Sarah, aktorja që iu nënshtrua dy transplanteve të veshkës

Sarah Hyland

Sarah Hyland, aktorja e njohur e serialit “Modern Family” (Familja moderne), nuk ka pasur aspak një jetë të lehtë. Ajo u lind me një sëmundje të njohur si displazi renale, ku veshkat nuk zhvillohen plotësisht. Përpara se të mbushte katër vjeçe, kishte hyrë në shtatë ndërhyrje për këtë gjendje.

Mjekët e kishin informuar se nuk mund të jetonte asnjëherë një jetë normale. Tri vjet pasi kishte nisur xhirimet e serialit të njohur “Modern Family”, një nga veshkat e saj ndaloi së funksionuari, duke bërë që Sarah të detyrohej të luftonte për të jetuar.

Ajo vazhdoi të mbetej e fortë për familjen, të dashurin, fansat dhe gjithë serialin. Pas shumë testeve të bëra, i ati i saj u pa se mund të ishte një dhurues potencial i veshkës dhe ai ishte dakord për dhurimin. Muaj më vonë, Sarah u kthye në sheshin e xhirimeve dhe karriera e saj u bë mjaft e suksesshme. Seriali po fitonte mjaft çmime dhe dukej sikur gjërat u normalizuan.

Mirëpo në mes të sezonit të shtatë të serialit, ajo mori lajmin e keq nga mjekët se trupi i saj po e kundërshtonte veshkën e marrë. Bëri gjithë analizat dhe mori mjekimet e nevojshme. Ra shumë në peshë, shumë lajme e citonin edhe si anoreksike. Gjithsesi nuk mund të bëhej asgjë, duhej një dhurues tjetër.

Sarah i përballoi gjithë shqetësimet në heshtje. Fytyra e saj dukej si anemike, tensioni i lartë i dëmtoi edhe shikimin. Në atë kohë ajo mori një lajm të mirë, vëllai i saj mund të ishte një dhurues ideal, por e refuzoi dhurimin nga një familjar tjetër i saj.

Vëllai vazhdoi të këmbëngulte për dhurimin dhe pas ndërhyrjes, Sarah qëndroi në spital deri në rekuperimin e plotë. Kur u kthye në xhirime, të gjithë e pritën me krahët hapur. Këtë herë ndërhyrja shkoi me sukses dhe veshka e dhuruar nga vëllai i saj, filloi të funksiononte mirë.

Në këtë kohe, ajo u bë më e fortë në mesin e familjes, të dashurit të saj Uellsit dhe qenve të saj. Pavarësisht gjithë sfidave dhe 16 ndërhyrjeve të realizuara, ajo kurrsesi nuk i ka lejuar vështirësitë ta dërmojnë. “Emri im është Sarah. Kam dy qentë më të mrekullueshëm në të gjithë botën. Kam të dashurin më të mirë dhe familjen më të mirë që mund të kërkoja ndonjëherë”.

Lexo edhe: AKTORJA E FAMSHME DIAGNOSTIKOHET ME KANCER

ObserverKult