Historia e dhimbshme e familjes Numani: Komunistët ja ekzekutuan burrin dhe djalin, por s’u ndalën me kaq

Kur xhelatët i vranë të shoqin Asqeri Numani dhe më pas djalin Abdulla Numani, erdhën t’i bastisin shtëpinë, nënë Zaho iu drejtua me këto fjalë grabitësve: Ja ku e keni të gjithë shtëpinë, merrni çfarë të doni, mua nuk me duhet me asgjë, ju morët shpirtrat e mi, njeri 42 vjeç dhe tjetri 18 vjeç”… historia e dhimbshme e familjes Numani në Berat, si u vranë nga komunistët burrat e kësaj shtëpie e si vazhdoi kalvari i vuajtjeve nën diktaturën komuniste. Rrëfim nga mbesa e Abdulla Numani, Ervehe Kapidani.

“Në takimin e fundit në një karton pakete cigaresh “Diamant” i’a jep nenës nën dorë. Aty shkruhej: “ Ju lë amanet gjithë të dashurve të mi, asnjë të mos merret me politikë”. Ishte dita e fundit e Abdulla Numanit, para se të pushkatohej. Është pjesë nga rrëfimi i Ervehe Kapidani, mbesa e Abdulla Numanit, i cili u pushkatua nga regjimi komunist, pa kryer asnjë krim e pa bërë asnjë faj. Ishte nga dera e njohur patriote beratase, biri i Asqeri Numanit i pushkatuar gjithashtu më herët nga regjimi komunist. Asqeriu la jetim shtatë fëmijë, ndër të cilët edhe Abdullain, i cili u dënua me pushkatim nga regjimi komunist kur ishte vetëm 18 vjeç. Nëna e Abdullait, i thërriste me përkëdheli, Lake. Është dhimbja e madhe e jetës së saj deri në fund, kur nga sëmundja humbi kujtesën e dukej se gjithçka kishte harruar por jo emrin e të birit të pushkatuar vetëm 18 vjeç. Në çastet e fundit të jetës, nënë Zaho  belbëzonte me dhimbje emrin e Lakes… e rrëfen e mbesa e Zahos, Ervehe Kapedani.

Është histori rrëqethëse kjo e familjes Numani dy burra të pushkatuar dhe e gjithë familja e persekutuar pa ndalur nga regjimi komunist. Në kujtimet e Ervehesë të rrëfyera nga e ëma Zaho, gjen dhimbje për fatet e trishta të burrave, grave e fëmijëve të kësaj dere. Është një moment drithërues, pasi xhelatët komuniste kthehen në shtëpinë e Abdullait dhe Lakes, pasi i kishin pushkatuar dhe kërkojnë nga nëna e tyre gjithë pasurinë që kishte brenda banesës.

“Pak kohë më pas përfaqësues të partisë komuniste ne Berat vijnë për të marrë orenditë e shtëpisë me justifikimin që qeveria është vendosur ne Berat dhe na duhen disa dyshekë, jorganë, perde e servise pjatancash, qilima për të pritur delegatet komunistë”.

Nëna u tha: “Ja ku e keni të gjithë shtëpinë, merrni çfarë të doni, mua nuk më duhet më asgjë, ju morët shpirtrat e mi njeri 42 vjeç dhe tjetri 18 vjeç”. Ata e zbrazën shtëpinë duke thënë se do t’i kthejnë, nëna nuk i kërkoi dhe ata nuk i sollën kurrë. Dhimbja ishte e madhe dhe secili prej fëmijëve e përjetonte në mënyrën e vet, Feriti djali i dytë i familjes merrte shishen e rakisë dhe e pinte, futej nën krevat dhe qante me dënesë mos e shihte njeri, dalëngadale filluan t’i rëndoheshin këmbët, kur shkonte ne shkollë mbante patericë sa u paralizua totalisht deri sa vdiq në moshën 36 -vjeçare”, rrëfen Ervehe Kapidani, mbesa e Abdulla Numanit, i pushkatuar nga regjimi komunist.

Më poshtë botohet i plotë rrëfimi i saj për çfarë i ka rrëfyer e ëma dhe gjyshja e saj në Berat.

Nga: Ervehe Kapidani

Në këto radhë të këtyre tregimeve dua të shpreh krenarinë time si mbesë e Asqeri Numanit gjyshi im, Abdulla Numanit, dajës tim që nuk arrita t’i njoh kurrë dhe Selman Numanit, dajës tim të vogël.

