Një tregim rreth dramës dhe misterit të pikturës më të shtrenjtë në botë është vendosur që të shfaqet në New York, në vitin 2020, si një shfaqje muzikore e Broadwayit.
“Salvator Mundi!” është emri i shfaqjes që do të realizohet nga kompania e produksionit “Caiola Productions”, fituese e “Tony Award”. Shfaqja do të tregojë narrativen e tregimit të portretit të Jezusit të periudhës së Renesancës, që është realizuar nga Leonardo da Vinçi. Vepra supozohej e humbur për qindra vite dhe u rizbulua në këtë shekull, raporton CNN, transmeton ‘koha’.
Shkruesja e tekstit të “Salvator Mundi!”, Deborah Grace Winer, beson që vepra e Da Vinçit i ka të gjithë përbërësit e nevojshëm për të sjellë një narrativë interesante në skenë.
“Ka mjaft kualitet brenda kësaj historie, që mendoj se përshtatet shumë mirë me shfaqjen. Është gati diçka shekspiriane, me elemente opere”, ka thënë ajo përmes telefonit nga Manhattan.
Piktura ishte realizuar me kërkesë të Louisit të XII të Francës rreth vitit 1500, por pasi që ishte dëmtuar dhe ringjyrosur me ngjyrë të errët, ishte menduar me shekuj që është një kopje nga një artist më pak i njohur. Në vitin 2005, në një ankand, piktura që mendohej se ishte kopje e origjinalit i ishte shitur për më pak se 10 mijë dollarë një shoqërie që bënte ujdi për art. Teknologjia me rreze infra të kuqe, që më herët ka zbuluar ripërpunime të dorës së Jezusit, sinjalizoi që ka shumë të ngjarë që vepra është realizuar nga vetë Da Vinçi.