Historia e ushtarakut të drejtë e patriot që humbi jetën nga torturat pas arrestimit nga forcat komuniste dhe e familjes së tij që vuajti burgje e internime
Nga: Xhafer Rakipllari
Maj 1984. Nata ka rënë. S’lëviz xhanxhin. Udhës dëgjohen ende zukama të lehta. Errësira është aleati i të gjithë atyre që duan të mos bien në sy. Edhe për Qemal T. nga fshati Karthnek i Peqinit, i cili bëhet gati të nisë rrugëtimin e tij të përmuajshëm drejt Dumresë. Në trastë ka kafe e pak bulmet.
Megjithëse komunist, Qemali ka frikë sa herë niset drejt mikut të tij të shtrenjtë dhe “armikut të popullit” Xhemal Ismaili. Duhet të baresë mirë se janë shumë kilometra për t’u bërë gjatë natës. Në kthim, së paku duhet të jetë në ndonjë fshat afër Peqinit, që në i thënçin ç’bën, si kooperativist t’ju gjegjet që “po kontrollon të mbjellat dhe gjithçka shkon sipas planit”.
Sa herë mbërrin në fshatin Çërragë përqafohet me Xhemalin si të takohej për herë të parë. Ish-studentit të Mjekësisë në Firence i janë regjur shenjat e shkopit të thanës në shpinë, “kortezi” e policëve në Kënetën e Maliqit.
Po ç’vallë i bashkon një komunist idealist me një “të deklasuar”? Miqësitë në kohëra të vështira janë më qëndrestaret. Flasin shpejt duke gjerbur kafenë e shërbyer nga zonja e shtëpisë, Merushja. Megjithëse nuk kanë shumë kohë, është e pashmangshme biseda për Riza Kishtën…
“Djerrë ishte kjo tokë, kur Rizai e bleu për kullota… tani ka 1000 frymë”.
“Ah babai…” Dhe Xhemalit i njomen faqet si atë ditë të ftohtë shkurti në vitin e largët 1948.
Rizai i Kishtës
Riza Ismaili lindi në vitin 1897 në fshatin Kishtë të Gramshit. Prindërit iu ndanë herët nga kjo botë dhe tok me vëllanë Nazifin iu desh të rritej më shpejt se moshatarët. Familja kishte mjaftueshëm mirëqenie, por më shumë njihej për virtytet, punën, bujarinë e ndershmërinë.
Rizai vinte hollak. Më shumë sesa për fizikun e tij ai shquhej për mendjen e mprehtë. U bë nxënës i shkollës së parë në zonë, mejtepit të Hoxhë Sali Çotës. Mandej, sapo Austro-Hungarezët lejuan hapjen e shkollave (në vitin 1916 kishin një administratë të tyren në zonë), mori përsipër misionin e shenjtë të përhapjes së arsimit dhe u bë ndër ndër mësuesit e parë të krahinës së Vërçës.
Dashurinë për arsimin e vijoi në Normalen e Elbasanit, shkollën që në shpirtin dhe mendjen e Rizait mbrujti ndjenjat më të larta për arsimin dhe zhvillimin e vendit. Mësimdhënia i ndryshoi jetën Rizait. Gjatë punës si arsimtar në fshatin Rashtan, njohu edhe dashurinë e tij të jetës, të bukurën dhe stoiken Refedie. Ishte kjo periudha kur nis të mbruhet personaliteti i Riza Ismailit, të cilin nisën ta identifikojnë me zonën e tij, Kishtën, duke e njohur me emrin Riza Kishta. Emër që e shoqëroi deri në vdekje.
Rizai si arsimtar, shërbyes publik e patriot
Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, ushtria franceze qëndroi në Shqipëri dhe e zgjeroi pushtimin deri në zonën lindore të Gramshit. Në të ashtuquajturën “Administrata franceze e kufijve shqiptarë” rolin e Sekretarit të Krahinares së Sojnikut e ushtronte i riu Riza Kishta.
Me të marrë detyrën, Rizai u angazhua veçanërisht me çeljen e shkollave shqipe. “Kur vendi ynë gjendej nën pushtimin e frëngjvet, thua se për çdo katund kishim nga një shkollë, të cilat mbaheshin me shumë kujdes nga autoritetet, me programa, libra, protokolla…”, shkruhej në shtypin e atyre viteve.
