Historia e Njutonit dhe mollës

Historia e mollës së Njutonit është një nga historitë më të njohura dhe më të përhapura në historinë e shkencës. Sipas besimit popullor Njutoni gjendej poshtë hijes së një peme me mollë duke menduar  kur një mollë i bie mbi krye dhe i dha idenë e parë të ligjit të gravitetit. Dorëshkrimi që lidh historinë sesi shkencëtari britanik frymëzoi teoritë e tij duke nisur nga molla e famshme, moment i njohur ndryshe si “eureka” e Njutonit (1643-1727), bën pjesë në një biografi të shkencëtarit të shkruajtur nga miku i tij William Stukeley në 1752. Në janar të2010 ky dorëshkrim doli në dritë për herë të parë nga arkivat e“Royal Society” të Londrës.

Deri më tani ishte mbajtur e fshehtë në fondet shkencore antike londineze deri në 350 vjetorin e tij të lindjes. Me këtë rast u vendos publikimi i dokumentit të famshëm përmes faqes në rrjet. Martin Rees, president i organizatës në momentin e publikimit pohoi se biografia e Stukeley-it është një instrument i vyer për historianët shkencorë dhe siguroi se këtë dokument mund ta shohë kushdo. Sipas Martin Rees, biografi i Njutonit William Stukeley ishte mik i shkencëtarit dhe ishte dëshmitar i refleksioneve të tij rreth teorisë së gravitetit. Të dy shpesh uleshin nën hijen e mollëve që gjendeshin në kopshtin e shtëpisë së tij dhe kalonin orë duke reflektuar dhe debatuar mbi aktualitetin shkencor të momentit. Në një fragment të librit “Jeta e sir Isaac Newton” Stukeley shkroi: “Më tha se ishte në atë gjendje kur nocioni i gravitetit i erdhi në mendje. Ishte diçka e shkaktuar nga rënia e mollës, ndërsa qëndronte i ulur dhe mendueshëm.

Pse kjo mollë gjithmonë bie vertikalisht në tokë?  – pyeti ai me vete.
” Edhe me këtë informacion që sjell ky dokument të shumtë janë ata që dyshojnë vërtetësinë e kësaj historie. Disa mendojnë se historia e mollës ishte një shpikje e vogël e Njutonit për të përmirësuar historinë e tij dhe për të rritur famën e vet, të tjerë besojnë se molla e famshme është një metaforë, meqë ky frut është i lidhur prej kohësh me simbolin e njohjes, atë që kafshoi Eva. Sido që të jetë molla mbolli farën e gravitetit tek Njutoni. Shkencëtari britanik ishte një nga mendimtarët më të rëndësishëm dhe më të respektuar të epokës dhe ka mbërritur deri në ditët tona si një legjendë. Është pikërisht ajo që Alexander Pope shkroi në epitafin e tij: “ Natyra dhe ligjet e saj ishin të fshehura në errësirë. Zoti tha: ‘Le të bëhet Njuton!’ dhe u bë dritë.” / bota.al