Historia e filmit “Rrugë të bardha”, ato që nuk dihen dhe njerëzit që realizuan një prej filmave më të mirë shqiptarë

Nga Neritane Kraja

“Rrugë të bardha” është një film shqiptar i prodhuar në vitin 1974. Regjia është e regjisorit Viktor Gjika, ndërsa skenari nga Vath Koreshi.

Një film që është shfaqur me dhjetëra e dhjetëra herë para viteve ’90, e ku tema e filmit kombinohej me një lojë të mrekullueshme të aktorëve.

Kjo duke krijuar kultin e njeriut që jep jetën në krye të detyrës, kultin e heroit të punës që sakrifikon gjithçka për t’i shërbyer njerëzve deri në fund.

Në qendër të filmit është fillrojtësi Dedë, një djalë i ri i mbushur me entuziazmin e moshës dhe dashuri për punën. Ai endet përgjatë linjës telefonike duke kërkuar shkëputjen.

Njerëzit që jetojnë në një zonë të thella malore presin me padurim të rregullohet linja e t’i urojnë njëri-tjetrit Vitin e Ri.

Ndërkohë që Deda vdes i ngrirë në majë të shtyllës duke luftuar me të ftohtin dhe motin e keq.

Historia e realizimit të filmit lidhet me një skenar të harruar diku prej dy vitesh në sirtarët e Kinostudios. Ndonëse kishte fituar çmimin e parë si skenar, askush nuk e kishte marrë për ta bërë film.

Por megjithatë, ky skenar i harruar, shkruar nga Vath Koreshi, u mor nga regjisori Viktor Gjika. Ai u mbyll tre ditë në shtëpinë e tij duke studiuar skenarin dhe tha “Po”.

Kështu ai dha miratimin për një nga filmat që do të hynte në historinë e kinemasë shqiptare. Ai u bë pjesë e kujtesës dhe adhurimit të publikut për filmin shqiptar dhe kinemanë.

Skenari i shkruar nga Vath Koreshi, fillimisht ishte bazuar mbi një tregim të botuar në gazetën “Zëri i rinisë” së asaj kohe.

Edhe skenari i filmit ishte një skenar tërësisht i veçantë. Nuk kishte asnjë përplasje skenike dramaturgjike, pasi personazhi kryesor Deda ishte një njeri që ecte nëpër borë. Lidhte ca tela të këputur dhe kaq.

Mirëpo në këtë thjeshtësinë e tij në këtë skenar kishte shumë nënshtresa të cilat regjisori, me një mençuri të jashtëzakonshme, i zbërtheu të gjitha një e nga një.

Meritë e regjisorit Viktor Gjika ishte zgjedhja e njerëzve që do të merrnin pjesë në film. Që me leximin e parë të skenarit, ai kishte zgjedhur për interpretimin e rolit të Dedës, aktorin Rikard Ljarja.

Aktorët e tjerë ishin Robert Ndrenika, Minella Borova, Ilia Shtyti, Agim Qirjaqi, Lec Bushati. Ekipit i është bashkangjitur edhe Elida Cangoji, që ishte një studente e vitit të dytë të mjekësisë, e që luante me një lirshmëri për t’u admiruar.

Këta janë njerëzit që duken në film, por edhe ato që nuk duken, kanë një rëndësi të jashtëzakonshme dhe për këtë Viktor Gjika është kujdesur personalisht.

Ishte dashuria e këtyre njerëzve që ishin pas kameras, që nuk duken. Ndonjerit nuk i del as emri, që ndihmuan aq shumë filmin, që të bëhej ashtu siç publiku e sheh.

Sigurisht këtij ekipi të pas kuintave i bashkohet Vath Koreshi, pasi ishte skenaristi i filmit, ose e thënë me fjalë të tjera: “ishte mielli me të cilin gatuhej buka”. Ky ishte një skenar shumë i thjeshtë në dukje, por i jashtëzakonshëm në forcën dhe karakteret që solli.

Pjesë e këtij ekipi të padukshëm, ishte kompozitori Limoz Dizdari, i cili krijoi një kolonë zanore mjeshtërore dhe emotive.

Njëkohësisht, drejtor fotografie Lionel Konomi, mjeshtër i fotografisë, piktor kostumograf Alush Shima dhe padiskutim në krye qëndronte regjisori Viktor Gjika.

Viktor Gjika ishte ai që arriti të bënte atë që konsiderohet si “film-autor”. Kjo sigurisht brenda kornizës së producentit që ishte “Kinostudioja Shqipëria e re”.

Për të krijuar atë stuhinë e tmerrshme të erës dhe borës që shfaqet në film nga fillimi deri në fund, ekipi kishte marrë hua nga Kombinati i Autotraktorëve të asaj kohe një ventilator të fuqishëm gjigand.

Nga ky ventilator punonjësit e prapavijës, me një lopatë hidhnin borë në mënyrë të pandërprerë. Dhe kjo borë fshikullonte fytyrën e Dedës.

Një tjetër njeri që ka kontribut për filmin dhe që i përket njerëzve të padukshëm të filmit është Jorgji Nano.