Rizai ishte gjithashtu aktiv në krahinat e Mokrës dhe Gorës për të grumbulluar armë për vullnetarët që shkuan në Luftën e Vlorës. Më vonë, ai shoqëroi forcat e armatosura që siguruan zhvillimin e punimeve të Kongresit të Lushnjës. Pas punimeve të Kongresit Rizai zu të shpjegonte vendimet e tij në popull si dhe shprehu hapur mbështetjen e tij për qeverinë e kryesuar nga Sulejman Delvina.
Më pas vendosi të vijojë studimet në Akademinë Ushtarake të Ankarasë, Turqi, ku u diplomua me gradën Toger. Emri i Riza Kishtës shfaqet sërish në zgjedhjet e vitit 1923 si Rrethkomandant i Xhandarmërisë së Gramshit. Politika e trazuar e atyre viteve e rreshtoi Riza Kishtën në krahun e mbështetësve të Ahmet Zogut. Kur në Qershor të vitit 1924, forcat e Nolit morën pushtetin dhe Ahmet Zogu u largua nga vendi, një pjesë e njerëzve të tij të besuar kaluan në Greqi e Itali, ndërsa pjesa tjetër (ndër ta edhe Rizai), qëndruan në Shqipëri në kontakt të vazhdueshëm me forcat e tyre.
Me kthimin e Zogut në pushtet në dhjetor të vitit 1924, Rizai vendosi të largohej për të ndjekur studimet për Kavaleri në Akademinë Ushtarake të Firences. Kur u kthye, atë e emëruan oficer në Gardën Mbretërore. Idealet e Riza Kishtës mishërohen në betimin e tij në Gardë:
“Bëj be, me i ndenjë besnike kryetarit të Republikës, me ba theror jetën për mbrojtjen e Atdheut dhe të ligjes themelore, mos me e lanë Flamurin kurrë, me u sjellë pik për pikë, simbas ligjeve ushtarake, me iu bindë plotsisht e pikërisht urdhërave të eprorëve, me mbajt e me vuejt nji disiplinë të fortë e me ba çdo gja, që nderi e liria e Atdheut e kërkojnë prej meje. Besa-Besë, Besa-Besë, Besa-Besë!”
I kualifikuar si ushtarak, njohës i disa gjuhëve të huaja (turqisht, arabisht, frëngjisht dhe italisht), i pajisur me kulturë bashkëkohore dhe me përvojë të madhe administrative, Rizai fitoi simpatinë e strukturave të larta shtetërore edhe në zgjedhjet e 17 gushtit 1928, u zgjodh deputet në Qarkun e Elbasanit.
Barra e rëndë e një deputeti…
Në Arkivën Qendore të Shtetit, autori i këtyre radhëve, ka qëmtuar diskutimet parlamentare të Riza Kishtës. Fjalime plot thjeshtësi e ngrohtësi mbi lidhjen e zonave përmes infrastrukturës, ndihmën për të varfërit, mbështetjen për familjet e të rënëve, ndërtimin e një internati për fëmijët e fshatrave të largëta për të vazhduar shkollën në Gramsh, etj.
Deputeti Riza Kishta i njihte doket, moralin dhe njerëzit e zonës, si mos më mirë. Çdo gramshiot që iu drejtua Rizait pati përkujdesjen e tij. Njëherë në familjen Kishta pati trokitur një i panjohur nga Erseka, të cilin nuk e njihnin dhe e morën për provokator. Miku ishte safi dhe kishte marrë udhët për të shlyer amanetin e babait të tij. Kolonjarit i kishte vdekur i ati në Spitalin e Tiranës dhe nuk i kishte mbetur asnjë mundësi për ta çuar kufomën në vendlindje. I thanë se mund ta ndihmonte deputeti Riza Kishta dhe ashtu ndodhi.
Një episod të ngjashëm ka rrëfyer dhe Abas Ermenji në një intervistë të vitit 1996. Ai thotë se gjatë kohës që ishte student në Francë i duhej urgjentisht një dokument me vulën e xhandarmërisë së Tiranës, dhe pas sorollatjeve të gjata, mjaftoi t’i kërkonte ndihmë Rizait. Ermenji do të kishte disa takime pune me Rizain, por këtë episod nuk e harroi kurrë.
