Historia e panjohur e aktorit Prokop Mima, si i shkatërroi karrierën dollia për Nexhmije Pagarushën…

Kjo është historia e panjohur e aktorit të madh të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Prokop Mima. Ai ishte një aktor të cilin në periudhën e Monarkisë së Zogut familja e kishte dërguar që të studionte për Farmaci, në Padova të Italisë por, pas tre vitesh studimi, ai u detyrua që të kthehej në atdhe.

Ai u kthye pa e marrë diplomën. Mima ishte dhënë pas filmave, muzikës, dëfrimeve dhe kitarës.

U arrestua nga komunistët në nëntorin e ‘44-ës së bashku me shokun e tij të ngushtë, Sandër Prosi, të akuzuar si pjestarë të Rinisë së Ballit Kombëtar.

Lirimi nga burgu dhe rikthimi në Radio-Tirana ku me dy partnerët e tij, Besim Levonja dhe Behije Çela, vazhduan “Ora gazmore”.

Karriera e gjatë në teatër dhe kinematografi, incidenti në Kosovë që do t’i kushtonte jo pak. Kështu pasi propozoi të ngrinte dolli për Nexhmije Pagarushën u bë nxjerrja në pension në vitin 1976, në kulmin e karrierës së tij. Nga kjo ai u v ra rëndë shpirtërisht dhe u mbyll brenda vetes e shtëpisë së tij. Në këtë kohë ai kujdesej për lulet, deri sa ndërroi jetë në 1986-ën.

Student i farmacisë në Padova – Prokopi lindi në qytetin e Durrësit në vitin 1920. Prokopi i vazhdoi studimet në Tiranë, pranë gjimnazit klasik në vitin 1938. Pas mbarimit të shkollës në verën e atij viti ai u rikthye përsëri në qytetin e Durrësit, ku vazhdonte të banonte familja e babait.

Arsyeja e rikthimit në qytetin e Durrësit, ishte se familja Mima kishte pronë të tyre një farmaci, dhe asnjë prej asaj familjeje nuk kishte diplomën e duhur për të punuar aty. Prokopi u zgjodh prej familjes së babait tij që të shkonte për të studiuar në degën e Farmacisë në Universitetin e Padovas, në Itali. Kjo ndodhi pasi fitoi një të drejtë studimi nga ana e qeverisë së Monarkisë së Zogut ku kryeministër ishte Mehdi bej Frashëri.

Në shtatorin e vitit 1938, i përcjellë nga të afërmit e tij në portin e Durrësit, Prokopi 18-vjeçar u nis për në drejtim të Italisë. Në bankat e auditorëve dhe laboratorëve të atij universiteti, ai qëndroi për tre vite por, pa mundur dot që të kthehej në Shqipëri me diplomën e farmacistit në xhep.

Prokopi i ri dhe me pasionet e moshës u dha i tëri pas filmave, teatrove dhe muzikës me kitaren që e kishte mësuar dhe luante si një profesionist i vërtetë por, kjo bëri t’i linte anash, mësimet e farmacisë.

Asokohe ai lidhi një miqësi të ngushtë me familjen e aktores së njohur Eleni Qirici, nga qyteti i Korçës. Kjo familje jepte shfaqje të ndryshme në qytetet italiane. Ai, nën shoqërinë e tyre kalonte së bashku me ta mbrëmjet nën tingujt magjik të kitarës dhe serenatave korçare. Me një ndjenjë nostalgjie të madhe për vendin e tij që kishte kohë pa e parë. Kështu, aty nga korriku i vitit 1941, Prokopi u kthye për në qytetin e Tiranës, pranë familjes së tij, nga ku ishte larguar prej afro tre vitesh.

Arrestohet nga komunistët – Pas kthimit në Tiranë, Prokopi u muar me disa lloje punësh për t’i ardhur në ndihmë familjes por pa harruar për asnjë çast pasionin e tij kinematografinë dhe teatrin.

Kështu asokohe, me anë të dy – tre shokë të tij që punonin në Radio-Tirana, ai mundi të afrohej aty dhe të punonte për një kohë të gjatë, duke bërë emisione të ndryshme. Që pas kthimit nga Italia, Prokopi u aktivizua me korin e Kishës Orthodokse në Tiranë, kjo e ndihmoi mjaft për të filluar punën në Radio-Tirana.

Aty nga fundi i vitit 1942, Prokopi me Sandër Prosin, shokun e tij të ngushtë, thirren nga rinia nacionaliste e Tiranës (simpatizantët e Mit’hat Frashërit), për të interpretuar në pjesën “Vilhelm Tel”, që ata po përgatisnin ta shfaqnin.

Provat për këtë shfaqje ata i bënin në kinema “Rex” nën kujdesin e Fiqiret Fterës. Thirrja që rinia nacionaliste e Tiranës iu bëri Prokopit e Sandrit, nuk ishte thjeshtë prej talentit të tyre por pasi ata të dy ishin dhe simpatizantë të atij grupimi politik dhe kalonin një pjesë të mirë të kohës në atë rreth shoqëror.

Kjo gjë do të ishte dhe arsyeja kryesore e arrestimit të tij. Lidhur me këtë, vëllai i tij Milto tregonte: ”Ka qenë fundi i tetorit të vitit 1944, ndonëse lufta për çlirimin e Tiranës nuk kishte mbaruar, pjesa lindore e qytetit ishte e lirë.

