Historia prekëse e piktorit të ndjerë, Rexhep Ferri/ Pse u nda nga babai në moshën 8-vjeçare, u ritakuan pas 35 vjetësh

Në moshën 86-vjeçare, ditë më parë, u nda nga jeta njëri ndër piktorët më të mëdhenj të artit shqiptar, akademik Rexhep Ferri.

Akademia e Shkencës dhe Arteve të Kosovës u shprehu ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë artdashësve. Akademiku Rexhep Ferri i përket gjeneratës së artë të piktorëve kosovarë. Jeta e tij u nda mes Kosovës dhe Shqipërisë. Rexhep Ferri u lind në Kukës më 1937. Në vitin 1958 mbaroi Shkollën e Mesme të Artit në Pejë, ndërsa në vitin 1966 u diplomua në degën e pikturës të Akademisë së Arteve në Beograd. Në periudhën 1974-2005 ishte pedagog në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës.

Ka hapur ekspozita të pavarura në Galerinë e Kolektivit Grafik në Beograd (1968 dhe 1973), në Galeria Darte II Cenacolo, Viçenca, Itali (1969), në Galerinë e Qendrës Kulturore, Beograd (1976), në Galerinë Lambert, Paris (1977) në Galerinë e Muzeut Kombëtar, Nish (1980), në Galerinë e Arteve, Prishtinë (1982), në Galerinë e Arteve, Sarajevë (1983), në Galerinë Vakko, Izmir, Ankara dhe Stamboll (1989), në Galerinë Vakko, Stamboll (1998), në Galerinë Kombëtare, Tiranë (2001), në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (2020) etj.

Më 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 anëtar i rregullt i kësaj Akademie. Ka botuar libra me poezi, romane, ese. Veçohen nëntë tituj të përmbledhur në veprat e zgjedhura letrare. Më 1971 mori Çmimin e Dhjetorit të Kuvendit të Kosovës, ndërsa në vitin 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, iu dha titulli Qytetar Nderi i Vlorës. Me rastin e 80-vjetorit të lindjes në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës u hap ekspozita tij personale me veprat e zgjedhura. Po në Akademi u botua edhe monografia për veprën e tij. Në respekt të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Ferrit, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës më 7 qershor 2024, në orën 11:00, mbahet mbledhja komemorative dhe më pas, deri në orën 12:00 bëhen homazhe. Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në orën 13:00 në varrezat e Prishtinës. ASHAK-u u ka shprehur ngushëllime të ndjera familjes, miqve dhe gjithë artdashësve.

LUFTA

Familja dhe jeta e Rexhep Ferrit ka përshkruar pothuajse të gjithë Veriun e Alpeve shqiptare. Lufta i kishte çuar nga Plava në Pejë, nga Peja në Babaj të Bokës, nga aty në Gjakovë. Ishte koha e miqësive të rrejshme, atëherë kur shqiptarët mes Tiranës dhe Prishtinës besonin në iluzionin e dashurive të tepruara. Në këtë tablo historike, Rexhep Ferrit, vetëm një adoleshent nuk i mbetej gjë tjetër veçse të kapej fort pas librave dhe ngjyrave por gjatë gjithë jetës së mëvonshme atij iu desh të mbante mbi supe historinë e gjysh pas gjyshi që niste te rrënjët në Plavë e Guci. Të atit të tij iu ngarkua si detyrë hapja e shkollave në disa zona të Veriut të Shqipërisë.

“Lindja ime në Kukës nuk ka qenë rastësi. Familjet që i ka prekur krahu i historisë, në rruazat e kuqe të gjakut e kanë edhe një humbës të lumtur. Kështu na ishte dikur. Tani këtë titull e ka vepra ime e parë. Gjysh pas gjyshi historinë e jetës së tyre e kisha mbi supë. Si krijues kam ikur nga shprehjet e thata artificiale. Jo për ta fituar xhenetin, por për ta gjetur vetveten me shpresë se do të bëhet mirë. Gjatë viteve që në Kosovë quheshin “Koha e Shqipërisë”, ministri i Arsimit i Shqipërisë, Ernest Koliqi, me dekret shtetëror, tim atë, mësuesin Shaban nga vendlindja ime Kukësi, e dërgon në Plavë për të hapur shkollën shqipe.