Në një tjetër rast, një fshatar e ftoi për bajramllëk në Kishtë. Erdhi Rizai nga Tirana dhe ndaloi për të uruar në shtëpinë e parë të fshatit, që i përkiste një kovaçi. Aty nuk ndjeu asnjë shenjë feste dhe u pikëllua. Nuk pranoi të festonte Bajram pa iu shtruar tryeza kovaçit dhe fëmijëve të tij.
Theror mes dy zjarreve…
Ngjarjet më të rëndësishme të jetës së Rizait ndodhën gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në mbarim të saj. Pushtimi i vendit nga Italia e gjeti Rizain Rrethkomandant xhandarmërie dhe Prefekt në Peshkopi. E la detyrën dhe u kthye në Kishtë. Të gjithë ata që i kanë qenë pranë (bashkëshortja, fëmijët, etj.), kujtojnë dhimbjen e tij për pushtimin e vendit. Por Rizait, me një të kaluar në Akademinë Ushtarake të Firences, iu kërkua të qëndronte oficer xhandarmërie edhe në kohën e pushtimit, detyrë të cilën ai e pranoi duke iu shërbyer gjithmonë interesave kombëtare. Riza Kishta e mori këtë detyrë duke e ditur shumë mirë që do të ishte detyra më e rrezikshme e jetës së tij. Siç e vërtetoi koha, më vonë do të ishte mes dy zjarresh, armikut të jashtëm (pushtuesit) dhe atij “të brendshëm” (sllavo-komunistëve).
Në shtator të vitit 1942, Riza Kishta u dërgua në Skrapar e Tomoricë për të frenuar forcat e udhëhequra nga Mestan Ujaniku. Xhemal Ujaniku (djali i Mestanit) kujton: “Ne ishim kundërshtarë politikë me Riza Kishtën, por nuk na bëri keq dhe opinioni im është, se ai, nuk ka bërë keq, asgjëkund…”. Rizai nuk u konfrontua asnjëherë me partizanët dhe i quante ata “djemtë tanë”.
Kjo nuk kishte si t’i shpëtonte Kuesturës, e cila kërkoi që “Riza Kishta të internohej në një komunë të largët të Italisë, për një periudhë dyvjeçare”. Kuestori Papalilo në një shkresë të tij shprehet se “Riza Kishta është një element politikisht i rrezikshëm dhe me kapacitet aktiv, që rëndojnë shumë në interesat Nacionale të Qeverisë Fashiste”.
Me t’u kthyer nga internimi në Gandino (provincë e Bergamos), Rizai u vendos në krye të forcave nacionaliste në Gramsh. Nacionalistët e Vërçës shpallën një “itifak” (besëlidhje), dhe pavarësisht se nga pozita më të forta se pala tjetër, vetë Rizai u përpoq për bashkimin e të gjitha forcave antifashiste. Ai ishte njëri ndër të ftuarit e Konferencës së Pezës, por ftesa nuk i vajti kurrë në dorë, përkundrazi, u përdor më vonë si material komprometimi. Ndër organizatorët e asaj Konference ishin edhe emra si Ndoc Çoba, Kamber Qafmolla, Baba Faja Martaneshi, Ramadan Çitaku, Abaz Kupi, Halim Begeja, etj.. Një dhe i përbashkët ishte qëllimi i pjesëmarrjes në konferencë: çlirimi dhe shpëtimi i atdheut. Fatkeqësisht ata që përpiqeshin për bashkimin në luftë kundër okupatorit përfundonin larg atdheut ose të vrarë pas shpine (siç i ndodhi Mustafa Gjinisht në Dibër në vitin 1944).
Duke ditur që më fitoren e luftës, komunistët shqiptarë me ndihmën e jugosllavëve do të vendosnin regjimin edhe në Shqipëri, nacionalistë si Safet Butka, Hysni Lepenica, Abaz Ermenji, Riza Kishta etj. ngritën çeta dhe organizuan luftën e armatosur kundër pushtuesve fashistë e nazistë.
Në shtator 1944, kur luftës po i vinte fundi, Rizai tërhiqet në familje. Njërëz në zonë, mes tyre edhe komunistë, e njihnin veprimtarinë antifashiste të Rizait dhe e propozuan për anëtar të Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, që zhvilloi punimet në Berat në 20-23 tetor 1944.
