Historia e fotografisë së Ilir Kadisë, shkrepur nga Qerim Vrioni

Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto” (2021), ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë gazetarit, Ilir Kadia.

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Gazetari i BBC-së në Tiranë, Ilir Kadia

Nga Qerim Vrioni                                   

Po i hidhja shikimin e fundit gazetës, i ulur në një nga tryezat e barit, pak pasi kalon tunelin e Ujit të Ftohtë të Vlorës. Sapo e mbylla, dikush, i panjohur ma kërkoi me mirësjellje gazetën. Pa vonesë ia dhashë gazetën të cilën e priti me 2-3 batuta me humor të hollë për politikën e ditës. Të nesërmen e gjeta po në të njëjtin tryezë. U përshëndetëm me mirësjellje, ndërsa pas ditës së tretë nisëm ta pinim bashkë kafen e mëngjesit. Mandej shkëmbyem emrat, ai quhej Ilir Kadia (Tiranë, 1957) dhe ishte gazetar.

Iliri është marrë me gazetari qysh në rini, sidomos me tregime të shkurtra, por pa botuar gjësend si libër. Nga mesi i viteve ’90 filloi punë si korrespondent nga Tirana i Radios së njohur britanike BBC në gjuhën shqipe. Kjo periudhë përfshiu edhe ngjarjet e vitit 1997 në vend, si dhe Luftën për Çlirimin e Kosovës.

Pas vitit 2000 ai doli para publikut letrar me disa përmbledhje tregimesh si: ”Flokë të lagur” (2005), ”Kontratë për kadavër” (2005), ”Nata e tradhtisë së parë“ (2006), “Dyzet sy të majtë“ (2007) dhe “Damarët e ujit” (2007) me tema të mprehta shoqërore dhe lirike.

Gjatë kafeve me Ilirin fjala shkoi edhe te studimet e mia për fotografinë, çka i ngjalli interes. Kështu menjëherë më kërkoi t’i jepja, kur të ktheheshim në Tiranë, një intervistë të drejtëpërdrejtë në studion e BBC. Ashtu edhe bëmë, por përpara saj e fotografova. E kuadrova duke folur në mikrofon, por dhe të futur brenda objektivit të aparatit tim edhe sfondin, ku vertikalisht ishin shkronjet BBC (British Broadcasting Corporation), një media historikisht me kontribut të shquara politke, morale dhe informative gjatë L2B.

Iliri ishte shumë i përqendruar, sepse çfarë fliste ai, shpërndahej në çast në pesë kontinentet. Pas disa vitesh (2011), për arsye të ndryshme, BBC-së në shqip u mbyll, por një dokument i ngurtë i emisioneve në shqip mbetet edhe kjo foto e korespondentit të saj në Tiranë, Ilir Kadia, të cilin e fotografova ndërsa fliste para mikrofonit më të dëgjueshëm radiofonik të të gjithë botës.

Ishte qershori i vitit 2009.

ObserverKult


Lexo edhe:

QERIM VRIONI: KONTRIBUT SA NJË INSTITUCION- LUAN RAMA