Historia e fotografisë së Shpend Bengut, shkrepur nga Qerim Vrioni

Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto” (2021), ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë artistit, Shpend Bengu.

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Nga Qerim Vrioni

Shpend  Bengu-artisti i njohur multimedias

Me Shpend Bengun (Tiranë, 1962) më ka njohur miku im i vjetër, Zyhri Bajrami. “Do të të njoh me një piktor të veçantë, – më tha, Shpend Bengun”. Pas pak Shpendi erdhi dhe shpejt filluam të flisnim si miq të vjetër. Një vit më parë ishte botuar libri im “Fotografia një grusht diell” e biseda kaloi natyrshëm edhe për librin.

Shpendi ka mbaruar Institutin e Arteve të Tiranës për piktor-grafist dhe punuar disa vite pranë Universitetit të Kalabrisë (Itali) si ekspert dizajni, grafike, pikture dhe multimedia. Ai është fitues i disa çmimeve, ndër ta edhe i Çmimit për Pikturë në Bienalen e Artit Kontemporan në Klagenfurt (Austri) në vitin 2006. Ka hapur ekspozita në disa vende, si në Itali, Greqi, Portugali, Francë, Finlandë, Gjermani etj. Mban gradën “Doktor i Shkencave”.

Përveç krijimtarisë, Dr.Shpendi ka kryer me sukses për disa vjet edhe detyrën e Drejtorit të Trashëgimisë jokulturore në Ministrinë e Kulturës. Sot është pedagog i departamentit të dizajnit në Universitetin Mesdhetar të Tiranës. Bengu ka realizuar muralet e kishës katolike në “Rrugën e Kavajës” në vitin 2000 me rastin e “20 shekuj krishtërim”, si edhe logon për vizitën e Papa Franceskut në Tiranë. (2014).

Në vitin 2021 emri i Shpend Bengut u përfshi në “Atlante dell’Arte Contemporanea – 1940 – 2021” (rreth 1000 faqe) të shtëpisë botuese të njohur italiane “De Agostini” me artistët pamor më të dalluar nga e gjithë bota. Ai është shqiptari i parë me këtë vlerësim të lartë.

Para rreth 15 vitesh Shpendi, përveç punës krijuese (pikturë, grafikë, instalacion), zhvillonte edhe kurse speciale falas për studentë të arteve pamore, sidomos të multimedias. Në fushën e kësaj të fundit, ai mbahet edhe si një nga nismëtarët dhe kontribuesit kryesor në Shqipëri.

Te studioja e tij shkoja shpesh dhe bisedonim për zhvillimet kulturore në vend, ndërkohë i sugjerova një ndryshim të një pune vetjake të vendosur në të djathtë të tij. Ai dëgjoi me vëmendje, dha mendimin e vet, disi të ndryshëm, mandej u kalua në një temë tjetër. Në një çast ai ktheu rishtas shikimin drejtë punës së diskutuar, në atë çast e fotografova.

Ishte qershor i vitit 2006.

ObserverKult


Lexo edhe:

QERIM VRIONI: KONTRIBUT SA NJË INSTITUCION- LUAN RAMA