Historia e trishtë e të ndjerës, Edi Luarasi: “Më larguan nga puna… disa miq nuk na flisnin më…”

Luarasi

Një nga karakteret më të spikatura të skenës shqiptare, emblema e Festivalit XI në Radio Televizion Shqiptar, ndërroi jetë në ditën e tretë të dhjetorit të vitit të 2021, në moshën 81-vjeçare.

Prej vitesh, artistja ishte larguar nga jeta skenike dhe ajo publike. Lajmin e vdekjes e pati ndarë djali i aktores, Eldon Luarasi.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë se sot, më datë 3 dhjetor 2021, ndërroi jetë nëna jonë e shtrenjtë, Edi Mirdita Luarasi”.

Kanë qenë me qindra mesazhet e ngushëllimit drejtuar familjarëve të artistes, që i mbijetoi me dinjitet kalvarit komunist, që nuk e kurseu çiftin e artistëve të talentuar Mihallaq dhe Edi Luarasi, të cilët sfidonin kohën me artin e tyre.

Edi Luarasi lindi në Tiranë më 7 maj 1940 dhe ka debutuar në skenë në moshë të re. Fillimisht në 1956, kur ishte 16 vjeçe, së bashku me të motrën këndonin në skenën e Teatrit të Estradës. U diplomua për aktore në 1963 dhe emërohet aktore në Teatrin Popullor.

Roli i parë i saj ishte Vera në dramën “Shtëpia në bulevard” më 1963 me regjisor Kujtim Spahivoglin. Më pas, në dhjetë vjet, vijnë një sërë rolesh të arrirë, ku veçojmë Lenën te “Doktor Aleksi”, Kordelja te “Mbreti Lir”, Cuca te “Cuca e maleve”, Kristina te “Fytyra e dytë” etj. Ajo u përjashtua nga Teatri Kombëtar në 22 janar 1974, pas Festivalit të 11-të dhe dënimit të të shoqit, Mihallaq Luarasi.

Pas kësaj pasuan vite të vështira, gjatë të cilave u detyrua të bëjë punë të rëndomta. U rikthye në skenë në mars 1991, me interpretimin dinjitoz në rolit e damës plakë në dramën “Vizita e Damës plakë”. Interpretoi edhe në 1995 në dramën “Hekurat”, më vonë, me sukses në dramat “Cilindri”, “Streha e të harruarve” etj.

Ajo është nderuar me titullin “Artiste e Merituar” dhe vetëm pak muaj më parë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

Nga skena, në punë hamalli, Edi Luarasi: “Punova si rrobaqepëse dhe ngrija arka.”

Edi Luarasi nuk ishte një nga ata njerëzit që nuk preferonte daljet mediatike. Në një nga intervistat e saj të pakta, ajo do të tregonte për vitet e vështira pas dënimit të të shoqit dhe largimit nga Teatri Kombëtar, asokohe Popullor.

“Ishin ditët nga më të bukurat, por dhe ditët që po përgatitej skema e goditjes ndaj Mihallaqit. Kishte vite që Sigurimi i Shtetit po kërkonte ta dënonte gjoja për prirje liberale. Dhe rasti erdhi në Festivalin e njëmbëdhjetë. Ai Festival që bëri bujë. Unë isha prezantuese. Kisha veshur një fustan të bardhë, të gjatë deri në fund të këmbëve. Orkestra në disa raste kur luante çohej në këmbë. Emocionet ishin të mëdha. Dy herë prezantuese, kur dihet që të gjithë sytë i kishin në Radio Televizion, pasi Festivali ishte ngjarja më e madhe kulturore e vitit. Festivali bëri bujë. Këngët e Festivalit këndoheshin në rrugë. Mua më përshëndesnin kudo. Pa u shuar gëzimi, erdhi goditja. Mihallaqi u gjykua për tendenca të huaja, pikëpamje në kundërshtim me vijën e Partisë. Pra, ajo që Sigurimi e priste, erdhi. Mihallaqi u dënua me 8 vjet burg”.

E paskëtaj pasoi largimi nga Teatri Kombëtar dhe një jetë e vështirë: Nga skena në punë krahu.

“Nuk kishte rrugë tjetër. Një jetë tjetër më priste. Një jetë larg skenës. U futa në punë në rrobaqepësi. Ishte një punë e re, por që e kapa shpejt. Atëherë unë, për të marrë gjysmë pension, më duhej të punoja punë si hamalle që të plotësoja 15 vjet punë të vështirë. Më duheshin 6 muaj për të plotësuar kaq vite punë. Pra, kjo punë mund të ishte e barasvlershme vetëm në qoftë se punoja si hamalle. E provova, por s’e përballova. Ngrija arka me domate. Vetëm një muaj munda. Kaq, u bëra kockë e lëkurë”, shton ajo. Bashkë me largimin nga teatri, nisi edhe izolimi.

Disa miq nuk na flisnin më. Ndoshta kishin të drejtë. Dhe unë u shmangesha. Bile në shtëpi kisha vendosur perde të errëta që të mos dukesha nga jashtë. Doja të isha sa më larg realitetit”, tregonte dikur Luarasi./ panorama.com.al

ObserverKult

——————————–

Lexo edhe:

ROZA ANAGNOSTI MESAZH EMOCIONUES PËR EDI LUARASIN: KALOI NJË RRUGË TË DHIMBSHME…