‘Albanian Shop’ (Dyqani Shqiptar)
Nga Daut Dauti
Dikur në Londër, në një pjesë prominente të këtij qyteti, gjegjësisht në ‘Covent Garden’, ka ekzistuar ‘Albanian Shop’ (Dyqani Shqiptar). Dyqani është hapur gjatë viteve të 70-ta dhe është mbyllur në vitin 1991. Në këtë dyqan keni mund të bleni libra (kryesisht veprat e Enver Hoxhës) dhe materiale tjera propagandistike komuniste; postera, fotografi, pllaka të gramofonit, kaseta të kasetofonit, punime artizanale, suvenire të ndryshme dhe buste, kryesisht atë të Enver Hoxhës që shihet në vitrinën e këtij dyqani në këtë fotografi.
Këtë dyqan e kanë mbajtur një grup i komunistëve britanikë, të cilët e kanë përkrahur regjimin komunist të Enver Hoxhës. Pra, në shumë aspekte, ky dyqan ka qenë pikë e propagandës komuniste të Shqipërisë mu në mes të Londrës.
Në vitin 1991, kur ra komunizmi në Shqipëri, dyqani u mbyll pasi që Tirana më nuk kishte mundësi të vazhdonte furnizimin me mallëra dhe para. Është vështirë të dihet niveli i qarkullimit apo shitjes që ka bërë ky dyqan, por gjithsesi ka qenë atraktiv për sytë e atyre që e kanë parë, pasi që Shqipëria atëherë ka qenë vend ekzotik.
Megjithatë, ky dyqan ka hyrë në histori. John Peel, i cili ka qenë radio prezentues, promovues i grupeve muzikore, dhe gazetar legjendar, e ka vizituar këtë dyqan.
Në vitin 1990, John Peel, në emisionin e tij të popullarizuar në Radio BBC1, ka folur për këtë dyqan dhe ka emituar muzikë folklorike shqipe nga CD që i ka blerë aty.
Në linkun e postuar më poshtë, mund ta dëgjoni komentin e tij dhe muzikën shqipe, e cila është një këngë nga Festivali i Gjirokastrës të vitit 1988. Natyrisht, kënga është për Enver Hoxhën dhe Partinë e Punës.
Ky ka qenë dallimi mes sistemit kapitalist të Britanisë së Madhe dhe komunizmit të Shqipërisë. Në Londër ka ekzistuar Dyqani Shqiptar (propagandistik) dhe në BBC keni mund të dëgjoni edhe këngë për Enver Hoxhën. Kurse në Shqipëri nuk ka patur gjasa që e njejta gjë të aplikohet për Britaninë. Nejse, anglezët as që kanë këngë për politikanët dhe heronjtë e tyre.
ObserverKult
Lexo edhe:
PSE TIRANA I “SHET” SI PËRKTHIME TË PARA, LIBRAT QË PRISHTINA I KA PËRKTHYER…