“Në shtëpinë tonë erdhën disa partizanë dhe kërkuan Prokopin. ‘Kemi pak punë me të sa për një sqarim, dhe përsëri ai do të kthehet në shtëpi’, thanë ata. Por ai nuk u kthye, pasi u dërgua i lidhur dhe u izolua në malin e Dajtit.

Aty në atë kohë kishin izoluar shumë nga ish-politikanët e ushtarakët e lartë që kishin shërbyer në qeveritë e mbretit Zog dhe atë të periudhës së pushtimit të vendit. Pak ditë pas mbarimit të Luf tës, të gjithë ata i zbritën në Tiranë dhe i dërguan te “Burgu i vjetër” (sot Mine Peza).

Prokopi ishte nga të fundit që shkoi në atë burg ato ditë atë e liruan pasi nuk kishin gjetur dot prova kompromentuese për të”.

Sipas Miltos, arsyeja e vërtetë e arrestimit të Prokopit nuk ishte vetëm dyshimi që ata kishin për të si pjesëmarrës në rininë nacionaliste të Ballit Kombëtar. Por dhe fakti tjetër se një i afërmi i tyre, (Jovan Mima), kishte marrë pjesë në radhët e rinisë Ballit dhe ishin vrarë në përpjekjet me forcat partizane.

Në Radio-Tirana e Teatrin Popullor pas mbarimit të Luftës, me kërkesën e shokëve të tij që punonin në Radio-Tirana, Prokopi u thirr që të punonte përsëri në atë vend ku kishte punuar dhe gjatë Luftës. Një ndihmë të madhe për këtë gjë, i dha atij Pjetër Gjergji me origjinë nga Shkodra.

Ky emision vazhdoi për afro tre vite. Emisioni ishte shumë i mirëpritur nga dëgjuesit e asaj kohe. Në vitet e para të pasluftës, Prokopi bënte pjesë në Korin e Shtetit (së bashku me vëllanë, Milton dhe motrën Pavlinën) dhe bëri disa turne në vëndet e Evropës Lindore.

Incidenti në Kosovë – Aty nga fillimi i viteve 1970, gjatë një turneu në që Teatri Popullor bëri në Kosovë. Mori pjesë dhe Prokopi me një nga rolet e tija të arrira, atë të Dom Markut, te “Cuca e Maleve e Loni Papës.

Gjatë darkës që artistët kosovarë shtruan për nder të vëllezërve të tyre nga atdheu amë, Prokopi u ngrit dhe propozoi që të ngrihej një dolli për këngëtaren e famshëme Nexhmije Pagarusha.

Pas fjalëve të Prokop Mima për dollinë e Pagarushës, shoqëruesit e delegacionit shqiptar u nxinë dhe i bënë me shenja e shkelje këmbe nën tavolinë, që ai të mos fliste. Kjo gjë desh i kushtoi shumë, pasi akoma pa mbaruar mirë ajo darkë, shoqëruesit e delegacionit me marifet e tërhoqën pak mënjanë dhe i thanë:

“A nuk e di ti, se ne dollitë i ngremë vetëm për partinë dhe shokun e Enver?!” Lidhur me këtë ngjarje, bashkëshortja e tij, Eli na tregonte: “Në turneun e dytë që do të bënte ai grup në Kosovë, Prokopin nuk e planifikuan. Atë e zëvëndësuan me një aktor tjetër. U lodh shumë. Shkoi disa herë zyrave të administratës shtetërore për ta rregulluar atë gjë.

“Më në fund e lejuan që të shkonte, por rolin e tij më shumë e interpretoi ai aktori tjetër. Atë dolli, Prokopit ja mbajtën “vath në vesh”, dhe ja kujtonin shpesh. Prokopin e nxorrën në pension në vitin 1976. Ai në këtë kohë ishte në kulmin e karrierës dhe aftësive të tija aktoreske. Ai u largua zëmërthyer nga skena e atij teatri ku kishte interpretuar më shumë se 80 role”, kujtonte bashkëshortja e tij, për fundin e karrierës së Prokop Mima.

Ndër rolet më të arrira të tij, mbahen mënd: Zbisheku, te “Morali i znj. Dulskaja”, Dom Marku te “Cuca e Maleve”. Gjenerali gjerman te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Xhivola te “Arturo Ui”. Dhe Stefan Ahurja te filmi televiziv “Emblema e dikurshmë”, (realizim i Radio-Televizionit Shqiptar), etj.

Lidhur me rolin e Zbishekut regjisori i njohur, Mihallaq Luarasi, është shprehur: “Zbisheku i Mimës, është një trupëzim original. Me atë rol Mima vërtetoi rishtazi talentin e tij dhe ndjenjën e hollë të nuhatjes së stilit të autorit. Duke na dhënë një krjim aktorial që nuk do të harrohet lehtë”.

I harruar… – Pak kohë pasi Prokop Mima doli në pension, Teatri Popullor rivuri në skenë “Arturo Ui” të Breht-it. U detyruan dhe e thirrën Prokopin që të lunate përsëri Xhivolën. Lidhur me këtë, regjizori dhe aktori tashmë i ndierë, Rikard Ljarja, ish-student I tij, kujtonte:

“Kur erdhi momenti që Kopi do të dilte në skenë, salla shpërtheu në duartrokitje. Publiku i shumtë e kishte ndjerë largimin e tij nga skena dhe si rrallë në ndonjë vepër, roli i tij “Xhivola”, u luajt me aq mjeshtëri, sa e eklipsoi rolin kryesor të asaj drame”.

——————————-

Lexo edhe:

KY DOKUMENT DËSHMON KRIMET E TMERRSHME QË I BËNIN KOMUNISTËT

ObserverKult