Atëherë unë isha dy apo trevjeçar, por ndoshta me fjalët e nënës dhe nga fjalët e nënës, nga ai udhëtim diçka më kujtohet ose vetëm mendoj se më kujtohet. Për të mos e shqetësuar më shumë vetveten, nuk po flas për krenarinë. E vetmja punë që duhet të bëj tani, është se s’di ç’të bëj. Si erdha deri këtu kaq shpejt, as gurët kilometrikë të rrugëve nuk flasin. Atdheu cakton dhe përcakton hyrjen në jetë. Kjo dashuri e çmuar, me vetëdije, gjithmonë më ka shqetësuar dhe më ka mbajtur gjallë për ta dashur jetën.

Gjatë këtij udhëtimi, besimi në vetvete nuk lë vend për zbukurime mashtruese. Më 1973, për krijimtarinë time Anton Pashku shkruan: “Ferri nuk vuan nga enfantika, zhurma, nga theksimi i tepruar. Por, gjithashtu, ai nuk lodhet për një lloj zbukurimi cikërrimtar që të afron të thatën në vend të së gjallës. I ushqyer me copëza të traditës së pasur të popullit të vet dhe të popujve të tjerë, shihet se me dëshirë është i mbajtur dhe gjithherë mbahet vetëm për thelbin. Prandaj, kundrimi i botës nuk është kundrim i një bredhësi, por i një udhëtari të menduar thellë për trekëndëshin: dje, sot, nesër”,-është shprehur akademiku në një intervistë 6 vite më parë. Por në ato vite ai e ëndërronte Shqipërinë, jo vetëm për faktin se këtu ishte babai i tij, i cili e la 8 vjeç dhe do ta shihte vetëm pas 35 vitesh kur ishte mbi 40 vjeç, por se Shqipëria ishte si një totem për Kosovën.

Më pas vijnë studimet për pikturë në Beograd dhe rikthimi në Kosovë. “Gjatë viteve kur isha student në Beograd ëndërroja të pikturoja retë e bardha, oqeanin, detin… Të pikturosh një oqean nuk është çmenduri. Jo çmenduri, por dhembshuri. Është shumë e lehtë për ta kuptuar. Isha i ri. Shpesh ëndërroja se po fluturoja nga stacioni i trenit mbi Beograd, mbi hotel “Moska”, mbi pallat “Albania”, deri te Kalemegdani. Aty zbrisja. Afër ishte Fakulteti i Arteve, klasa ku unë ushtroja pikturën. Ato ëndrra tani më kanë lënë vetëm. Shkurtësia e jetës është një kod. Për një lëvizje kulturore, atëherë Beogradi ishte 375 kilometra larg Prishtinës.

Atëherë në Beograd profesorët i kisha nga shkolla evropiane. Nga e njëjta shkollë ishin edhe shkrimtarët. Edhe elita kulturore e Beogradit. Gjatë atyre viteve edhe unë e pata fatin ta shoh një copë Evropë: Pikason, Mironë, Xhakometin, Bekonin; të lexoj Xhojsin, Kafkën, Lorkën, Beketin, Preverin, Boskenë, Vasko Popën, Albert Kamynë. Shumë e rëndësishme ishte se isha i lirë dhe i vetëdijshëm se çka po kërkoj për ta vizatuar autoportretin tim. Por ne, shqiptarët e Rrafshit të Kosovës, edhe pse hasmin e kishim mbi kokë, nga dritarja e vogël e pamë një copë Europë, si Rilindje të dytë Kombëtare.

Në Prishtinë, shqiptarët filluan të japin atë që kishin, atë që dëshirojnë. Në gjuhën shqipe botohej gazeta “Rilindja”, revista letrare “Jeta e re”. Hapet universiteti. Arsimi dhe kultura filluan të shprehin vlerat e veta të para të një krijimtarie moderne. Në fushën e arsimit e të kulturës shumë profesorë dhe krijues, me përkushtim dhe besim të plotë, e shprehën personalitetin e tyre si vlerë kombëtare”,- është shprehur Rexhep Ferri. I kujtohet një vizitë në Shqipërinë e viteve 1974, vizita në studion e Abdurrahim Buzës, dhe frikën e tij për çdo bisedë… “Vit pas viti, o Zot i madh, kur në Beograd isha student, ëndërroja të isha balta e Tiranës.

