Historia e kishës që u mbrojt nga myslimanët dhe legjenda e Bukuroshes së Strumit

12 km larg qytetit të Fierit, ndodhet qyteti i Roskovecit, para pak vitesh një qytezë që njihej si një pikë lidhëse apo një stacion, mes Beratit dhe Fierit në kuadrin e rrugës “Egnatia”…tashmë me ndarjen e re territoriale një qytet brenda një bashkie më të madhe. Po të njëjtin rol, atë të “qytetit stacion” Roskoveci e ka gëzuar që në antikitet, kur aty kalonin udhëtarët nga dy pika të rëndësishme Apolonia dhe Berati.

Si një i tillë, ende sot aty ka shenja që dëshmojnë për historinë e hershme, si kishat e kthyera në monument kulture apo të tjera pika të rëndësishme, por pak të njohura. Bashkë me objektet ekzistojnë edhe mitet. I tillë është edhe vajza myzeqare, apo Bukuroshja e Strumit, imazhi i një vajze që studiuesit e krahasojnë për nga rëndësia me Bukuroshen e Durrësit.

Imazhi i vajzës së bukur ka mbërritur deri në kohët moderne përmes një legjendë që daton në gjysmën e dytë të shek XIX. Ajo flet për një vajzë me bukuri përrallore nga fshati Strum, sot brenda bashkisë Roskovec, e cila marros gjithë djemtë e zonës dhe priftin e fshatit dhe gjithçka përfundon në mënyrë tragjike, me vrasjen e saj nga një oficer i ushtrisë turke. Kjo histori është përjetësuar edhe në një këngë, që është paraqitur për herë të parë në vitin 1984 në festivalin folklorik të Gjirokastrës.

Ndërsa në galerinë e arteve në Fier ka edhe një pikturë të Bukuroshes së Strumit, me veshje myzeqare.

Në hyrje të Roskovecit, është vendosur një monument për këtë vajzë. Skulptura e vendosur kohë më parë në këtë vend, nuk ka kaluar pa polemika… për shkak të elementëve nudiste të përdorura në këtë vepër arti, duke e kthyer atë në imazhin pritës për këtë qytet. Kjo shihet edhe në videot e publikuara në rrjetet sociale nga udhëtarë apo banorë të zonës.

Destinacioni ishte kisha e Shën Nikollës, e cila njihet ndryshe si kisha e Kurjanit, një objekt kulti i ndërtuar në shekullin e 12-13 dhe që i ka rezistuar furtunave të kohës.
Për të mbërritur atje, na duhet të udhëtojmë rreth 4 km larg nga qendra e Roskovecit.

Kurjani ndodhet në pjesën juglindore të rrethit të Fierit, aty ku ndahet kufiri me Beratin e Mallakastrën. I përmendur për kultivimin e ullinjve dhe vreshtarisë, ai është i njohur edhe për liqenin artificial të ndërtuar rreth 40 vjet më parë. Në kodrën më të lartë të Kurjanit, aty ku syri të kap gjithë rrafshinën e Myzeqesë, Shpiragun dhe kodrat e Mallakastrës, ndodhet një nga Kishat Bizantine më të vjetra në Shqipëri, kisha e Shën Nikollës.

E vetmuar, e rrethuar nga kurorat e ullinjve, Kisha e Shën Nikollës, me harqet e saj rrethore “dëshmon” për një objekt kulti, ku është shkrirë në një stil të vetëm arkitektura kishtare e Lindjes me Perëndimin. Sipas specialistëve, pozicioni ku është vendosur ky objekt ngjason me një komunikim i heshtur mistik mes saj, dhe manastireve e kishave të tjera të vjetra që ndodhen përreth në Fier, mes tyre edhe manastiri i Ardenicës.

Historiani Ilirjan Gjika rrëfen se sot ky objekt është një monument kulture, ndërsa dikur përmendej si një Kishë bizantine, që dyshohet se është ndërtuar në vendin e një tempulli pagan.
Afresket e pikturuara nga i biri i Onufrit, Nikolla dhe ndihmësi i tij Joani rreth vitit 1578, i kanë rezistuar kohës.

I gjithë fshati Kurjan që prej pushtimit osman është konvertuar në besimin mysliman. Pavarësisht kësaj, ata do të njihen si myslimanët që mbrojtën për shekuj një kishë, një objekt që do të kalonte me sukses përpjekjet për shkatërrim në disa sisteme. Kisha e Kurjanit do t’i mbijetonte edhe fushatës së ndërmarrë nga sistemi kumunist në vitin 1967, për shkatërrimin e objekteve të kultit.

Ai sistem solli rrënimin e të vetmes xhami në këtë fshat. Edhe pse me besim mysliman, banorët u impenjuan maksimalisht në mbrojtjen e kishës së Shën Nikollës që për ata ishte kthyer në një vend të shenjtë. Ajo u shpall monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1973, kur edhe u caktua një person për t’u kujdesur dhe për ta mirëmbajtur. 43 vite më pas, Xhemal Xhemalaj, një ish-mësues rrëfen se pavarësisht ndalimit nga regjimi banorët me besim mysliman, të Kurjanit e frekuentonin këtë kishë.

Riza Gjoka një tjetër banor, rrëfen se ndërsa të gjithë u bënë bashkë për të mbrojtur kishën nga shkatërrimi, nuk mundën të shpëtonin xhaminë. Në vendin ku ajo ka qëne e ndërtuar në mes të fshatit, tashmë nuk ka asnjë gjurmë dhe është zëvendësuar nga banesat.

Për vite me radha kisha e Shën Nikollës është lënë në harresë, pavarësisht rëndësisë që mbart në aspektin e trashëgimisë kulturore. Si pasojë e kohës apo shkatërrimit nga dora e njeriut pas vitit 1990, ekspertët thonë se kisha ka humbur shumë nga format e saj origjinale…mendohet se ajo ka qenë me kupolë.

Sipas Majlinda Bufit, kryebashkiake e Roskovecit, ndërhyrja e fundit për mirëmbajtjen e kishës shënohet në vitin 1970.

Sipas studiuesve, përpara se të kalohet te restaurimi, kërkohet një studim i mirëfilltë për ta rikthyer këtë kishë në trajtat origjinale.

E njohur dhe e pranuar si një objektet më të vjetra të kultit në Shqipëri, kisha e Shën Nikollës synohet të kthehet në një objekt që të tërheqë turistë të huaj, duke u kthyer në një destinacion të preferuar.

Historia e një objekti kulti me gjithë kurbat e nëpërkëmbjes apo lartësimit të tij çon edhe njëherë tjetër në një të vërtetë të madhe: atë të faktit se sa pak vlerësohet trashëgimia kulturore në vendin tonë. Mbrojtja e trashëgimisë kulturore nënkupton ruajtjen e një popullsie dhe identitetit të saj. Një nga konceptet që vazhdimisht theksohet, por shumë pak zbatohet./BalkanWeb


Lexo edhe:

SHËN NIKOLLA: SI LINDI LEGJENDA E BABAGJYSHIT TË KRISHTLINDJEVE