Historia e dramës “Qeni i kopshtarit”, e luajtur në Teatrin Kombëtar më 1963

Në qytetin e Napolit, që ndodhet nën sundimin spanjoll, jeton Diana, kontesha e Beforit, e cila njihet jo vetëm për bukurinë, por edhe për urrejtjen ndaj burrave. Rivalizojnë për të markezi Rikard dhe konti Frederik, por asnjëri prej tyre nuk është i zoti ta bëjë për vete zemrën e konteshës kryelartë.

Në të vërtetë, “urrejtja” ndaj burrave e Dianës, nuk është aq serioze, meqë ajo dashuron fshehur sekretarin e saj, Teodorin, i cili, duke mos marrë guximin ta shohë veten as në ëndërr, me konteshën, bën dashuri me shërbëtoren Marçela.

Dianës i lind xhelozia kur e merr vesh këtë gjë, dhe vihet para dilemës: të martohet me Teodorin nuk ia lejon rangu, të mos martohet me të, s’është e zonja, sepse e dashuron marrëzisht dhe nuk mund ta shohë se si ia merr një femër tjetër. Atëherë? “Më mirë asnjëra, as unë, as Marçela!”, mendon ajo.

Ky është subjekti i komedisë “Qeni i kopshtarit”, shkruar nga komediani dhe dramaturgu i njohur spanjoll Lope de Vega. E konsideruar si një nga kryeveprat e komediografisë klasike botërore, regjisorja Zina Andri, ishte njohur për herë të parë me këtë vepër, gjatë studimeve në Institutin Teatral “Lunaçarski”, dhe kur nisi punë në Teatrin Popullor të atyre viteve, mendoi ta ngjiste në skenë.

Regjisorja që kishte lënë Ukrainën, vendin e saj të lindjes për të ardhur në Shqipëri, prej dashurisë, e ndjeu më afër vetes trajtimin e kësaj teme, ku një grua ndihet e tunduar nga dashuria dhe ndjen deri në dhimbje frikën e humbjes së saj.

Një komedi ku përplasen situata dhe dalin në pah realitete që prej më shumë se katër shekujsh nga koha kur është shkruar vijojnë të jenë aktuale, ishte një zgjedhje e menduar me kujdes për teatrin e atyre viteve. “Qysh nga vënia në skenë e veprës së Goldonit, ‘Shërbëtori i dy zotërinjve’, mjetet e saj artistike janë pasuruar mjaft.

Ajo e ka konceptuar spektaklin si një tërësi organike. Domethënia ideo-artistike dhe stili i aktorit përputhen me afrimin që ajo i ka bërë në kohë veprës duke i drejtuar aktorët në një aktrim më të përditshëm nga sa mund ta përligjë, në dukje periudha e zhvillimit të ngjarjes”, shkruan në shtypin e kohës për këtë komedi regjisori Mihal Luharasi. Ishte viti 1963, kur kjo shfaqje u vu në skenë, dhe nuk ishin mbushur ende dy dekada nga krijimi i teatrit (17 maj 1945).

Dy personazhet kryesore të komedisë Diana dhe Teodori luhen nga Besa Zhei dhe Naim Frashëri, aktorë të njohur të dramave të forta. Ja çfarë shkruan Luarasi në shkrimin e tij “Diana e Besa Zheit e dominon skenën me prezencën e saj: është e shkathët dhe tërheqëse, ajo e ka ndërtuar figurën duke theksuar më tepër anën egocentrike të Dianës, me një ritëm që fillon qysh në skenën e parë në gradën më të lartë të vlimit, por shpresat tona për të qeshur me situatat e saj, avullohen shpejt, sepse shqetësimi i përhershëm i konteshës, i justifikuar nga rrethanat, e çon aktoren në një nervozizëm të rënë, i cili ndofta vjen nga një keqkuptim.

Ndryshimi i shpeshtë i gjendjes shpirtërore të Dianës (sjellja ndaj Teodorit) nuk rrjedh nga xhelozia dhe karakteri i saj kapriçioz, por këto të fundit janë pasqyrim i pengesave të panumërta që vështirësojnë realizimin e dashurisë së saj: pengesa brenda vetes, për të mundur fudullëkun klasor dhe jashtë saj, konvencionet shoqërore. Sepse siç e shohim në aktin e tretë, kur pengesat kapërcehen, Diana nuk është më as kapriçioze e as xheloze”. Roli i Dianës është interpretuar më parë nga aktorja Drita Pelingu, e cila sipas Luarasit kishte dhënë një Dianë më të plotë.

Ndërsa aktori Naim Frashëri, i cili në atë kohë ka qenë rreth 40 vjeç vlerësohet në shtypin e kohës. “Me qenin e kopshtarit”, aktori Naim Frashëri, provoi se i ka të gjitha të dhënat për të debutuar në komedi, ndofta njësoj si në dramë dhe nuk i mbetet gjë tjetër veç të zgjidhë një problem aktoresk, jo shumë të ndërlikuar: shkathtësinë e të folurit ose fjalën “në majë të gjuhës”, siç thonë komikët.

Lëvizjes së tij plastike shumë elegante, mimikës shprehëse humoristike dhe ëmbëlsisë dashurore, u qëndron pranë si njollë e pahijshme fjala e thënë ashpër, jo me lehtësinë e gjinisë. Ka skena kur ai është i plotë si Teodor. Mund të përmendim tablonë kur gënjen për së treti Marçelën dhe përpiqet që ajo ta pranojë përsëri. Teodorit, Naim këtu i shkasin lajkat lirshëm: plastika dhe të folurit janë në harmoni”.

Dy nga figurat më të goditura artistikisht në këtë komedi, veçohen çifti i shërbëtorëve, Tristani i Lazër Filipit dhe Marçela e Margarita Xhepës. “Lazër Filipi, si të thuash, luan tri role në këtë shfaqje: Trosanin, ‘Tregtarin grek’ dhe ‘Vrasësin’. Me një lehtësi dhe mençuri të atillë i zgjidh problemet dhe kombinon dredhitë e veta Tristani-Lazër, sa që është e vështirë të mendohet një shërbëtor më i përsosur për Teodorin.

Pa dashur aspak të bëhet i mërzitshëm me praninë e tij, ai ndodhet kudo për të ndihmuar dashnorët e zhduket si kamfori kur e do nevoja, duke lënë veshët e tij të mprehtë në vendin e ngjarjes, për të mos humbur asgjë nga ato që fliten. Humori, shkathtësi dhe elegancë janë tri vetitë kryesore të Filipit në këtë spektakël”, shkruan Luarasi.

Aktorë të tjerë që interpretuan në këtë komedi janë Avni Resuli, Esma Agolli, Drita Agolli, Luan Qerimi, Mihal Stefa, Tef Pali, Ilia Shyti, Xhevat Serezi, Neki Shkaba. Dekori i skenografit atëherë të ri, Tonin Shiroka, është pritur mirë nga kritika. Historia e dashurisë së fshehtë të Dianës, këtij personazhi kaq kontrovers të dramaturgjisë spanjolle është ngjitur në skenë në vitin 1963, si për të treguar se fillimet e teatrit kanë qenë cilësorë, pavarësisht kohës…Këto janë vetëm disa rreshta të marra nga arkivat e kohës, për një shfaqje e cila është mbajtur mend gjatë nga spektatori i atyre viteve…./Gazeta-Shqip/