Nga: Ylli Polovina
Kur doktor Dhimitër Papastefani u fejua me Karmenin, mësoi se jo vetëm dy vëllezërit e saj, Guido dhe Encio, por edhe i ati, Milto Xhimitiku, patën kaluar burgime politike. Ndërsa dy të parët tashmë ishin të lirë, personi i cili do të kishte qenë vjehrri i tij, nuk jetonte më. Pati vdekur në Spitalin e Burgut. Kur u kërkuan trupin, vetë drejtori, i cili dëshironte të mos ishte i ashpër, u tha se kjo gjë nuk ishte e mundur. Ishte rregull zyrtar. Shtoi se për të vdekurin gjithsesi do të kishte një varr, por se ku ndodhej nuk duhej ta dinin. Madje nuk duhej as ta kërkonin.
Kur Karmeni dhe Roza i treguan këtë histori, Dhimitër Papastefani nuk pyeti më për hollësi të tjera. Atij i duhej të ruante e shpëtonte dashurinë e tij, si edhe familjen e ardhme. Ato nuk ia treguan ditët e para të fejesës zyrtare as foton e Milto Xhimitikut. Kur nisi ritin e vizitave te të afërmit e të fejuarës, në dhomën e pritjes së xhaxhait të saj Lilo Xhimitiku, i cili ishte fotografi më i njohur i qytetit, varur në mur, Dhimitrit i mbeti vështrimi në foton e një burri me flokë të thinjur dhe me mustaqe të holla.
Për të kjo ishte pamje mjaft e njohur. Atë njeri mund ta kishte parë e prekur mbi tridhjetë herë. Ishte një nga kufomat që përdornin në fakultet. E pati fiksuar në kujtesë që në vitin 1959, kur sapo kishte nisur studimet për Mjekësi. Në sallën e madhe të morgut, ndërsa nga duhma e formalinës të gjithëve u digjnin sytë, punonjësi i moshuar me emrin xha Naun, me një kanxhë hekuri u nxirrte nga vaskat, ku trupat notonin, atë kufomë që ata kërkonin. Ato nuk kishin emra, madje as numra.
Identifikoheshin sipas ndonjë karakteristike të dukshme fizike. Kështu ai njeri që tashmë po e shihte në shtëpinë e xhaxhait të së fejuarës dhe që patjetër duhej të kishte një lidhje të afërt me ta, thirrej “ai me mustaqet spic”.
Për ato kufoma, ishte lënë të nënkuptohej se shteti nuk kishte pasur asnjë mëshirë, thuhej më së shumti se kishin qenë armiq, spiunë të të huajve apo anëtarë bandash të parashutuara për sabotim dhe akte terroriste. Ndonjëherë përflitej se mes tyre kishte edhe të dënuar ordinerë, të braktisur nga familjet apo edhe të paidentifikuar.
Atë pasdite të vonë, ndërsa ishte në vizitën e mirësjelljes, Papastefani nuk e bëri pyetjen se çfarë lidhje kishte me të fejuarën e tij ajo foto. E kreu këtë veprim sapo u gjend vetëm për vetëm me Karmenin. Ajo, me një mbajtje të beftë fryme, iu përgjigj se ishte i ati.
Dhimitri u mpi. Për disa minuta të tëra nuk ndjeu të kishte trup dhe gjymtyrë. Pastaj, duke bërë kujdes të mos i shkaktonte ndonjë traumë, filloi t’ia shpjegonte të vërtetën. Po atë mbrëmje ia thanë edhe Rozës. Në shtëpi një bombë e hedhur në mes të dhomës do të ishte më pak e tmerrshme se ai lajm.
***
Milto Xhimitikun e patën arrestuar nëpër natë, bashkë me të dy djemtë e tij. Ishte prilli i vitit 1950. Ishin duke pritur festimin e Pashkëve, madje familjarisht patën bërë edhe një foto të gëzueshme. Ato çaste Roza ndodhej në spital, turni i tretë.