Nëna ime Jeta ( Hysnia siç kishte emrin e lindjes) u martua në Kavajë, ku u linda e rrita unë. Familja e nënës time ishte e mbushur me hallet dhe problemet e kohës të cilat i kam përjetuar nga afër pasi ditën e parë që përfundoja shkollën nisesha për në Berat, ku kaloja gjithë verën me gjyshen dhe dajën e paralizuar, Feritin, daja tjetër Selmani ishte në burg politik. Darkave gjyshja, Zaho, më ulte pranë vetes dhe më tregonte, megjithëse isha shumë e vogël e dëgjoja me kureshtje dhe vëmëndje, por nuk mund të kujtoj gjithçka.

Gjyshja në tregimet të saj për gjyshin thoshte se ai ishte njeri i ndjeshëm dhe me zemër shumë të madhe, nga ana tjetër nuk pranonte dot padrejtësinë, mashtrimin e gënjeshtrën. Gjysh Asqeriu ishte pjesë e organizatës së Ballit Kombëtar në qytetin e Beratit, mbante pozicionin e nënkryetrarit të organizatës.

Për shkak të natyrës që kishte ai i donte shumë miqtë dhe u besonte shumë atyre. Gjatë luftës në shtëpinë e tij dykatëshe në njerin kat strehonte partizanë, i ushqente dhe i furnizonte me veshmbathje, ndërsa në katin tjetër strehonte esksponenete të Ballit Kombëtar si Sefi Protopapën, Abaz Ermenjin, Jakup Shalsien, Sheh Ibrahim Karbunara, Mestan Ujanikun, etj.

Para se të dënohej me burg e më pas me pushkatim, Abaz Ermenji një nga eksponentët e Ballit Kombëtar e nuhati shumë mirë situatën dhe i tha Asqeriut se duhet të largoheshin sa më parë nga Shqipëria, bashkë me ta po largoheshin dhe shumë të tjerë. Pasi hipi në anije në Durrres, ai i thotë Abazit, i bindur për pafajësinë e tij se nuk mund t’i kthejë krahët fëmijëve, gruas dhe motrave të cilët i donte kaq shumë. Pas kësaj ngjarje filloi kalvari i vuajtjeve dhe rrugëtimit të familjes Numani përgjatë diktaturës komuniste. Asqeriu burgoset dhe qëndron në birucë. Zaho me kunatën Mairenë (motrën e Asqeriut) dhe vajzën  e madhe, Jetën, shkojnë në Tiranë për të takuar Gjin Markun, i cili ishte gjeneral në partinë komuniste. Gjinit iu luten për t’i shpëtuar pushkatimit, jo burgut, por Gjini me lot në sy i thotë: “nuk kam më forcë dhe unë jam me kokë në trastë”.

Pasi në Berat krijohet qeveria komuniste Asqeriu arrestohet dhe dënohet në burgun e Beratit. Nga tregimet e Jetës (nënës time), Asqeriu ishte shumë i shëndetshëm, gjatë kohës së burgut nga torturat e tmerrshme u dobësua sa i mbeti vetëm ¼ e trupit.

Në burg ishte i rrethuar me miq dhe shokë, familjet nuk ishin në Berat, me të cilët ndanin të njëjtat ide. Ai i kërkonte nënës të dërgonte ushqim, veshmbathje, dyshekë e jorganë për të përballuar të ftohtin e birucave pa dritë e me lagështirë.

Gjyshja dhe nëna ime tregojnë që Asqeriut gjatë kohës së burgut i kishte dalë një dhëmb i ri, në moshën 42 vjeçare, të cilin e kishte parandjerë si shenjë të keqe duke i thënë gjyshes “do të ma hanë kokën”, por Zaho si grua e fortë i jepte kurajë duke i thënë që do të dalësh se nuk je fajtor për çfarë të akuzojnë dhe se nuk i ke lyer duart me gjak.

Pas pak ditësh do të pushkatoheshin Asqeri Numani nga Berati, Jakup Shalsi nga Berati, Haxhi Miraka nga Lapardhja, Ymer Buzi nga Kallmi i Fierit. Asqeriu besonte se nuk i kishte bërë dëm njeriu dhe nuk do e gjente asgjë.

Zaho, Mairea dhe Jeta kthehen në Berat duke pritur nga minuti ne minut lajmin e pushkatimit të një njeriu të pafajshëm, babain e 7 fëmijëve dhe vëllain e vetëm të dy motrave. Ai u pushkatua me 4 shkurt 1945 në Berat bashkë me 3 shokë të tjerë, Jakup Shalsi, Haxhi Miraka dhe Umer Buzi.

