Publikohen disa dokumente të panjohura të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat i përkasin viteve 1942-1945- bëhet fjalë për Ludovik Nikaj, me origjinë nga qyteti i Shkodrës dhe me banim në Tiranë.
Ai punonte si elektroteknik, një nga të rinjtë komunistë e orëve të para, i cili më datë 2 maj të vitit 1942, teksa kishte shkuar në qytetin e Shkodrës së bashku me bashkëshorten e tij, Qefsere Bekaj u arrestua nga forcat italiane dhe u dërgua në Kuesturë për t’u marrë në pyetje, në lidhje me veprimtarinë e aktivitetin e tij në radhët e Partisë Komuniste.
Gjatë asaj kohe që ai mbahej i izoluar në qeli, me urdhër të Qarkorit Komunist të Shkodrës, u vendos eliminimi i tij- dyshohej se ai kishte treguar shtëpitë dhe bazat ku strehoheshin komunistët, si dhe emrat e krerëve kryesorë të Partisë Komuniste.
Si u krye aksioni i njësiteve guerile të qytetit të Shkodrës me në krye Perlat Rexhepin, (‘Hero i Popullit’), duke qëlluar me bomba dhe granata dore godinën e Kuesturës ku Ludoviku mbahej i izoluar dhe transferimi i tij nga autoritetet italiane për në Itali, duke e sistemuar në një kamp internimi afër Modenas.
Kthimi i Ludovikut në Shqipëri pas disa kërkesash që ai bëri pranë misionit ushtarak shqiptar në Romë dhe kërkesa e tij për t’u takuar me Enver Hoxhën. Ai nuk pranoi ta priste dhe dënimi i tij me vdekje nga Gjykata e Lartë Ushtarake në Tiranë, pas akuzave të bëra ndaj tij, si: “provokator, agjent i SIM-it dhe tradhtar i PKSH-së”, i cili kishte treguar para italianëve, për bazat ku fshiheshin Qemal Stafa, Koci Xoxe, Perlat Rexhepi, Ali Demi, Beqir Minxhozi, Gjystina Sata, etj.
Dosja e plotë e procesit gjyqësor ndaj Ludovik Nikaj, për të cilin Enver Hoxha ka shkruar gjatë në librat e tij dhe për të u realizua edhe filmi “Vendimi” nga Kinostudio “Shqipëria e Re” e asaj kohe. Ashtu edhe dëshmitë e nipit të tij, Luigj Nikaj (Kastrioti), i cili tregon se të gjitha akuzat ndaj xhaxhait të tij, ishin të montuara nga udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste, me qëllim për të mbuluar prapaskenat që ata kishin bërë ndaj njëri-tjetrit në periudhën e Luftës, siç ishte vrasja e Qemal Stafës, etj.
Filmi
Është periudha e pushtimit italian të vendit, kur ‘Veroniku’, një i ri komunist 22 vjeçar, shkon në qytetin e Shkodrës. Aty papritmas arrestohet nga forcat e karabinierisë italiane, të cilat fillimisht i kërkojnë dokumentet e identifikimit dhe pasi dyshojnë në përgjigjet e tij, e arrestojnë dhe e dërgojnë menjëherë në Kuesturë, për ta marrë në pyetje.
Fillimisht ai nuk pranon të tregojë, por pasi ndaj tij italianët bëhen gati të fillojnë torturat, duke e goditur me disa pëllëmbë në fytyrë, ‘Veroniku’ nis të ‘zbërthehet’, duke treguar fillimisht emrin e tij të vërtetë dhe arsyen se përse kishte shkuar në atë qytet. E, për gjithçka tjetër që ata e pyesin, duke u dhënë kështu autoriteteve të Kuesturës, të gjithë emrat e shokëve të tij komunistë, pseudonimet e tyre, krerët e grupeve që vepronin në mënyrë ilegale dhe udhëheqjen kryesore të Partisë Komuniste Shqiptare. Celulat e bazat ku ata fshiheshin e strehoheshin, si dhe teknikën e Partisë, njerëzit që ata kishin të infiltruar deri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, etj.
Pas kësaj, në bazë të një plani të detajuar mirë, sipas të të dhënave që morën prej tij, Kuestura fillon goditjet e reprezaljet ndaj grupeve komuniste, duke arrestuar disa prej eksponentëve kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare, si dhe duke bastisur disa nga bazat e tyre, ku ata gjetën edhe mjaft dokumente me shumë vlerë, të cilat dëshmonin qartë, rreth aktivitetit e veprimtarisë subversive të tyre.
Pas kësaj, Qarkori komunist i Shkodrës, i vënë në dijeni rreth asaj që kishte ngjarë me ‘Veronikun’, nëpërmjet njeriut të tyre që vepronte i kamufluar brenda radhëve të efektivëve të Kuesturës, mblidhet urgjent në një mbledhje të jashtëzakonshme. Pasi e analizon situatën, për të parandaluar një goditje më të madhe nga autoritetet italiane, vendos që të kryente sa më shpejt një aksion mjaft të rrezikshëm, ky për eliminimin fizik të shokut të tyre komunist, spiunit ‘Veroniku’. Kishte tradhtuar idealet komuniste, duke treguar shokët, bazat e tyre, teknikën e shtypin e Partisë, etj., e deri udhëheqjen më të lartë të Partisë Komuniste Shqiptare.
