Historia e fotografisë së Suzana Varvarica Kukës, shkrepur nga Qerim Vrioni

Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto” (2021), ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë studiueses së arteve pamore, Suzana Varvarica Kuka.

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Studiuesja e arteve pamore, Suzana Varvarica Kuka

Ato ditë Suzana Varvarica Kuka (Tiranë, 1955), shkurtimisht Zana, studiuesja e njohur e arteve pamore ishte në ethet e përfundimit të librit të saj të fundit, për krijimtarinë e piktorit të njohur nga Shkodra, Simon Rrota.

Pas mbarimit të studimeve të larta për skulpturë në Institutin e Arteve (sot Akademia e Arteve), Zana punoi disa vite si piktore filmi në kinostudion “Shqipëria e Re”. Më pas, ajo u shqua për një gamë të gjerë studimesh në fushën e arteve pamore shqiptare. Ndër to rendisim shtatë monografi për artistë të shquar shqiptarë dhe vepra arti, mbi 30 kataloge ekspozitash, disa libra mësimor për artet pamore për shkollat etj. Shkurt e pa të dytë dallohet në fushën studimore të arteve pamore. Ndër veprat më të spikatura të Suzanës, mund të shënohen monografitë në fushën e skulpturës: ”Kristina Koljaka” (2002), ”Kristaq Rama” (2005), “Andrea Mano” (2009) dhe në pikturë; “Vangjush Mio” (2014) dhe “51 piktorë shqiptarë“ (2016). Po ashtu, për disa vite ajo ka kontribuar me punën e saj si studiuese dhe shefe sektori në GKA.

E kishim lënë për kafe, gjatë së cilës do i jepja librin tim të sapobotuar. Erdhi e, ndërsa do merrte librin tim, ajo më solli monografinë e saj mbi jetën dhe veprën e skulptores së njohur Kristina Koljaka Hoshi. Ndërkohë që të dy nisëm të shfletonim librat e njëri-tjetrit, celularët bënin punën e tyre me ringet e tyre rutinë. Në varësi të përmbajtjes së bisedave të saj me anën tjetër të telefonit, ndryshonte edhe shprehja e fytyrës së Zanës.

Duke e vërejtur ndërsa ajo të ishte duke folur, mendova ta fotografoj. Kështu, pa e zgjatur, nisa ta fotografoj disa herë. Ndër to edhe kjo foto ku ajo paraqitet disi e kënaqur nga biseda, që e shpërfaq sidomos shikimi i saj. Me shumë gjasa, ajo kishte shprehur ose kishte marrë ndonjë mirënjohje…

Ishte data 12 nëntor 2018.

ObserverKult


Lexo edhe:

QERIM VRIONI: KONTRIBUT SA NJË INSTITUCION- LUAN RAMA