të historisë së vendit, që nga antikiteti deri në epokën komuniste. Dizajni i tij i ndërlikuar është punuar nga artistët e njohur të kohës si Vilson Kilica, Josif Droboniku, Agim Nebiu, Anastas Kostandini dhe Aleksandër Filipi.”, kështu përshkruhet mozaiku, në faqen zyrtare të Muzeut Historik Kombëtar.

Mozaiku u rikthye si çështje që nxiti debat publik pas inagurimit që u bë me fondet e Bashkimit Europian.
Pas heqjes së yllit nga flamuri në vitin 1993, tashti u hoq ylli i madh pas gruas së ballit të mozaikut dhe libri në dorën e burrit të pamjes ballore.

Studiuesi i njohur Auron Tare, thotë se nuk mund të preket apo retushohet një vepër e tillë.

SI ISHTE

SI U BË

Postimi i Auron Tares

A duhet retushuar historia?

Historia e Mozaikut te Tiranes.

Heqja e Yllit nga Flamuri gjate periudhes se Berishes se pare ishte pjese e nje debati midis specialisteve te Trashegimise Kulturore. Koha menjehere pas renies se komunizmit mund ta justifikonte disi kete retushim historik ne nje prej veprave me madhore artistike te periudhes se realizmit socialist. 

Nderkohe heqja fare e Yllit te madh pas figures se gruas dhe heqja e Librit nga dora e punetorit ne Mozaik ishte nje nderhyrje qe i hiqte nje pjese te mire te kuptimit kesaj vepre te realizmit socialist. ( perseri ne ate kohe) 

Restaurimi i pritshem me nje fond te Bashkimit Europian e konsolidoi vepren nga gjendja strukturale por nuk ktheu pjeset e hequra me pa te drejte nga nje veper qe i perket nje epoke tashme te perfunduar. 

A duhet retushuar historia ne kete menyre?  

A duhet qe periudha post komuniste te veproje me te njejtin standart si praktikat e periudhes komuniste e cila retushonte historine perpara saj? 

A ka rrezik qe ashtu si brezi i lindur dhe rritur ne komunizem  cili e mesoi historine te deformuar, edhe brezi post komunist te ndjeke te njejten menyre te mesuarit te historise? 

A duhet nej veper e financuar nga fonde europiane te perfaqesoje nje histori te retushuar?

Ndërkaq specialistë të fushës, por edhe intelektualë të ndryshëm kanë mendime të ndryshme në këtë debat. Eksperti i fushës Federik Stamati është i mendimit që nuk duhet ndërhyrë. Ndërkaq, Neritan Sejamini, analist, thotë që nuk mund të prezantohet Tirana me një vepër e porositur për t’í shërbyer propagandës.

Neritan Sejamini: Mendoj se nuk ka lidhje me retushimin e historise-historia nuk mesohet nga nje mozaik. Mendoj se, ne kete rast, ceshtja eshte: a duhet te ruhet dhe ekspozohet “arti” i politizuar, i porositur dhe krijuar me qellimin e vetem per te ndikuar njerezit qe te pranojne nje pushtet diktatorial?

Une mendoj se mozaiku, ne formen origjinale, mund ta kishte vendin ne nje muzeum mbi artin ne diktature- per te informuar dhe edukuar per makinerine dhe mjetet me te cilat u mbajt ne kembe diktatura-por jo ne qender te Tiranes (nuk e di nese teknikisht mund te zhvendoset).

Ndërkaq, Giora Solar, një arkeolog izraelit që është një prej emrave më autoritarë në botë për fushën e trashëgimisë kulturore është kundër prekjes së mozaikut.

Giora Solar: E habitshme. Kujtova se të gjithë e kuptojnë se nuk preken veprat e artit e historisë. Nuk ndryshohet historia duke prishur vepra të tilla. Doni të përmirësoni të ardhmen? Mësojuni brezave të rinj historinë ashtu së bashku me gabimet e saj. E kjo bëhet jo duke ndryshuar atë, por treguar faktet dhe të vërtetën

Erald Kapri: Qindra reagime për mungesën e yllit komunist dhe librit të Marksit në mozaikun e pështirë të realizmit socialist, që tenton të na mbushë mendjen se komunistët vlejnë sa mijëra vjet histori të shqiptarëve bashkë.

Janë të paktë ata që kanë kurajo e të thonë që kjo vepër e turpshme ideologjike është hipokrizi e ndyrë që i rri në mes kryeqytetit të një shoqërie të kalbur që nuk dënoi askënd për krimet e shumta.

Indinjohen për “retushimin” e një vepre por aspak për krimet e pandëshkuara. Shoqëri me elitë nihiliste.

ObserverKult

Kliko edhe:

TIMO FLLOKO: SHAJNË FILMAT TANË, SE “PRISHIN” RININË… PO RINIA PO DEGJENEROHET NGA KËTO GJËRA…


27 VITE NË BURG, KALVARI I YLLI TABAKUT