Pranguesve që erdhën nga errësira Milto iu lut nëse mund të fliste me të shoqen. Ajo duhej të vinte patjetër të merrte vajzën gjashtë vjeçe, ndryshe vogëlushja do të mbetej fillikat. Ardhësit e paftuar nuk kundërshtuan. Roza mbërriti si të kishte pasur krahë shqiponje. Pastaj shtëpia menjëherë u boshatis.
Ata të tre, me hekura në kyçet e duarve, ikën në heshtje. Nga ky moment Karmeni mban mend vetëm terrin e sallonit të vogël dhe zërat e folësve, që dukej sikur i vinin prej fundit të një shpelle. Gjithçka tjetër, nga tronditja e madhe, ndoshta edhe si fat për ta shpëtuar prej ndonjë traume psikike shkatërrimtare, i është fshirë përfundimisht. Në vend të pamjes së gjërave, kur e pyet, i rizgjohet vetëm një vetëndierje rrëzimi në humnerë.
I dënuan në shtator. Nga dhjetë vite djemtë, njëzet Miltos. Dyfish të atit, “sepse nuk ke ardhur t’i denoncosh”. Roza e pati diktuar me kohë që Guido dhe Encio, bashkë me tre të rinj të tjerë, ku patjetër njëri duhej të ishte spiun i shtetit, mbylleshin në dhomë. Dhe sa herë që kjo ndodhte, u prishte takimin, duke i dëbuar me bishtin e fshesës. Por në rast se dy djemtë e saj mund ta kishin prekur diku namuzin e regjimit, i shoqi nuk ishte përzier fare. Ai për nga natyra nuk bënte dot guxime të tilla.
U konfiskuan shumicën e orendive të shtëpisë dhe ato, dy femrat e mbetura pa pjesën tjetër të familjes, jetuan ca kohë në spital. Shpejt i larguan nga Kuçova dhe i vendosën në Berat. Aty Roza kishte qenë dy dekada, duke filluar nga viti 1926, kur erdhi nga atdheu i vet me në krahë studentin shqiptar Milto Xhimitiku.
Ishin njohur dhe dashuruar në Napoli, në pension-hotelin e vogël të tezes së saj. Atë vit ishte punësuar si mamie e bashkisë, ndërsa i shoqi nisi punën e përkthyesit pranë atasheut ushtarak italian Gustavo Gambara, kolonel. Kur ky në vitin 1932 u largua, e rekomandoi Milton te shoqëria naftënxjerrëse AIPA në Kuçovë. Këtu nisi profesionin e llogaritar-arkëtarit, madje pothuaj të një shefi zyre. Roza i shkoi nga pas, bashkë me fëmijët. Vetë punoi si mamie. Pa mbaruar lufta, Guido dhe Encio shkuan në Itali dhe kryen shkollën.
Tashmë që po kapërcente viti 1950 dhe familjen e përgjysmuar e mbartën në Berat, autoritetet lokale për t’i strehuar, i sollën të ndëshkuarit drejt e në katoin e një shtëpie private. Deri pak kohë më parë ajo hapësirë përdhese ishte përdorur për të mbajtur një lopë. Sapo njerëzit e pushtetit ikën, i zoti i shtëpisë i mori lart, te tri dhomat e familjes së tij dhe u tha se mund të zgjidhnin njërën prej tyre. Në katua nuk do të jetonin kurrë. Kështu edhe ndodhi.
Italiania Roza duhej tanimë të priste daljen nga burgu të të shoqit dhe të dy djemve. Vitet po iknin dhe ajo ishte optimiste se një ditë do t’i kishte të tre pranë vetes. Milton për ta gëzuar si bashkëshort dhe dy çunat për t’i martuar. Ndërkohë, ndonjëherë edhe me Karmenin e vogël përdore, i shkonte të shoqit në burg.
Ca kohë mori rrugën edhe për në kampin e punës në Zadrimë të Shkodrës. Kur Milto, i sëmurë rëndë prej një të ftohti dhe me diabet mjaft agresiv, u shtrua në Spitalin e Burgut të Tiranës, ajo i solli ushqime për sa mundi ekonomikisht dhe për sa e lejuan. Luftoi me të gjithë forcën e shpirtit t’ia përmirësonte shëndetin. Por ai më 1958-n vdiq.