Isha i ri. Nuk e di a më kuptoni. Doja të isha balta e Tiranës. Atëherë në Tiranë nuk kishte baltë. Pa e njohur Tiranën, e doja më shumë se vetveten. Kur m’u dha rasti dhe leja ta shoh, nuk pata se ku të shkoj më larg. Isha i dashuruar me të. Duhet të më kuptoni. Kisha ardhur nga Prishtina e nga Beogradi ku kisha studiuar pikturën. Gjatë atyre viteve valët e ëndrrave ku s’më çonin. Për pak harrova: si kam arritur t’i kapërcej të gjitha ndikimet, as tani nuk e di. O Zot i madh, pse po flas për baltën e Tiranës. Rrezikoja. Doja ta jetoja jetën…

PARAARDHËSI

Rexhep Ferri është pasardhës i patriotit Jakup Ferri, i cili u lind në vitin 1832 në Plavë, në veri të Bjeshkëve të Nemura, buzë Liqenit të Plavës, prej të cilit buron lumi Lim, që në atë kohë ishte pjesë e Shqipërisë nën sundimin e Perandorisë Osmane, sot e Malit të Zi. Për shkak të pozitës së vetë gjeografike dhe rëndësisë strategjike Plava njihej si “mburojë e Rrafshit të Dukagjinit” e madje edhe e tërë Shqiptarisë.

Jakup Ferri kishte filluar veprimtarinë e tij patriotike e luftarake kudër malazezëve e turqve në vitet e pesëdhjeta të shekullit XIX, që pasuan pas reformave të Tanzimatit, kishte marrë pjesë në shumë beteja, ndërsa në vitet e shtatëdhjeta ai ishte bërë njëri nga trimat më të shquar të Malësisë së Plavës e Gucisë dhe kishte marrë pjesë në kuvende burrash. Kulla e Ferrajve ishte bërë qendër e kuvendeve ku vinin burra jo vetëm nga Plava e Gucia, por edhe nga Kosova e trojet tjera shqiptare.

Në këtë kohë Jakupi ishte njoftuar me Sylejman Vokshin, Haxhi Zekën, Ali Ibër Nezën e shumë prijës të tjerë të popullit shqiptar. Në vitin 1875 në disa vende të Ballkanit ishin bërë kryengritje kundër Perandorisë Osmane, e po në këtë kohë edhe në Mirditë e Dukagjin ishte ngrit popullsia.

Në vitin 1876 Serbia e Mali i Zi i kishin shpallë luftë Turqisë, por meqë u thyen ato në vitin 1877 edhe Rusia i shpalli luftë Turqisë, e cila e humbi luftën dhe si pasojë nënshkroi paqen në Shën Stefan 1878. Sipas Traktatit të Shën Stefanit Mali i Zi, Serbia e Rumania ishin bërë shtete të pavarura, Bullgaria kishte fituar autonominë, ndërsa Shqipëria kishte mbetur nën Turqi, e madje disa pjesë të saj iu kishin dhënë Bullgarisë (Kumanova, Kaçaniku, Tetova, Gostivari, Dibra, Kërçova, Struga, Pogradeci, Korça), Serbisë (një pjesë e sanxhakut të Prishtinës deri në afërsi të Gjilanit e Mitrovicës) e Malit të Zi (Plava, Gucia, Vermoshi, Hoti, Gruda, Kelmendi, Kraja, Anamali, Tivari, Ulqini) gjë me të cilën shqiptarët nuk u pajtuan dhe u bënë rezistencë të armatosur sipas vendimeve të “Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare”, e cila më 10 qershor 1878 (tri ditë para mbajtjes së Kongresit të Berlinit) formoi “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit” me kërkesë të njohjes së kombit shqiptar me një gjuhë dhe një kryeqendër.

