Nga Kastriot Dervishi
Rexhep (Rexho) Plaku, lindur më 1895 në Konispol, me dy dënime të gjata, është i dyti nga pjesëtarët e komunitetit çam që ka vuajtur më shumë vite burgim nën diktaturën komuniste me 29 vjet, 11 muaj dhe 12 ditë. Ishte kunat i Teme e Taho Sejkos dhe baba i 8 fëmijëve. Figurë e njohur në Konispol në vitet e qëndresës antifashiste.
-Periudha e vuajtjes së burgimit:
1946-1956: 9 vjet, 7 muaj, 6 ditë
1959-1980: 20 vjet, 4 muaj, 6 ditë
-Mosha në fillim të dënimit: 51 vjeç
-Mosha në mbarim të dënimit: 85 vjeç
Dënimi i parë
Rexhep (Rexho) Plaku kishte dashur të dilte deputet në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945. E vetmja gjë që kishte ngritur si shqetësim nga populli ishte që reforma agrare në Konispol të shtyhej ca kohë sepse zona kish dalë e shkatërruar nga lufta. U arrestua më 20.7.1946. Në hetuesinë e datave 2-10 gusht 1946, para hetuesve Gjolekë Aliu e Ahmet Alushi në Seksionin e Sigurimit të Gjirokastrës, nuk pranon akuzat që i bëheshin.
Akuzat e prokurorit kapiten II Vangjel Kocani, formuluar më 7.12.1946, janë gati qesharake. E akuzonte për sabotim të reformave shtetërore si reforma agrare, “lidhje me reaksionarët e huaj”, duke punuar “kundra interesave të atdheut” për ta vënë “në një regjim të huaj e shtypës”; mbledhje me “elementë të pakënaqur” për t’u bashkuar me Haki Rushitin e Ali Nivicën; si dhe për agjitacion e propagandë në favor të luftës së tretë botërore midis SHBA-së e Bashkimit Sovjetik e prej nga ku jugu i Shqipërisë do i aneksohej Shqipërisë.
U gjykua në grup së bashku me të pandehur të tjerë, nga Gjykata Ushtarake e Gjirokastrëse cila, pavarësisht se nuk doli asnjë provë, me vendimin nr.200, datë 17.12.1946, e deklaroi fajtor në bazë të neneve 14, 15, 18, 19, të ligjit nr.41, datë 14.1.1945 dhe nenit 1 të ligjit nr.21, datë 15.12.1944 duke e dënuar me vdekje, por ky dënim iu kthye në burgim me 30 vjet burgim. Doli nga burgu më 26.2.1956.
Dënimi i dytë
Pas lirimit u internua në Kavajë. Jetoi në kushte të vështira. Duke mos pasur rrugë tjetër, u orvat të arratisej. U arrestua në postën kufitare të Kozelit në Kolonjë, më 27.10.1959, duke qenë 64 vjeç.
Për fatin e tij të keq, e zuri një krizë zemre dhe nuk mundi të realizojë arratisjen. Shokët e tij Xhafer Aliçka dhe Malo Skorovodi, mundën të arratisen me sukses. U akuzua edhe për agjitacion. Pyetet nga hetuesit Irfan Shaqiri, Ali Xhunga, Vangjel Kote, Nazif Shehu. Procesi zgjati shumë vite sepse u lidh me “komplotin çam” që u “zbulua” në vitin 1960. Në fund u la të dënohej me nenet 64/10 dhe 73 të Kodit Penal.
U gjykua nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, e cila me vendimin nr.99, datë 25.7.1961 e shpalli fajtor dhe e dënua me 25 vjet burgim. Regjimi nuk i fali asgjë dhe e la në burg. U lirua nga burgu më 5.3.1980 duke dalë prej andej në moshën 85 vjeçare./kujto.al
ObserverKult
Lexo edhe:
“IK GRUA! MERRI TË DY FËMIJËT DHE MOS MË HAJDE MË…”
ObserverKult