Për vite të tëra Roza ishte përpjekur t’u kujtonte autoriteteve se gjatë luftës të dy e patën ndihmuar shumë lëvizjen partizane. Ajo kishte nxjerrë fshehtas me çantën e saj të vogël, mes kontrollit të rreptë të spitalit italian, alkool, jod, fasha, leukoplast, tableta dhe ilaçe të ndryshme.
Ishte përpjekur t’u sillte ndërmend po ashtu se edhe i shoqi për partizanët pati bërë atë që në rrethana të tjera kurrë nuk do ta sillte as ndërmend: vjedhjen. Milto Xhimitiku, financieri me korrektesë shembullore për çdo qindarkë të llogarisë së AIPA-s, kishte marrë ilegalisht dhe nisur për në mal një makinë daktilografimi. E kishte nxjerrë nga zyra e tij.
Italianët e diktuan dhe menjëherë e burgosën. Ai nuk e pranoi akuzën. Pas dy javësh në birucë, nga që nuk ia provuan dot, e liruan. E rikthyen në punë, por tashmë në një shkallë më të ulët: si pagator i thjeshtë.
***
Karmeni do të ishte me më shumë fat se dy vëllezërit. Ajo dhunë politike në të vërtetë nuk e harroi, por gjithsesi ndonjëherë e kurseu. Plot hire në të sjellë, femër e matur, e mençur dhe e kujdesshme me të tjerët, shumë e ëmbël dhe komunikuese, shpirtgjerë dhe e përkushtuar pas punës, mbi të egërsia e ideologjisë së kohës do të përmbahej. “Lëshime” i bënte edhe fisi i të atit. Dy vëllezërit e saj qenë me dy emra, një italian dhe tjetri shqiptar. Ky ishte një mirëkuptim që kur çifti erdhi nga Italia. Encio quhej edhe Leonidha, Guido thirrej edhe Andon. Karmenit e ëma ia kishte vënë emrin e dytë Marie, por çuditërisht ai nuk u përdor kurrë as nga prindërit dhe as prej fisit Xhimitiku.
Në jetën e saj nga shitëse e përkohshme, “me zëvendësim”, në një ndërmarrje ushqimore, u bë për disa vite “e përhershme”.
Më pas e trajtuan më mirë, si inventarizuese. Kur ngrinte shkumë dallga e re e luftës së klasave, për ta mbrojtur, dashamirët e së ëmës, mamisë që pati qenë e çmuar në lindjen e mijëra fëmijëve, e zhvendosnin për vetëm disa muaj në punëtore. Pastaj e rikthenin në pozicionin e para goditjes, të paktën shitëse. Gjithçka ndryshoi më 1985-n, kur pas vdekjes së Enver Hoxhës, shenja zbutjeje në të vërtetë kishte.
E hoqën si shitëse dhe e dërguan punëtore paketimi, në periferi të qytetit. Duhej nga një thes i madh të merrte sheqer apo oriz e miell dhe t’i fuste në qeska letre njëkilëshe. Norma ishte 1021 në tetë orë. Në javët e para mezi bënte gjysmën e tyre dhe pak nga pak diçka më tepër. Shoqet e asaj pune të mundimshme, më të forta dhe më të stërvitura, e ndihmonin përditë.
Guido, armiku dhe shpëtimtari
Ishte moti 1952 dhe nxjerrja e naftës në Kuçovë, e cila prej një viti njihej me emrin e ri Qyteti Stalin, u ndërpre. Ishte djegur motori i TEC-it. Në Vlorë cisternat e ardhura nga “kampi socialist” prisnin varg. Pajisja ishte italiane dhe pas dy javësh përpjekjeje pa rezultat nga specialistët çekë dhe rusë, u kuptua se shpresa e vetme ishte ndonjë i mësuar nga inxhinieri i mëparshëm, Marineli.