Në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 Rizain e shpallën kandidat për deputet në Gramsh, por ai reagoi me indiferentizëm. Jo vetëm që nuk bëri asnjë ditë fushatë, po dhe kur shkonin për ta takuar e për t’i marrë mendim, iu thoshte të votonin për kandidatin komunist. Duke lejuar kandidimin e Riza Kishtës, Partia Komuniste synonte që të rriste pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje. Zgjedhjet zvenitën përfundimisht ëndrrën e Rizait për shmangien e instalimit të një sistemi monopartiak. I pakënaqur ai intensifikoi takimet me grupime si “Bashkimi Demokratik“ dhe u përfshi në organizata e shoqata që nisën aktivitetin për rrëzimin e Qeverisë.
Në 16 gusht të 1946-s, pasi nisi vala e arrestimeve ndaj bashkëpunëtorëve të tij, Rizai që më shumë në jetë vlerësonte lirinë dhe arsimin, vendosi të kalonte në ilegalitet bashkë me dy djemtë, Xhemalin dhe Qaniun.
Xhemali kishte qenë student i shkëlqyer i Mjekësisë në Universitetin e Firences. Me internimin e të atit në Itali, ishte rikthyer që të angazhohej me Rininë Antifashiste në qytetin e Elbasanit. Rizai e tërhoqi që andej, duke qenë i bindur se edhe atë do e priste burgu. Në takimet e tyre ata flisnin për rrezikun që i kanosej vendit dhe se qeveria e re duhej kundërshtuar e rrëzuar.
Aty ku nisi gjithçka…
Qëndruan në besë të miqve plot 18 muaj. Udhëtuan nëpër pyje, u ngjitën nëpër gryka, u strehuan nëpër shpella, u pikasën dhe nuk u denoncuan, për t’u kthyer në fole, në qúarin e shtëpisë së Myslim Ismailit në Kishtë. Aty të rrethuar nga njerëz të armatosur gjer në dhëmbë, Rizai me dy djemtë vendosën të dorëzohen për të mos rrezikuar bujtësit. Qëndrim fisnik nga njëra anë, britma të çartura nga pala tjetër që kishte arrestuar “tradhtarin” dhe prisnin shpërblimin e majmë.
Është shteruese përgjigjja e Kapo Lenës, komandant i Batalionit “Vërçë-Sulovë”, kur i pyetur në lidhje me fajësinë e personave që kishin strehuar Riza Kishtën, do të përgjigjej: “edhe tek unë të kishte ardhur, do ta kisha strehuar”.
Në burg ndaj Rizait u përdorën kërcënime, dhunë e tortura çnjerëzore. Për ta ekzekutuar kërkohej me çdo kusht të sajohej vepra e krimit. Po ku ta gjenin? Gjatë gjithë jetës së tij Rizai pati bërë vetëm mirë. Madje ata që kishin vjedhur, plaçkitur, djegur e shkatërruar, dhunuar, torturuar e vrarë, i kishte përballë.
Pas 14 muajsh e 15 ditësh nën dhunë e tortura, në moshën 52 vjeçare, i ndershmi, i drejti, atdhetari Riza Kishta ndërroi jetë, pasi e çuan (sa për të larë gojën) në spital. Eshtrat ia hodhën në një varr të përbashkët. Djalin e tij të shkëlqyer, Xhemalin, e dënuan me 7 vjet burgim, ndërsa djalin tjetër, Qaniun, minoren, me kohën e paraburgimit.
Gruaja e Rizait, e urta Refedije, bashkë me fëmijët u internua në Berat dhe pastaj në Tepelenë. Kushtet e internimit qenë të tmerrshme. Higjiena e puna e detyrueshme vrastare. Pas kthimit nga internimi, ajo u detyrua të rriste fëmijët në një kolibe, nën strehën e shtëpisë së saj të bukur, që shteti i kishte konfiskuar. Në vendimet e konfiskimit të pronave të familjes Kishta bie në sy dhe ky vendim çnjerëzor, ku veç të tjerash thuhet: “…familja e tij të mos përfitojë për jetesën e saj nga kjo pasuni”. Mësuesi i atëhershëm në fshat, Ali Kapllani nga Lushnja, më vonë do të shprehej se i vinte turp që familja e tij jetonte në shtëpinë e Rizait, ndërsa gruaja dhe fëmijët e Rizait, jetonin në një strehë të tyre.
