Historia e fotografisë së Pano Taçit, shkrepur nga Qerim Vrioni

pano taçi
Pano Taçi, Foto nga: Qerim Vrioni, 2003

Nga libri-album i sudiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto”, ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë poetit Pano Taçi. 

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Me poetin Pano Taçi (1928-2012) më njohu gjatë një përurimi libri, miku ynë i përbashkët, shkrimtari dhe redaktori, Pandeli Koçi. Emrin e Panos, bashkë me poezitë e tij i kisha hasur në shtypin letrar, vetëm pas viteve ’90, por dhe në biseda me poetë dhe shkrimtarë, ku lëvdohej për artin e tij.

Nga Qerim Vrioni

Megjithëse gjatë L2B, ai ishte rreshtuar si partizan me Brigadën 23 S, për shumë kohë duke filluar qysh prej vitit 1947, ai provoi burgun (tentativë arratisjeje, agjitacion-propagandë etj.), internimin, persekutimin politik dhe sidomos atë psikologjik, të shoqëruara me vetminë, që e trishtonte shumë. Gjithsesi, këto nuk arritën ta shtypnin natyrën e tij prej poeti. Po ashtu, ky kalvar vuajtjesh, me familje pa familje, me banesë e pa banesë, nuk ia thau shpirtin. Ai ishte i shoqërueshëm dhe mjaft i mirëpritur në shumë mjedise letrarësh, ku përcillte kulturë, por edhe humor. Madje një bar i njohur në Tiranë (Kafe “Europa”) nuk e lejonte fare të paguante kafenë e përditshme. Miqtë e tij të shumtë i kishin ngjitur nofka të ndryshme miqësore, si, psh, Hokatar dhe tragjik njëherësh, Pani Plak, Plak ashik, Rebeli i përjetshëm, Këngëtari i vetmuar i dashurisë etj.

Në vitin 1963, u gatit për botim përmbledhja e parë poetike e Panos me titull “Ura e ylberit”, por për mospërputhje me vijën e kuqe ideologjike të kohës, u kthye në karton e pak më vonë shërbeu si corpus delicti për dënimin e tij të vitit 1964, sërish me akuzë politike. Vetëm pas rrëzimit të diktaturës, ai doli para lexuesve me rreth 13 vëllime poetike si: “Poezi të zgjedhura”, “Blerim i thinjur”, “Hukama e Venusit”, “Dhe vdekja do paguar”, “Sa pak qiell”, “Lakuriq” etj. Pano Taçi lëvroi edhe dramën, fabulën dhe përrallën. Gjithsesi, ai mbetet një nga poetët më të shquar në lëvrimin e poezisë kushtuar bukurisë së femrës, sidomos në rrafshin erotik. Një nga poezitë me rezonim të theksuar bashkëkohor është ajo me titull “Populli im vulëhumbur.”

Në foto: Pano Taçi dhe Qerim Vrioni

Atë mbrëmje shkurti të vitit 2003, po pinim kafe bashkë me të tjerë te bar “LUX”, poshtë BK, po edhe duke dëgjuar Panon që lexonte disa poezi erotike të një libri të sapobotuar, brenda të cilave gëlonte edhe humori. Natyrisht, leximi shkaktonte edhe të qeshura të shumta, por poeti i mbante të tijat të fshehura nën buzë, atij i qeshte shpirti kur kënaqte të tjerët.

Në një nga ato çaste e fotografova.

*Teksti është shkëputur nga libri “Miq në 50 foto” i Qerim Vrionit

Miqtë tjerë në librin- album të studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni janë : Ramadan Sokoli, Lazër Filipi, Kasem Trebeshina, Piro Mosi, Gjergj Vlashi, Piro Naçe, , Abaz Hoxha, Fatos Arapi, Omer Kaleshi, Parashqevi Sahatçi, Petraq Kolevica, Maks Velo, Thoma Thomai, Viktor Gjika, Shtjefën Ivezaj, Robert Radoja, Uran Kostreci, Emil Lafe, Sadri Ahmeti, Skënder Kamberi, Bajram Sefaj, Jorgo Papingji, Pandeli Koçi, Ali Podrimja, Hilmi Bani, Dionis Qirxidhi, Aleko Babe, Sadik Bejko, Lumturi Blloshmi, Timo Flloko, Bujar Kapexhiu, Ylli Polovina, Angjelina Xharo, Françesk Radi, Afërdita Onuzi, Qazim Shemaj, Selim Ishmaku, Afrim Spahiu, Luan Rama, Anastas Kostandini, Petrit Ruka, Suzana Varvarica Kuka, Bujar Asqeriu, Gëzim Qendro, Abaz Hado, Çerçiz Loloçi, Ilir Kadia, Gjergj Leka dhe Shpend Bengu.

ObserverKult

Lexo edhe:

PORTRETET E FAHREDIN SPAHISË – RISI NË FOTOGRAFINË SHQIPTARE