Nëna Zaho hapi dyert e mortit, ajo duhej të përballonte jetën në kohë aq të vështira për të rritur jetimët, dhimbja për babain që nuk e panë më kurrë ishte e tmerrshme, por kalvari i vuajtjeve nuk mbaron këtu. Jeta, ime ëmë, që ishte vajza më e madhe filloi të punojë si punëtore krahu në punët më të vështira për t’i ardhur sado pak në ndihmë familjes dhe nuk donte që nëna me sharpën e zezë që kish mbuluar kokën të dilte nga shtëpia.

Siç tregon ime ëmë, Jeta,për të na ngushëlluar në shtëpi erdhi dhe Gjin Marku. Zaho si grua dinjitoze e fortë e shumë mikpritese e priti Gjinin pa kërkuar më asgjë prej tij, kurse unë, thoshte ime ëmë u solla shumë keq duke i thënë të dalë nga shtëpia dhe se ai është një vrasës. Gjini e kish afruar nga vetja duke e puthur në kokë, kish qarë pranë nënës duke mos i dalë asnjë fjalë nga goja. Nuk kaloi shumë kohë dhe Gjini e pësoi nga Enver Hoxha atë që pësoi gjyshi, e pushkatuan.

Vëllai i madh i nënës time, Abdullai që me përkëdheli e thërrisnin Lake ishte në Itali për të kryer studimet, vendosi të lërë shkollën dhe kthehet t’i bashkohet rinisë së Ballit Kombëtar, ideali i tij ishte për një Shqipëri të lirë e demokratike. Në këtë organizatë kishte mjaft të rinj nga të cilët, sipas tregimeve të nënës time, kujtonte Noi Sallabandën. Lakja kishte shumë shokë në krahun e Ballit Kombëtar, por dhe në Partinë Komuniste, ndër të cilët Kristaq dhe Margarita Tutulanin, të cilët e donin dhe e respektonin. Adullai gëzonte të njëjtat virtyte si babai i tij, zemërgjerësinë, dashurinë për njerëzit dhe kurrsesi nuk pranonte padrejtësinë.

Pasi i pushkatuan të atin më 4 shkurt 1945 filluan të sulmonin mtë e njëjtën urrejtje dhe të birin. Ditët dhe netët në familje u mbushën me frikë. Filloi raprezalja. Fill pas pushkatimit të babait Abdulali filloi një lloj rebelimi që karakterizon të riun, nuk duroi vdekjen e të atit të pafajshëm, ngriti zërin kundër kësaj padrejtësie. Abdullai ishte femija i parë i familjes, ai ngushëllonte nënën fatkeqe dhe fëmijet e tjerë, por lotët e tij nuk shteruan. Ai i’u bashkua rinisë së Ballit të cilët ishin shumë aktivë pasi kuptuan se kush ishin komunistët.

Komunistët të pashpirt nuk mjaftuan me pushkatimin e babait, por iu kthyen dhe djalit 18 vjeçar ende i pa rritur, meqë ishte biri i komandantit të Ballit Kombetar, duke hedhur akuza të paqena dhe duke krijuar për të rreziqe imagjinare.

Nis një tjetër kalvar hallesh. Laken e arrestojnë dhe e dërgojnë në burgun  e Tiranës, atje mbahet duke e torturuar. Në një prej takimeve me nënë Zahon dhe hallë Mairenë, Abdullai me anë të një polici i kishte dhënë një letër nënës, me anë të së cilës do kuptonte  se ai nuk do kishte më jetë. Amaneti për nënën ishte të bëhej grua e fortë, për motrat dhe vëllezrit më të vegjël, për hallat dhe fëmijet e tyre që po rriteshin jetimë. Në çdo takim tek ai dukeshin shenjat dhe  transformimi nga  torturat. Nëna duhej të duronte dhe të gjente fjalë të ëmbla për t’i ngritur moralin të birit. Në takimin e fundit në një karton pakete cigaresh “Diamant” që ia futi nënës nën dorë shkruhej “ Ju lë amanet gjithë të dashurëve të mi, asnjë të mos merret me politikë”. Për dajë Abdullain ajo ishte dita e fundit.