Shumë dashamirë kishte familja Kishta, por i largonte me vetëdije. Zgjodhën të kalonin një jetë të vetmuar shpirtërore e sociale, të ndarë nga miqësia dhe vëllazëria, vetëm që të mbronin miqtë. Fëmijëve të shkëlqyer të tyre iu pre rruga e suksesit, përgjithmonë. Ata u rritën dhe krijuan lidhje miqësore me familje të persekutuara, që bartnin gjithashtu vlera njerëzore, kulturore e atdhetare. Shembull më fisnik ishte fejesa e Xhemalit me Merushe Xhikën, e cila ishte pleksur para burgimit të Xhemalit dhe u ruajt për shtatë vite me radhë derisa ai u kthye nga burgu.
Në vend të epilogut
Pas 46 vjet rrugëtimi në ferr (komunizëm) dhe 14 vitesh në purgator (demokraci), në vitin 2005 familja më në fund takoi Rizain. Ashtu si barra që mbajti në të gjallë, mbi eshtrat e tij qëndronte një pallat shumëkatësh. Si për të vënë drejtësinë hyjnore në vend, eshtrat e Rizait dolën në dritë gjatë gërmimit për një vijë uji ndanë pallatit.
Në përvjetorin e tij të vdekjes, më 17 maj 2005, Riza Kishta u rivarros siç i kishte hije figurës së tij. Në ceremoni morën pjesë rreth 1000 vetë nga të gjitha fshatrat e Dumresë, pavarësisht bindjeve e përkatësive politike.
Në maj, 2020, pas shumë vlerësimeve si Qytetar Nderi i Gramshit, Qytetar Nderi i Qarkut të Elbasanit, dhe emërtimit në nder të tij të sheshit qëndror të Gramshit, më në fund publikohet një libër mbi jetën e Riza Kishtës. Autori gramshiot Meçan Hoxha thotë se me Riza Kishtën nuk e lidhin e shkuara familjare apo krahu politik që ai përfaqësonte. Siç shprehet vetë autori, motivi kryesor që e ka vënë në lëvizje, ka qenë respekti për të vërtetën, që është përpjekur ta argumentojë gjatë monografisë.
Të vërtetat e nxjerra në dritë në këtë libër janë shembull i nevojës që ne kemi për shpluhurosjen, rivlerësimin (shpesh edhe rehabilitimin) e figurave nacionaliste. Retushimi i tyre nga historiografia e para viteve ’90 e ka lënë të paplotë tablonë e ngjarjeve historike gjatë luftës antifashiste. Lufta, ashtu siç ndodhi, me të gjitha palët e përfshira, është një privilegj kombëtar. Si e tillë ajo duhet shkruar përtej motiveve ideologjike të fitimtarëve (në rastin tonë të diktuara nga ideologjia nacional-komuniste). Nëse duam të mbërrijmë tek e vërteta historike, si e vetmja rrugë për shërimin e plagëve të së shkuarës dhe afrimin shpirtëror të shqiptarëve, lipset të heqim dorë nga flamujtë politikë dhe bash si Xhemal Riza Kishta, të dimë të përqafojmë edhe ndasitë.
Shkëputur nga monografia “Riza Kishta“: “Petët e lakrorit me hithra që na mbajtën gjallë”
Mbesa Sabire Koçi rrëfen burgimin e Riza Kishtës
Në vitin 1948, në një ditë shkurti, Riza Kishtën e kapën dhe me të dy djemtë e tij e prunë në Fushën e madhe (sot ish-reparti ushtarak), ku u bë një festë e vërtetë nga ushtarët dhe një zhurmë e madhe nga shkrepja e armëve, në shenjë gëzimi.
Unë e mora vesh nga një i lagjes dhe gjithë atë natë, kam qarë. Si u gdhi vendosa të shkoja ta shihja. Një xhaxha i burrit nuk desh të më linte, duke menduar se të këqijat mund të shtoheshin, për shkak të burrit të burgosur prej disa vitesh. Fukara në pikë të fundit. Mielli na mungonte. Megjithatë, unë bëra një lakror me hithra, që pothuaj nuk kishte miell fare, me pak gjalpë që kisha ruajtur, për burrin në burg.
Ditën tjetër e veshur me një palë çorape të hirta, pa këpucë, se s’kisha, dhe me një enë balte ku vura lakrorin, u nisa për në Degën e Brendshme. Kur u drejtova në Degë më dolën një grup policësh. Ata e kuptuan se kë kërkoja dhe menjëherë m’u afruan duke më shtyrë me njërën dorë dhe me dorën tjetër më trembnin me kobure. Unë, duke qarë arrita deri te dera e jashtme, duke mbajtur fort enën e baltës me lakrorin me hithra. Te dera një polic shpatullmadh, i cili gati e kish zënë derën e jashtme, më tha: – Ja ku janë kriminelët.
