Historia e dhembshme e profesor Gaspër Ljarja nga Universiteti i Bolonjës, deri në Burgun e Ballshit

Kush është mjeshtri i parë i birra Tirana?

Nga Bajram Mjeku

Sivjet birra e njohur Tirana, mbushë 60 vjetorin e hedhjes së saj në treg, por pak kush mund të di se birra Tirana u prodhua falë punës së shkodranit Gaspër Ljarja dhe dy kimistëve rusë, Aleksandër Dimitrijeviç Romanov dhe Anatoli Vladimiroviç Teplickij.
Gaspër Ljarja i njohur me emrin Gaci, u lind më 20 janar të vitit 1907 në Shkodër, i cili në vitin 1927 mbaroi studimet në shkencat e kimisë në Universitetin e Bolonjës dhe mori titullin Profesor. Gaci ishte vëllai i Karl Ljarjës, i cili kishte mbaruar studimet për gjuhë gjermane në Vjenë dhe është axha i aktorit të njohur shqiptar, Rikard Ljarja.
Mbas studimeve, Gac Ljarja në fillim punoi si profesor i kimisë në Gjimnazin e Shkodrës e pak kohë më vonë u emërua drejtor i Gjimnazit.
Nga viti 1945 e deri në vitin 1969, kur e arrestoi Sigurimi i Shtetit, Gac Ljarja punoi në disa fabrika të vendit si ekspert i shkencave të kimisë si në Korçë, Pogradec, Durrës, Kuçovë, Elbasan dhe në qytete tjera të Shqipërisë.
Në vitin 1948 u tranferua në Fabrikën e njohur të birrës në Korçë, e cila u ndërtua nga italianët në vitin 1927 dhe aty punoi deri më 22 mars të vitit 1969, prej nga u trasnferua në Tiranë, ku edhe u prodhua për herë të parë birra Tirana.
Gjatë kohës sa punoi në Korçë, Gac Ljarja zbuloi një element të rëndësishëm me emrin Lupolon dhe falë zbulimit të këtij elementi, u ndërpre eksporti i birrës që vinte nga Çekia. Gjatë kësaj kohe, Gac Ljarja prodhoi edhe një konjak të njohur, të cilit i vuri emrin “Shputnik”, por nuk u hodh në treg, ndoshta për shkak të arrestimit i tij.
Më 22 mars të vitit 1969, në moshën 60 vjeç, jeta e Gac Ljarjës e mori teposhtëzën. Ai u arrestua së bashku me të ashtuquajturin Grupi i Polakëve dhe mbas një procesi të montuar politik, u dënua me 10 vjet burg, të cilin e vuajti në Burgun e Ballshit.
Djali i tij Niko Ljarja, kujton ditën e parë kur doli nga burgu më 22 mars të vitit 1979 dhe thotë: “Për ironinë e fatit, atë ditë ndodhi një satisfaksion shpirtëror për babain. Nga Fieri erdhëm me një kamion rasti dhe nga rruga e Kavajës mbërrijtëm në Tiranë. Kur kaluan afër Fabrikës së birrës Tirana, babai ndjeu një kënaqësi të fuqishme emocionale. Më shtrëngoi dorën dhe me zë të ulët më tha: ‘Shiko fabrikën, sepse edhe ti ke kujtime kur ishe fëmijë dhe vije të më vizitoje…’.
Vetëm pesë javë më vonë pasi u lirua nga burgu, më 7 maj të vitit 1979, Gaspër Ljarja ndërroi jetë. Familja Ljarja humbi kryefamiljarin e tyre, ndërsa Shqipëria njërin ndër ekspertët më të mirë të kohës, karriera profesionale e të cilit u këput nga regjimi, i cili nuk përtonte t’i eliminonte ekspertët më të mirë të vendit.

Nga e majta në të djathtë: Gaspër Ljarja, dr. Frederik Shiroka dhe miku i tyre me mbiemrin Koliqi.


Nga e majta në të djathtë ulur: Sotir Kozmo, mjeshtër i muzikës nga Korça, Koço Tashko, Aleksandër Stavri Drenova-Asdreni, Ernest Koliqi, Tefta Tashko, Lola Aleksi, Lasgush Poradeci, tjetri i panjohur dhe Gaspër Ljarja.
Fotografia është shkrepur në Kafen e Madhe në vitin 1938 në Shkodër./ ObserverKult