Kënaqësia e komunistëve ishte para se ai të largohej nga kjo jetë të shfrynin gjithë mllefin dhe urrejtjen e tyre, fytyra engjellore e 18-vjeçarit u shpërftytyrua, hematomat kishin mbuluar fytyrën dhe trupin. Ç’mund të bënte e gjora nënë për të shpëtuar të birin? Hallë Mairea mendoi të bënte një takim me Bilbil Klosin, i cili ishte prokuror i përgjithshëm dhe merrte vendime për të burgosurit, kunata e hallë Maires vinte nga e njëjta familje dhe i kërkoi takim në zyren e tij, që ishin tek ish-komiteti qendror. Halla dhe nëna u nisën për në Tirane t’i luteshin të paktën t’i falej jeta. Ai pranoi të takohej vetëm me hallën, e cila i qe lutur të burgosej dhe t’i shpëtonte koka. Përgjigjia e Bilbilit ishte: “ Maire më vjen keq, por sot ai u pushkatua”. Si do t’i thoshte nënës lajmin që priste me shpresë poshtë asaj godine që merrte jetë njerëzish të pafajshëm? Dhimbja ishte e papërshkrueshme! Dy gratë e gjora, të helmuara deri në palcë kthehen në Berat për të hapur dyert e mortit. Gjithë farë e fisi, miqtë e familjes, shokët e shoqet e dajës i qëndruan nënës së zezë shumë pranë, edhe nëna e Margaritës dhe Kristaq Tutulanit iu gjend afër megjithëse prej pak ditësh dhe asaj i ishin vrarë fëmijet e saj.

Kalvari i vuajtjeve s’ka të mbaruar. Pak kohe më pas përfaqësues të Partisë Komuniste në Berat vijnë për të marrë orenditë e shtëpisë me jusfikimin qeë qeveria është vendosur në Berat dhe na duhen disa dysheke, jorganë, perde e servisë pjatancash, qilima për të pritur delegatët komuniste.

Nëna u tha: “Ja ku e keni të gjithë shtëpinë, merrni çfarë të doni, mua nuk më duhet më asgjë, ju morët shpirtrat e mi njeri 42 vjeç dhe tjetri 18 vjeç”. Ata e zbrazën shtëpinë duke thënë se do t’i kthejnë, nëna nuk i kërkoi dhe ata nuk i sollën kurrë. Dhimbja ishte e madhe dhe secili prej fëmijëve e përjetonte në mënyrën e vet, Feriti djali i dytë i familjes merrte shishen e rakisë dhe e pinte, futej nën krevat dhe qante me dënesë mos e shihte njeri, dalëngadale filluan t’i rëndoheshin këmbët, kur shkonte ne shkollë mbante patericë sa u paralizua totalisht deri sa vdiq në moshën 36 –vjeçare”.

Nëna duhej të mbante ende dhimbje, i nxorrën nga shtëpia për ta kthyer në burg e më vonë në shkolle partie, pastaj kopësht femijësh. Nëna duhej të transferohej në hauret e shtëpive që njerëzit e mirë, të cilët e respekonin atë heroine ia lironin pa asnjë shpërblim.

Djali saj i vogël Selmani pasi mbaroi shkollën e mesme me nota të shkëlqyera e morën ushtar. Ushtrinë e caktuan ta kryente në Sarandë. Një ditë, kur disa shokë bënë në plan për t’u arratisur ne det për në Korfuz, atë natë ata do të kalonin kufirin me not. Me sa duket dikush i spiunoi, i kapën dhe i arrestuan për tentativë arratisje. Në gjyqin që iu bë ushtarëve të tregonin kush nga shokët tuaj ishte në dijeni për arratisjen, dajë Selmani ishte në dijeni për planin e arratisjes, por ai nuk mund të tregonte shokët e tij, megjithatë ai arrestohet për moskallxim arrestohet dhe burgoset në burgun e kalasë së Gjirokastrës.

Gjyshe Zaho, bashkë me hallën dhe mamanë time, Jetën, shkojnë për ta vizituar në burg dhe një nga policët e burgut u thotë që djali juaj do ta paguajë shtrenjtë, do prisni se së shpejti do të bëhet gjyqi.