Në korridor pashë lala Rizain (i thërrisnin lala se i kishte rritur), i lidhur dorë më dorë me të tjerët. Ata ishin nxirë sterrë në fytyrë, mbasi ishin gdhirë në atë natë acari në korridor.
– Të keqen motra, – thashë, dhe në moment policët më tërhoqën zvarrë larg portës. – Kam këtë lakror me hithra – u thashë. Mbasi e bënë copash dhe e hodhën brenda më thanë: – Mirë, ik mos eja t’i shohësh më këta kriminelë, që nuk e duan qeverinë.
Kokulur, pa u tharë loti, vajta në shtëpi, ku qava edhe një orë nga këmbët e ngrira nga akulli. Pas ca muajsh mora vesh, se Rizai ishte dërguar në gjendje të rëndë në spital. Sajova diçka për burrin dhe për vëllanë dhe me disa pazarakë nga fisi i burrit u nisa për në Elbasan. Për veshje mora një palë opinga kau nga një kushërirë, por edhe ato ishin të grisura. Për darkë vajta te kushëriri im, Isuf Arapi. Ai më foli gjerë e gjatë për vëlla, Rizanë. Më tha, se nga torturat çnjerëzore, të ftohtit e të pangrënit ishte sëmurë rëndë dhe gjendesh në spital, kati i dytë.
Nga meraku, me gjithë rrugën e gjatë Gramsh-Elbasan të bërë në këmbë, nuk vura gjumë në sy. U drejtova për në spital, afër urës së Shkumbinit. Te porta e Spitalit, nuk pashë njeri në katin e parë, e menjëherë, u nisa për në katin e dytë. Te një derë më doli një polic. Ju afrova dhe i fola se doja të takoja vëllanë tim, Rizanë. – Po këtu është, – më tha polici, – por ne kemi urdhër të mos lemë njeri.
Dera ishte mbyllur. – Të lutem, – i thashë policit, – sa t’i shoh fytyrën. Polici m’u duk njeri i mirë dhe më duket ishte nga anët tona. – Nuk mundem se nesër më heqin bukën e fëmijëve. Kam tetë fëmijë, me këtë rrogë i mbaj. – Amaan i thashë, sa ta shoh me sy. Polici hapi pak derën dhe më tha: – Shihe, por mos fol me gojë. Futa kokën të dera dhe pothuajse qëndrova gati gjysmë minute. Riza efendiu kishte marrë çehre meiti. Ishte shtrirë në krevat dhe hapi pakëz sytë. Desh thirra kujën, por përnjëherë më tërhoqi polici, që më tha: – Tani ik, motër. I dhashë policit vetëm 4 kokrra vezë, e ika.
Ky qe takimi im i fundit me vëllanë tim, Rizain. Pasi mora vesh që kishte vdekur qava tri ditë për të. Dhe e shoqja e fëmijët e tjerë të Rizait ishin internuar dhe asnjëherë nuk mora vesh për fatin e tyre. Si doli Xhemali dhe Qaniu, aty nga viti 1954, vajta i takova, fshehurazi, në Çërragë.
Erdhi demokracia. U gëzova shumë. Keq më erdhi për tim shoq, Fejzon, që nuk ia arriti kësaj dite. S’po më mbante vendi dhe i thashë djalit, ose lajmëroji djemtë e Rizait ose më dërgo t’i shoh ata që kanë mbetur gjallë. S’vonoi shumë dhe erdhën djemtë e Rizait: Xhemali, Qaniu, Kujtimi, Skënderi. U gdhimë atë natë. Kujtuam të gjitha dhimbjet e hallet e atyre kohëve. Gjatë bisedës, Xhemali, djali i madh më tha: – Sabe (Sabire), mbaj mend lakrorin tënd me hithra. Ai na shpëtoi nga vdekja. Ne e dinim se ti s’kishe bukë e djathë, por edhe po të na kishe prurë, ata, nuk na e jepnin ne, e hanin vetë./kujto.al
Lexo edhe:
KUR ENVER HOXHA VENDOSI TË KTHEHEJ ME TREN NGA MOSKA NGA FRIKA E ANTENTATIT ME AVION
ObserverKult