Një ndër pjesëmarrësit të Lidhjes së Prizrenit ishte Jakup Ferri bashkë me Abdyl Frashërin, Iliaz Pashë Dibrën, Ymer Prizrenin e shumë prijës të tjerë shqiptarë. Në Kongresin e Berlinit fuqitë e mëdha: Gjermania, Austro-Hungaria, Franca, Italia e Rusia kishin vendosur ta rishikojnë Traktatin e Shën Stefanit, t’i copëtojnë tokat shqiptare dhe t’ua ndajnë ato Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë e Greqisë (Çamëria). Vendimet e padrejta të Traktatit të Shën Stefanit dhe të Kongresit të Berlinit kishin tronditur mbarë shqiptarinë.

Gjatë verës së vitit 1878 të gjithë shqiptarët ishin ngritur në mbrojtje të trojeve të veta kundër vendimeve të sulltanit e të fuqive të mëdha. Pikat kryesore të mbrojtjes i kishin organizuar Ali pashë Gucia e Jakup Ferri në Plavë e Guci me ndihmën e vullnetarëve nga Peja, Gjakova, Tropoja e viset tjera shqiptare. Në tetor të vitit 1879 Mali i Zi kishte kërkuar nga Turqia dhe fuqitë e mëdha evropiane dorëzimin e Plavës e Gucisë, por, meqë shqiptarët nuk lejuan një gjë të tillë, Mali i Zi kishte filluar operacionet ushtarake nën komandën e Mark Milanit e Todor Milanit.

Në betejën e fundit në breg të Limit, më 4 janar 1880, ishte plagosur rëndë edhe Jakup Ferri (me shtatë plagë dhe me tridhjetë koka të prera të armikut rreth veti) bashkë me 103 udhëheqës të tjerë popullor shqiptar. Jakupi kishte ndërruar jetë në Plavë më 11 janar nga plagët e marra në betejë. Sipas disa informatave Jakupin e kishte plagosur Grujo Radosheviq Bratonozhiq, ndërsa duke e mbrojtur Jakup Ferrin e plagosur që mos t’i bie malazezëve në duar, ishin vra tetë bashkëluftëtarë të tij nga Plava.

Mark Milani kishte pësuar disfatë të tmerrshme dhe i kishte 2500 ushtarë të vrarë në betejë apo të mbytur në Lim gjatë ikjes nga shqiptarët ndërsa 1200 malazezë ishin zënë robër. Nga ana shqiptare ishin 1000 të vrarë e 600 të plagosur. Jakup Ferri ishte varrosur në varrezat e Plavës, jo larg nga lagjja e Ferrajve, në të cilën, afër kullave të veta, bijtë e Jakupit: Hasani, Mehmedi, Omeri, Agani e Emini e kishin ngritur edhe xhaminë për shpirt të te atit në vitin 1901/1902, gjë të cilën e dëshmon mbishkrimi i shkruar në gjuhën osmane mbi derë në hyrje të xhamisë, i cili ekziston edhe sot.

Mbrojtja e kufijve shqiptarë në Plavë e Guci ishte rast i jashtëzakonshëm i gatishmërisë së popullit shqiptarë që t’i kundërvihen vendimeve të fuqive të mëdha e të Turqisë, e njëkohësisht është edhe fitorja më e madhe ushtarake e shqiptarëve në histori të re, të cilën e kishin arritur me forca vetjake, pa kurrfarë ndihme nga jashtë. Fal kësaj fitoreje dhe luftës së vazhdueshme të shqiptarëve edhe pas saj, rajoni i Plavës e Gucisë deri në vitin 1912 kishin mbetur “territori neutral”. Sot pasardhësit e Jakup Ferri jetojnë e veprojnë të shpërndarë në Plavë, Prishtinë, Pejë, Mitrovicë, Tiranë, Durrës, Shkodër, Stamboll, në Gjermani, Holandë, Finlandë e disa vende të tjera (në mesin e tyre ka akademikë, profesorë universitarë, arkeologë, inxhinierë, mjekë, ekonomistë, juristë, kostumografë, piktorë, muzicistë etj.) dhe e ruajnë traditën dhe gjuhën e Jakup Ferrit./ Valentina Madani-panorama.com

ObserverKult

Rexhep Ferri

Lexo edhe:

EPOKA E HEKURISHTEVE NË SHQIPËRI NË INSTALACIONE ARTISTIKE DHE INXHINIERI