Aksioni arrin të kryhet nga ana e njësiteve guerile të atij qyteti, të cilat afrohen te godina e Kuesturës në qytetin e Shkodrës. Hedhin disa bomba e granata dore tek zyrat e saj e tek qelia ku mbahej i izoluar ‘Veroniku’, i cili shpëton “paq”, duke mbetur i plagosur me plagë të shumta në fytyrë dhe në të gjithë trupin që i kullon gjak, nga ciflat e granatave, që hodhën shokët e tij guerilas.
Pas këtij aksioni, ku atentati nuk përfundoi me sukses, autoritetet italiane, nën pretekstin e kurimit (por në fakt për ta ruajtur atë), e marrin ‘Veronikun’ dhe e nisin menjëherë për në Itali. Ku ai deri në mbarimin e Luftës, jetoi në kushte të mira, nën masa të rrepta sigurie. Por, pas shumë kohësh, aty mbërrin një njësit i dërguar enkas nga udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste Shqiptare, të cilët e rrëmbyen ‘Veronikun’, dhe e sollën në Shqipëri. Ai detyrohet të japë llogari para ‘gjyqit të popullit’, për ‘tradhtinë’ që kishte bërë e në fund merr dënimin e merituar.
Kjo është pak a shumë një synops i filmit shqiptar “Vendimi”, ky është i realizuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re” në vitin 1984, me regjisor Kristaq Dhamo (“Artist i Popullit”) dhe skenar të Spiro Dede e Neshat Tozaj. Ku interpretonin disa nga aktorët më të njohur të kinematografisë shqiptare, si: Ndriçim Xhepa, “Veroniku”, Serafin Fanku (“Filipi”), Bujar Lako, Fane Bitaj, Guljelm Radoja, Xhevdet Ferri. Pastaj: Vangjush Furxhi, Robert Ndrenika, Anastas Kristofori, Eva Alikaj, Petrit Malaj, Edmond Budina, Ndrek Shkjezi, Koço Qendro, Liza Laska, etj.
Ky film asokohe dhe më pas, (deri në shembjen e regjimit komunist në vitin 1991), pati një jehonë dhe bëri bujë të madhe, jo vetëm pse ai bazohej mbi një ngjarje të vërtetë mjaft të njohur, të ndodhur në periudhën e pushtimit fash ist të vendit- por edhe për faktin se ishte herë e parë, që në një vepër të tillë artistike, trajtohej gjerësisht figura e udhëheqësit kryesor të Partisë, Enver Hoxhës. Si dhe ajo e disa prej figurave më të njohura të Partisë Komuniste Shqiptare të periudhës së Luftës, si: Qemal Stafa, Vasil Shanto, Fiqret Shehu, etj.
Po kështu, filmi pati një jehonë edhe për ngjarjen në fjalë, pra për “tradhtinë” e Ludovik Nikaj dhe Zef Ndojës gjë e cila çoi jo vetëm në “dekonspirimin dhe goditjen e bazave kryesore të Partisë Komuniste”, por edhe të vrasjes së Qemal Stafës.
Enver Hoxha, ishte ndalur e kishte shkruar gjatë në librat e tij me kujtime, ato kishin filluar të botoheshin që nga fillimi i viteve ’80-të. Po a i qëndronte skenari i këtij filmi ngjarjes që lidhej me të riun komunist, Ludovik Nika e shokun e tij, Zef Ndoja si dhe pasojat që erdhën pas arrestimit të tyre?
Që në fillim duhet thënë, se: bazuar mbi dokumentet arkivore që i përkasin ngjarjes në fjalë, të cilat janë bërë publike pas shembjes së regjimit komunist dhe kryesisht këto vitet e fundit, skenari i filmit “Vendimi”, nuk i përgjigjet aspak së vërtetës.
Por ajo vepër artistike e propaganduar me bujë nga propaganda zyrtare e kohës rezulton të jetë bërë enkas, me porosi nga “lart”, nga vetë Enver Hoxha. Kjo me qëllim për të fshehur dy nga ngjarjet më të përfolura të periudhës së pushtimit të vendit, siç ishte vrasja e Qemal Stafës dhe dekonspirimi i bazës (shtëpia e Shyqëri Këllezit, shoqëruesi i Enverit, gjatë periudhës që ai ishte ilegal), ku veç të tjerash mbahej edhe dokumentacioni i mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare, të 8 nëntorit 1941- aty Enver Hoxha rezultonte jo si sekretar i përgjithshëm, por vetëm si i ngarkuar me problemet e financave të Partisë./aktoret.com
——————————–
Lexo edhe:
ObserverKult