Bëhet gjyqi, shokët të cilët u kapën në det u dënuan me burg, ndërsa dajës që u arrestua në kapanon duke fjetur gjumë iu dha dënimi me pushkatim, si i biri i kriminelit të luftës dhe si armik i popullit. Pasi vendimi shkoi në Gjykatën e Apelit dënimi me pushkatim u hoq dhe u dënua me 25 vite burg. Pasi morën lajmin gjyshja u lumtura duke i quajtur asgjë 25 vitet, thërriste pa mend: “Djali im ka kokën”, ndërsa ime ëmë e merr lajmin pasi kthehet në shtëpi nga turni i dytë. Kishte mbërritur një telegram nga Berati ku gjyshja shkruante ”Selmani sot 25 vjeç”, im atë i drejton telegramin sime ëmë me lot në sy për dënimin e gjatë, por ajo ishte e lumturuar dhe nuk dinte ç’të bënte nga gëzimi, dënimi me 25 vite burg nuk ishte asgjë para pushkatimit. Dënimi iu ul nga puna në burg nga 25 në 13 vite. Del nga burgu, kthehet në shtëpi dhe gjen një nënë të rraskapitur e një vëlla të paralizuar, kujtimet e atij takimi janë të pa përshkrueshme me fjalë, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në memorien time, ishte një moment rrënqethës. Zoti deshte që dy vëllezër të takoheshin, dajë Feriti ndërroi jetë pas pak kohësh në moshën 36- vjeçare, nëna e vetme, heroinë i mbylli sytë dhe e përgatiti vetë të birin për në shtratin e vdekjes. Ajo skenë më është ngulitur në mendje dhe nuk do më fshihet kurrë, vërtet aty kuptova kush ishte gjyshja ime, një grua me dinjitet, heroinë, e cila gezonte respekt dhe dhimbsuri nga të gjithë. Pas kësaj vdekje arriti të merrte  një gëzim duke martuar djalin e vogël, Selmanin, i cili lind 3 fëmijë që ajo i donte aq shumë.Pas burgut ai punoi punëtor krahu, shpesh punën e sillte dhe në shtëpi, ate e ndihmonin dhe fëmijët e tij që i pati aq të mbarë.

Në vitin 1990 pasi ra sistemi komunist dajë Selmani filloi të kërkonte eshtrat e babait. Zoti Arif Vrapi nga Kuçova mendoi se tani ishte momenti t’i tregonte familjarëve të të pushkatuareve ç’kishte parë, ai dinte shume mirë ditën dhe vendin e pushkatimit. Në hyrje të Beratit në krahun e majtë, afër një kazerme ushtarake gjetën dy kufoma të lidhura dorë më dorë me zinxhirë, ata ishin Asqeri Numani, gjyshi im, dhe Jakup Shalci, ndërsa disa metra më poshte u gjetën të lidhura eshtrat e Umer Buzit dhe Haxhi Mirakës.

Ceremonia e rivarrimit për të 4 të pushkatuarit u bë në Berat në varrezat e lagjes Kushtrim (Vakef), në këtë ceremoni ishin të gjithë familjarët e afërt, gjithashtu të gjithë bashke u mblodhën në një drekë në shtëpinë  e dajë Selmanit. për të gjithë familjarët rivarrimi i eshtrave të të dashurve në varre ku mund t’i vizitonin ishte një farë lehtësimi shpirtëror.

Dajë Selmani nuk e la me kaq. Ai filloi të merrej me kërkimin e eshtrave të Abdullait, takoi njerëz që ishin deshmitarë okularë. Tezja ime Donika takoi dikë, i cili tha se ishte në skuadrën e pushkatimit të Abdullait, tregonte që i kish mbetur në mendje ai djalë aq i ri dhe i bukur, i rraskapitur nga torturat (pasi e kishin lënë të kalonte dhe krizat e apendisitit), këmbët e fryra i vareshin nga karroca që po e trasportonin për në vendin e pushktatimit. Ushtarët pasi e qëlluan menduan se plumbi nuk e kapi dhe i kishin shtënë përsëri me breshëri plumbash pa mëshirë. Sipas kësaj dëshmisë vendi i pushkatimit ishte në Tiranë tek Rrapi i Trishit, por eshtrat nuk u gjendën kurrë, pasi aty ishin bërë shumë ndërtime. I mjeri Abdulla sot e kësaj dite është pa varr. Selmani martoi dy fëmijët e tij dhe u bë gjysh i gëzuar, ndërroi jetë para 15 vitesh nga një sëmundje e rëndë. Djali i tij Ervini u trashëgua me 3 vajza dhe një djalë, i cili do të trashëgojë mbiemrin e familjes Numani! Këto janë kujtimet e mia si fëmijë për familjen dhe kalvarin e vuajtjeve dhe peripecive që kaloi familja e nënës time./kujto.al

————–

LEXO EDHE:

Flet gruaja që përjetoi tmerret e qelive të komunizmit: Në hetuesi më ndalën…

ObserverKult