Ai ishte një inxhinier i Telekomit që kishte instaluar të gjitha linjat ajrore telefonike të Shqipërisë.

Ky ishte njeriu që i mësoi aktorit Rikard Ljarja sjelljet dhe veprimet e një elektriçisti, që nga kamalecët e si të lidhte telat.

Xhirimet e filmit kanë zgjatur për rreth dy muaj, në kushte të vështira. Temperaturat ishin 10-15 gradë nën zero, në Kërrabë në Fushë Arrësit.

Duke i ditur të gjitha këto vështirësi grupi i filmit kishte marrë çdo gjë u duhej me vete.

Kjo pasi që jeta e tyre u zhvendos brenda atyre kapanoneve me dërrasë që shfaqen në film e që në fakt ishin kapanonët e druvarëve të zonës.

Ngjan disi i çuditshëm fakti se me grupin e xhirimet ishte edhe një makinë e mbyllur.

Brenda kësaj dhome kishte një sobë që i shërbente aktorit kryesor të ndërronte rrobat e të merrte një të ngrohtë. Soba nuk fikej kurrë. Orët e xhirimeve ishin të gjata e të vështira.

Madje për skenat e fundit të filmit, aktorit i është dashur të qëndrojë nga ora 7 e mëngjesit deri sa ishte errësuar mbi shtyllë.

Duke ia përshtatur skenarit dhe kohës së brendshme të filmit mes dublash të njëpasnjëshme e të lodhshme, dhe duke pasur parasysh të ftohtin ekstrem. Po ashtu borën që binte në mënyrë krejt të natyrshme.

Në episodet e filmit, nuk ka asnjë truk, madje edhe akulli mbi qerpikë apo në flokë, është i vërtetë. Janë skena të xhiruara krejtësisht në një natyrë e mot të egër.

Realisht historia e këtij filmi, mbështetej në një histori të vërtetë. Filmi i kushtohej aktit heroik të fillrojtësit Pjetër Llesh Doda nga Domgjoni i Fanit.

Ai mbeti në dëborë në moshën 45-vjeçare në përpjekje për të eliminuar defektet e shumta në linjat telefonike. Pikërisht nga kjo histori heroike dhe jetësore u bë filmi në fjalë.

Por mes filmit dhe ngjarjes reale, sigurisht që ka shmangie. Personazhi kryesor, Deda, që në film luhet nga aktori Rikard Ljarja, është i pamartuar dhe kishte një miqësi pak të veçantë me Zanën.

Ajo ishte njëra nga centralistet e qytetit të vogël verior, kur në të vërtetë Pjetri ishte i martuar, kishte fëmijë dhe i kishte lënë në pritje të kthimit.

Mëngjesin 31 dhjetorit 1966, djali i tij i madh e përcolli deri në fund të rrugës, për në punë.

Dedën sipas filmit e gjejnë majë shtylle ditën pasuese, kur në të vërtetë ai është në tokë, e jo majë shtylle.

Gjetjet e trupit ishin penguar nga bora që atë dimër kalonte 2 metër lartësi. Njerëzit që kërkonin nuk kishin pasur fat të gjenin trupin e fillrojtësit.

Ai ishte gjetur vetëm pas pesë javësh, në Kolsh të Kukësit, në fillim të shkurtit 1967, nga një bari dhe falë shkrirjes së borës. Ai u gjet i ruajtur nga bora, nën njërën nga shtyllat.

Grupe të shumta kërkuesish i kishin kaluar sipër pa e vënë re. Pas këtij akti heroik, familja e heroit fillrojtës u ndihmua nga shteti.

Fëmijët u shkolluan, ndërsa bashkëshortja e tij Liza, u punësua si centraliste.

Ajo u punësua në një vend pune që kishte lidhje me të shoqin e vdekur, një punë të cilën ajo e bëri deri në vitin 1994.

Kur u realizua filmi, familja nuk kishte ndonjë informacion paraprak se po bëhej një film i tillë.

Megjithatë Liza e pa e para filmin, para se të shfaqej për një publik të gjerë, pasi filmi u shfaq vetëm për të.

E më pas filmi u shfaq edhe për të gjithë publikun, duke shënuar rekord audience e lotësh.

Filmi “Rrugë të bardha”, shënon të parin film artistik me ngjyra.


Lexo edhe:

GRUAJA E NDRIÇIM XHEPËS RRËFEN SI U DASHURUA ME AKTORIN E NJOHUR: “E ADMIROJA QË NË GJIMNAZ, LASHË ITALINË PËR TË…”

Elegante, sportive, me flokët e kapura pas dhe pothuajse fare pa truk. Është në kafenenë pranë punës dhe i duhet rreth e rrotull të përshëndesë shumë njerëz. Por kjo s’përbën ndonjë problem.

Të paktën asnjëri syresh nuk është ai kureshtari që i ngul sytë me ngulm, me idenë për ta fiksuar në kujtesë duke thënë me vete: Ah, kjo qenka gruaja e Ndriçim Xhepës?!

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult