E tmerrshme: Si e hodhi babai komunist foshnjën e tij nga shkëmbi

Kjo është historia e panjohur e familjes së ish-kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu, që nga periudha e Monarkisë së Zogut dhe gjatë viteve të pushtimit të Shqipërisë.

Pas kthimit të tij nga internimi në Francë, ai dhe e gjithë familja e tij u lidhën me Lëvizjen Antifashiste, duke qëndruar maleve deri në mbarimin e luftës. Ngjarja e llahtarshme e vitit 1944, kur vëllai i Mehmetit, Arshiu, për të mos u zbuluar nga forcat gjermane që po kalonin aty afër me një autokolonë, hodhi në greminë vajzën e tij gjashtëmuajshe, që qante pa pushim.

Të gjitha këto dhe ngjarje të tjera, në një intervistë me Kujtim Shehun, djalin e vëllait të ish-Kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu, i cili tregon disa nga historitë më të përfolura të familjes së tyre, si: vrasja e oficerit italian që Mehmeti e kishte pasur shok shkolle në Modena dhe kishte qëndruar në shtëpinë e tij dhe trajtimi i gabuar që i ka bërë i biri, Bashkim Shehu, asaj ngjarjeje në librin e tij, “Vjeshta e ankthit”, raportet e Mehmetit me Koçi Xoxen dhe tentativat për ta arrestuar në vitin 1947, kur ai u detyrua të fshihej në fshatin e tij, Çorush; marrëdhëniet e acaruara me Enverin, fejesa e Skënderit me Silva Turdiun dhe si u prit ajo nga vëllezërit e tij?!

Si e mësuan ata në Fier lajmin e vdekjes së Mehmetit, ardhja e tyre në Tiranë dhe qëndrimi pranë xhenazes në vilën e xhaxhait në Bllok, që ishte rrethuar me roje me mitraloza; varrimi i Kryeministrit Shehu të nesërmen vetëm me njerëzit e familjes, nën survejimin e rreptë të njerëzve të Sigurimit të Shtetit, si dhe trajtimi çnjerëzor që u bë më pas ndaj familjes së tyre, që çuan në vetëvrasjen e kunatit që u hodh nga kati i pestë në Fier dhe deri tek eliminimi fizik i vëllait të Mehmetit, Arshiut, babait të Kujtimit, që u gjet i vdekur në Urën e Mbrostarit në Fier etj. Lidhur me këto mistere e shumë fakte e ngjarje të tjera të panjohura deri më sot nga historia e familjes Shehu, na njeh intervista me Kujtim Shehun për “Memorie.al”.

Zoti Kujtim, si fillim na thoni diçka shkurtimisht për veten tuaj dhe lidhjet me familjen e Mehmet Shehut?

Unë kam lindur më 6 qershor të vitit 1954 në qytetin e Fierit dhe jam djali i vetëm i Arshi Shehut, vëllai i dytë i Mehmet Shehut.

Sa vëllezër ka pasur Mehmet Shehu dhe nga sa vetë përbëhej familja e tyre?

Babai i Mehmetit dhe njëkohësisht gjyshi im, quhej Ismail dhe ai gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut ka shërbyer si sheh i teqesë së fshatit Çorrush të Mallakastrës, prej nga është dhe origjina e familjes sonë.

Ndërsa nëna e Mehmetit dhe njëkohësisht gjyshja ime, është quajtur Sulltana dhe ajo ka qenë me origjinë nga familja Alikaj e fshatit Shkozë të Sevasterit të Vlorës, fshat i cili ndodhet jo shumë larg Çorrushit. Sheh Ismaili dhe Sulltana kanë pasur katër djem, ku më i madhi i tyre ishte Mehmeti, i cili ka lindur në vitin 1913, pas tij ka qenë babai im, Arshiu, (1918) i treti është Duro dhe i katërti, Nexhipi.

Deri në vitin 1942 që u kthye Mehmeti nga Franca, familja e sheh Ismailit ka banuar në fshatin Çorrush, duke qenë një familje e madhe patriarkale që përbëhej prej më shumë se 30 e sa frymësh. Siç më ka pas treguar babai, përveç sheh Ismailit, edhe Sulltana ka pasur një ndikim shumë të madh te katër djemtë e saj. Ajo ka qenë një grua shumë e mençur, që lexonte shumë dhe në kohën e Turqisë, teqeja e Çorrushit është bastisur dy herë nga autoritetet turke, se ajo mbante aty libra dhe abetare shqipe.

Me se merrej ajo familje dhe si e siguronin jetesën gjithë ato frymë?

Familja e sheh Ismailit, që ishte një familje me prejardhje shehlerësh, ishte në një gjendje të mirë ekonomike, në sajë të pronave dhe pasurive që kishte të trashëguara nga të parët e saj.

Deri në ç’periudhë kohe ka jetuar familja Shehu në fshatin Çorrush?

Aty nga vjeshta e vitit 1942, kur Mehmeti u angazhua tërësisht me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare, familja Shehu u detyrua që të lëvizte që andej, pasi ishte vazhdimisht në ndjekje nga forcat e Xhandarmërisë dhe autoritetet pushtuese italiane.

Kështu që, nga ajo kohë e deri në mbarimin e luftës, familja e sheh Ismailit ka qenë vazhdimisht nëpër male, duke lëvizur në Zonën e Parë Operative: Vlorë-Gjirokastër-Përmet-Tepelenë e Mallakastër. Në të gjitha ato lëvizje, për të siguruar familjen ka qenë i ngarkuar babai im, Arshiu, pasi Mehmeti ishte i angazhuar me luftën.

Një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Mehmetit na ka dëshmuar se gjatë luftës, njëri nga vëllezërit e Mehmetit ka hedhur fëmijën e tij të gjallë në greminë…

Po, kjo gjë fatkeqësisht është mëse e vërtetë dhe ai ka qenë babai im, Arshiu. Ajo gjë ka ndodhur diku aty nga vera e vitit 1944, kur gjermanët kishin ndërmarrë Operacionin e Qershorit ndaj forcave partizane.

Në atë kohë, e gjithë familja Shehu ndodhej e strehuar në një shpellë në malin e Golikut, ku ishte dhe një spital partizan. Në atë kohë, babai im Arshiu dhe nëna Semini kishin me vete vajzën e tyre gjashtëmuajshe (motrën time), e cila e kishte emrin Liri.

Ajo qante pa pushim dhe nga të qarat e saj ishte në rrezik që të diktohej shpella ku ishte spitali partizan, pasi poshtë e sipër saj ishte duke kaluar një autokolonë gjermane, që ishte në kërkim të forcave partizane.

Arshiu kishte porosi të prerë nga Mehmeti, që: familja e tyre nuk duhej të binte kurrë e gjallë në duart e armikut dhe në çastet e fundit, ai duhet t’i vriste të gjithë me dorën e vet dhe në fund, edhe veten.

Për të shpëtuar të gjithë partizanët e plagosur dhe gjithashtu familjen Shehu, babai im, Arshiu, e hodhi në greminë motrën time gjashtëmuajshe, që ishte dhe fëmija e parë.

Si e përjetoi atë moment, ç’dini ju më tepër rreth kësaj ngjarjeje të padëgjuar ndonjëherë?!

Vërtet është ngjarje e tmerrshme, por ja që ky është realiteti që ka ndodhur atëherë në familjen tonë. Në ato momente, babanë e zuri koka dhe menjëherë rrëmbeu një automatik dhe tentoi të vriste veten, por në çastin e fundit, atë ia hoqi nga dora sheh Ismaili.

Bashkim Shehu, djali i xhaxhait tuaj, në librin e tij “Vjeshta e ankthit” ka trajtuar një nga ngjarjet e periudhës së luftës, ku i ati, Mehmeti, ekzekutoi një rob italian, të cilin e kishte pasur shok dhe kishte qëndruar në shtëpinë e tij në Itali, kur të dy vazhdonin shkollën ushtarake. Këtë gjë dua ta lidh me ngjarjen e humbjes së jetës së motrës suaj të vogël që sapo na treguat. Pra, a mos ka qenë në gen ashpërsia te vëllezërit e familjes Shehu?!

Ajo ngjarje nuk është ashtu siç e ka përshkruar Bashkimi në librin e tij dhe për atë gjë, unë kam bërë debat me të.

Po si qëndron e vërteta rreth asaj ngjarjeje…?

Mehmeti, jo vetëm që nuk ka urdhëruar për ekzekutimin e oficerit italian që e kishte pasur shok shkolle në Itali, por përkundrazi, ai ia la amanet babait të tij, sheh Ismailit, duke i thënë prerë se: “Po i ndodhi gjë italianit, ai (sheh Ismaili) do përgjigjej me kokë”. Mirëpo, kur erdhi Mehmeti dhe e gjeti italianin të vrarë, nga urdhri që kishte dhënë tjetër njeri, ai, ngaqë nuk vinte dot dorë mbi të atin, nga nervat i ra murit me kokë dhe ajo plagë i pati mbetur për shumë kohë e hapur.

Nga e dini ju këtë ngjarje?

Këtë unë e di nga babai im, Arshiu, por për atë mund t’ju dëshmojnë fare mirë edhe dy xhaxhallarët e mi, Duro dhe Nexhipi, pasi ata kanë qenë prezent kur ka ndodhur ajo ngjarje.

Mehmet Shehu është akuzuar edhe për ngjarjen e pushkatimit të 67 robërve ballistë në vitin 1943, në një fshat të Myzeqesë?

Edhe ajo akuzë është bërë nga Enver Hoxha vetëm pas eliminimit fizik të Mehmetit. Ekzekutimi i robërve ballistë është bërë me urdhër të Dushan Mugoshës dhe Mehmeti ka bërë debat të ashpër me të deri në orët e vona të natës. Prezent në atë debat ka qenë dhe një nga ish-kuadrot drejtues të Brigadës së Parë Sulmuese, që më pas u bë gjeneral-major dhe ka jetuar deri vonë në Tiranë.

Ai duhet të kishte pasur kurajën civile dhe ta bënte publike atë ngjarje, ashtu siç ka ndodhur në realitet dhe jo të heshtte, ashtu siç bëri pas viteve ’90, duke mbyllur gojën. Mehmeti, vërtet mund të kishte qenë i ashpër si natyrë, por ai s’mund ta bënte kurrë atë gjë që ndodhi, pra ekzekutimin e 67 robërve ballistë, pasi është fakt se vetëm dy ditë më parë, ai kapi rob një çetë tjetër balliste dhe i la ata të lirë të iknin në shtëpitë e tyre pasi i çarmatosi. Për këtë që po ju them ka akoma dëshmitarë të gjallë dhe dokumente arkivore gjithashtu.

Ku e gjeti familjen Shehu mbarimi i luftës?

Menjëherë pas mbarimit të luftës, e gjithë familja Shehu u vendos në Tiranë, duke banuar më duket në vilën e ish-Kryeministrit, Koço Kota. Në atë kohë, Mehmeti i mori të gjithë vëllezërit e tij aty, ndërsa Duron me Nexhipin i rregulloi dhe i nisi me studime në Bashkimin Sovjetik.

Çfarë dini rreth goditjes që pësoi Mehmeti në vitin 1947, kur ai u shkarkua nga posti i shefit të Shtatmadhorisë së Ushtrisë?

Sipas asaj që më ka treguar babai im, Arshiu, në atë kohë Mehmeti e thirri atë dhe i tha që të shkonte në Çorrush dhe të hapte shtëpinë, pasi ai rrezikonte të eliminohej fizikisht.

Nga kush rrezikohej Mehmeti?

Kuptohet, nga Enver Hoxha, askush tjetër në atë kohë dhe më pas nuk mund të urdhëronte eliminimin e Mehmetit. Kjo gjë dihet mirë dhe është pranuar edhe nga Koçi Xoxe në procesin e tij gjyqësor, që ai, pra Koçi, çdo gjë e kishte bërë me urdhrin e komandantit, siç thërritej Enveri.

Ç’ndodhi me Mehmetin në atë kohë, a shkoi ai në Çorrush?

Pak ditë më vonë, edhe Mehmeti iku nga Tirana dhe shkoi në Çorrush ku qëndroi afro dy muaj aty i mbyllur në shtëpi. Gjatë asaj kohe, babai im, Arshiu, i qëndronte pranë, duke e ruajtur me automatik në dorë, se mos vinte njeri për ta arrestuar. Pasi nga sinjalizimet që kishte nga njerëzit e tij besnikë, aty rrotull përgjonin disa oficerë të Sigurimit që ishin dërguar nga Tirana për ta mbikëqyrur Mehmetin dhe gjithë shtëpinë e tij se kush hynte dhe kush dilte nga aty.

Po kështu, edhe Mehmeti kishte dhe disa njerëz besnikë të tij, që ruanin rreth e rreth shtëpisë në një perimetër të largët, duke e sinjalizuar për çdo njeri që mund t’i afrohej shtëpisë. Siç më ka treguar babai, njëherë ata oficerët e Sigurimit u afruan aq afër shtëpisë, sa kur i treguan Mehmetit, atij i hipi gjaku në kokë dhe doli jashtë duke i kërcënuar ata që, nëse nuk largoheshin menjëherë që aty, do t’ua hidhte trutë në erë. Pas atij rasti ata u larguan, por pa e hequr survejimin nga shtëpia, vetëm se u larguan disi më larg.

Ç’ndodhi më pas?

Dy muaj pas asaj ngjarjeje, babanë tim, Arshiun, e mobilizuan ushtar në Gjirokastër, gjë e cila bëhej me qëllim që ai të mos ishte pranë të vëllait, pasi ligjërisht, babait nuk i takonte të shkonte ushtar, sepse ishte në moshë të madhe dhe ai kishte qenë edhe në radhët partizane. Ato ditë që ai ishte ushtar në Gjirokastër, pranë komandës së asaj njësie ushtarake mbërriti një radiogram nga Tirana, ku kërkohej ekzekutimi i tij, por radisti e njoftoi atë që të largohej urgjent para se ai ta dorëzonte radiogramin eprorëve të tij. Kështu babai iku nga Gjirokastra, duke udhëtuar në këmbë maleve, deri sa mbërriti në fshatin Çorrush.

Sa vazhduan ato konflikte të Mehmetit me udhëheqjen e lartë në Tiranë, pra me Enver Hoxhën?

Ato konflikte vazhduan disa kohë, ku Enveri me Mehmetin u përplasën disa herë në mbledhjet e Byrosë Politike, aq sa ndërhyri ambasadori sovjetik për t’i sheshuar ato mosmarrëveshje, gjëra të cilat tashmë janë të njohura edhe nga mjaft dokumente arkivore.

Kur u kthye Mehmeti përsëri në Tiranë?

Pas një qëndrimi prej dy-tre muajsh në fshatin Çorrush, ku ai ishte vazhdimisht nën survejimin e rreptë të Sigurimit, Mehmeti u largua që andej dhe erdhi përsëri në Tiranë, ku më pas edhe u rehabilitua politikisht.

Po babai juaj me familjen, a erdhi në Tiranë?

Pas ardhjes së Mehmetit në Tiranë, babai im, Arshiu, vazhdoi të qëndronte në fshatin Çorrush, bashkë më nënën dhe motrat e mia që lindën më pas. Pak kohë më vonë, ai u vendos familjarisht në Fermën “Çlirim” në periferi të Fierit, ku punoi si mekanik, pasi mbaroi një kurs për traktorist. Në vitin 1951, babai u shpërngul që andej dhe erdhi në Fier, duke u vendosur si qiraxhi në një shtëpi private, ku qëndruam familjarisht deri në vitin 1968 dhe vetëm në atë kohë kemi hyrë në pallat. Edhe në qytetin e Fierit, babai punoi si mekanik deri aty nga viti 1965 dhe duke qenë se ishte i sëmurë me migrenë, pas atij viti punoi si magazinier në Ndërmarrjen Komunale të Fierit, deri sa doli në pension në vitin 1978.

A vinte shpesh Mehmeti te familja juaj në Fier?

Duke qenë se ai ishte shumë i zënë me punë, vinte shumë rrallë, mund të them një herë në tre-katër vjet. Por sa herë që ai kishte raste festash apo përvjetorët e ditëlindjes, dërgonte makinën e tij në Fier për të marrë Arshiun.

Po dy vëllezërit e tjerë të Mehmetit, Durua dhe Nexhipi, me çfarë punësh u morën?

Durua, pasi studioi në shkollën ushtarake në Bashkimin Sovjetik, u kthye në vitin 1959 dhe shërbeu si oficer në Shkollën e Bashkuar dhe më pas në Komandën e Aviacionit Luftarak, ku dhe u arrestua në vitin 1982. Edhe Nexhipi, pasi mbaroi një shkollë ushtarake në Bashkimin Sovjetik, shërbeu disa kohë në bazën e Pashalimanit e Kuçovë e pasi u lirua nga Ushtria, punoi në Elbasan si nëndrejtor në një ndërmarrjeje tregtare. Më pas punoi në Degën e Shfrytëzimit të Automjeteve në Durrës dhe në vitin 1981, pas ngjarjes së Mehmetit, atë e dërguan në Kavajë ku dhe doli në pension.

Po mallakastriotët e tjerë që nuk kishin lidhje gjaku apo miqësie me Mehmetin, a shkonin tek ai për problemet që kishin?

Duke qenë se Mehmeti ishte tepër i zënë me punë, mallakastriotët apo edhe njerëzit e afërt të fisit tonë, për ndonjë problem që kishin shkonin te gjyshja jonë, Sulltana. Ajo ishte një grua me karakter të fortë dhe e vetmja që kishte një ndikim absolut tek i biri i saj, Mehmeti. Kur vdiq ajo në vitin 1972, Mehmeti dha porosi që të hapeshin dyert për këdo që dëshironte të vinte për ngushëllim dhe të mos pengohej asnjë njeri, kushdo që të ishte. Me atë rast erdhën shumë vetë për ngushëllim, deri dhe njerëz që sapo kishin dalë nga burgu politik. Në varrimin e saj mori pjesë edhe Enver Hoxha dhe e gjithë Byroja Politike. Pas vdekjes së Sulltanës, vendin e saj si nënëmadhe e zuri Fiqretja, së cilës ne i drejtoheshim sa herë që kishim halle dhe probleme. Ajo e mori vetë përsipër atë gjë dhe bënte shumë jo vetëm për fisin tonë, por dhe për mallakastriotët e tjerë. Ne vazhdimisht të gjitha shpresat i kishim te Fiqretja.

Kur u bë fejesa e Skënderit në vjeshtën e vitit 1981, a shkuat ju si familje për ta uruar?

Fejesën e Skënderit ne e morëm vesh nga Mehmeti, që i telefonoi babait, Arshiut, dhe ai e uroi po në telefon, por edhe nga motra jonë, Shqiponja, e cila ishte rritur dhe kishte dalë nuse nga shtëpia e Mehmetit në Tiranë. Në atë kohë, Arshiu ishte i sëmurë me migrenë dhe nuk mund të vinte dot në Tiranë për urim, por erdha unë me të fejuarën time, pasi unë isha fejuar pak kohë para Nelit e sipas zakonit, çova nusen për ta prezantuar me familjen e xhaxhait dhe gjithashtu urova fejesën e Nelit. Kur shkuam ne aty, si Mehmeti ashtu dhe Fiqretja ishin shumë të lumtur e të gëzuar për atë fejesë, sepse ata e kishin pikë të dobët Nelin. Mehmeti atë ditë m’u duk sikur ishte i rinuar.

Kur shkuat ju për urim, a gjetët ndonjë nga udhëheqja e lartë aty?

Kur shkuam ne dhe sa kohë qëndruam aty nuk erdhi njeri, por kur ishim duke dalë bashkë me Fiqretin që po na përcillte, u takuam me Ramiz Alinë dhe bashkëshorten e tij, që po vinin aty për urim.

Si e mësuat ju prishjen e fejesës dhe a dinit gjë rreth kontradiktave apo ftohjes që kishte filluar në mes Enverit dhe Mehmetit?

Prishjen e fejesës ne e mësuam nëpërmjet informacioneve që kishim nga njerëzit tanë të afërt që kishim në Tiranë, por gjithashtu edhe nga fjalët që filluan të përhapeshin kudo.

Nuk i tha gjë Mehmeti babait tuaj, Arshiut?

Jo, nuk i tha gjë, nuk mund të bëheshin ato muhabete në telefon. Por megjithatë, babai e ndjente se diçka e madhe po ndodhte me vëllanë e tij dhe ai vazhdimisht ishte në tension e stres të vazhdueshëm. Një javë para vdekjes së Mehmetit, aty nga data 11 dhjetor 1981, ai u ngrit natën nga gjumi dhe erdhi në dhomën time, ku pasi hapi dritën, më prekte nga trupi se mos kisha gjë. Atë moment unë e qetësova dhe ai ra e fjeti përsëri, por të nesërmen më tregoi se kishte parë një ëndërr sikur mua më kishin masakruar me thika dhe i tmerruar erdhi për të më parë nëse kisha gjak në trup. Ajo gjë i vinte pasi ai vazhdimisht e kishte mendjen te Mehmeti, sepse i kishte marrë vesh konfliktet që ishin hapur me Enverin.

Si e mësuat vdekjen e Mehmetit dhe kush ju njoftoi për atë gjë?

Në paraditen e 18 dhjetorit të vitit 1981, si çdo ditë tjetër të zakonshme, unë ndodhesha në punë pranë Parkut të Automjeteve të Naftës në Fier, ku punoja si inxhinier mekanik dhe nuk dija asnjë gjë se çfarë kishte ndodhur në Tiranë me xhaxhanë tonë, Kryeministrin e Shqipërisë. Aty nga pasdrekja e asaj dite, xhaxhai tjetër, Durua, kishte telefonuar nga Tirana në shtëpinë tonë dhe i kishte thënë babait tim, Arshiut, që të nisej urgjent për në Tiranë te shtëpia e vëllait, Mehmetit. Gjatë asaj bisede të shkurtër telefonike, Durua nuk i kishte treguar fare babait se çfarë kishte ndodhur me vëllanë e tyre, por e kishte mbyllur fjalën e tij, duke i thënë se atë urdhër për të shkuar urgjent në Tiranë e kishte dhënë vetë Enver Hoxha. Pas kësaj, babai më mori mua në telefon dhe të dy dolëm e shkuam te Kryetari i Komitetit, Ligor Çifligu, i cili u tregua shumë i gatshëm duke na dhënë autoveturën e tij për të ardhur në Tiranë.

Kur erdhët në Tiranë dhe ku shkuat fillimisht?

Në Tiranë erdhëm aty nga ora gjashtë e mbrëmjes dhe shkuam direkt te shtëpia e motrës sonë, Shqiponjës. Aty ne mësuam rreth asaj që kishte ngjarë, pasi kunati ynë, Pirro Stefani, që punonte si drejtor drejtorie në Ministrinë e Jashtme, na tha se i kishin mbledhur urgjent në ministri dhe ua kishin komunikuar lajmin, duke u thënë se Mehmet Shehu kishte vrarë veten dhe me atë gjest, ai ishte një armik i partisë. Pak minuta më vonë, ne dëgjuam edhe njoftimin zyrtar të Komitetit Qendror, që u transmetua nga Radio-Televizioni Shqiptar në edicionin e lajmeve të orës 20, pas së cilës u dha një emision muzikor.

A shkuat atë natë te vila e Mehmetit?

Pas asaj që na tha kunati ynë dhe lajmit zyrtar, unë me babanë, Arshiun, dolëm menjëherë jashtë dhe u nisëm për në drejtim të vilës së Mehmetit në Bllok. Ato momente binte një shi i rrëmbyer dhe gjatë gjithë rrugës, që nga “21 Dhjetori” e deri te postblloku në hyrje të Komitetit Qendror, na ndiqnin nga pas disa oficerë të Sigurimit të veshur civilë, të cilët unë i njihja mirë si fytyra.

Çfarë vutë re kur shkuat aty, si ishte situata rreth Bllokut?

Aty te Blloku ishin shtuar masat e sigurisë si rrallë ndonjëherë tjetër dhe përveç oficerëve të shumtë që shiheshin kudo, ishin dubluar dhe ushtarët që mbanin në krahë mitraloza të lehtë. Te postblloku, pa na vonuar shumë, na lanë të hynim pasi unë i thashë oficerit se isha i nipi i Mehmetit dhe babai im ishte i vëllai i tij./(panorama.al)

ObserverKult

LEXO EDHE: MIZORITË E KOMUNIZMIT NDAJ 20-VJEÇARES: IA SHKULËN DHËMBËT E FLOKTË, IA MBUSHËN GOJËN ME KRIPË E S’I DHANË UJË PËR DY DITË…