Ky specialist ishte i njohur për drejtuesit e naftënxjerrjes: Guido Xhimitiku. Autoritetet komuniste në vitin 1948, kur Marineli kërkoi të riatdhesohej, i patën vënë kusht të përgatiste dhe linte një zëvendës. Mes të rinjve që punonin në TEC, ai zgjodhi të birin e bashkëkombëses Roza.
Pafundësisht ajo iu lut të mos i vinte të birit nëntëmbëdhjetëvjeçar atë barrë të rëndë, por tjetri nuk u tërhoq prej vendimit të tij. Guido ishte mjaft i talentuar. Kështu ky një ditë mori nën përgjegjësinë e tij teknike makinerinë e ndërlikuar. Pastaj ndodhi që e futën në burg, duke i hedhur mbi shpinë fajet se dëgjonte “Zërin e Amerikës”, kryente agjitacion e propagandë dhe pati bërë tentativë për rrëzimin e pushtetit popullor.
Në fillim të javës së tretë të bllokimit të naftënxjerrjes, në qytet erdhi vetë Mehmet Shehu. Sapo i thanë që për rregullimin e motorit ekzistonte një mundësi, por personi gjendej në burg, urdhëroi ta sillnin para tij.
“Doje të përmbysje pushtetin popullor?”, i kërcëlliu dhëmbët sapo Guido iu shfaq përpara. Ky u bë gati të justifikohej, por Kryeministri iu vërsul: “Po nuk të vara te trekëndëshi që do të vë në hyrje të TEC-it, mos më thënçin Mehmet Shehu! Sa të kanë dënuar?” I riu iu përgjigj me marrje goje, por tjetri ia preu: “Duhet të bashkëpunosh! Shko ta shohësh dhe ndreqësh motorin! Unë nuk iki që këtej pa u vënë ai në punë. Sa kohë do?” Guido shqiptoi “afro tri javë”, por Kryeministri u nervozua edhe më shumë:“Më shpejt!” “Po të paktën dhjetë ditë”.
“Më shpejt!”, bërtiti Mehmet Shehu. “Një javë”. “Më shpejt, më shpejt dhe tani ik në TEC!”, ishte thirrma e fundit. Me një polic te koka, të cilin mirësisht ia zgjodhën të ishte miqësor, Guido e rregulloi defektin e rëndë në tri ditë të pagjuma. Kur ia risollën para, Mehmet Shehu shqiptoi: “Tani je i lirë, por kjo që po të them do të të vijë zyrtarisht. Që tani e tutje do të punosh për ekonominë e socializmit. Për çdo hall e problem pune do të vish drejt e tek unë!”
Urdhri i lirimit mbërriti shumë shpejt dhe pas kësaj Guidon e mobilizuan ushtar. Më pas punoi në parkun e automjeteve të Urës Vajgurore dhe prej këtej në Ministrinë e Industrisë dhe të Minierave. Deri sa doli në pension kreu shumë shpikje, ndonjë, si G84, e bërë e famshme në shtypin e kohës. Ishte një pajisje helmete minatori me dritë mbi krye. Gjer atëherë ato i blinin në Poloni.Guido edhe u dekorua.
Dy dënimet e Encios
Encio pas burgut punoi në minierën e Bulqizës. Edhe ai ishte një teknik i përsosur, novator dhe shpikës po ashtu. U bë i adhuruari i drejtorit të njohur të saj, Teodor Bozo. Kur ky iku në një detyrë tjetër dhe menjëherë nga paaftësia e drejtuesit të ri realizimi i planit filloi të çalonte e më vonë të shndërrohej në problem të të gjithë shtetit, atë e arrestuan. Ishte pesëdhjetë e dy vjeç. Ishte 1 janar i 1985-s.
Ata, të cilët qenë përgjegjës për këtë gjendje rrënimi të minierës që nxirrte valutë për arkën e zbrazur të buxhetit, mes tyre edhe një ministër anëtar i Byrosë Politike, për të shpëtuar nga ndonjë ndëshkim, përdorën armën e vjetër të Partisë: shpikën sabotatorin, armikun. Ky nuk mund të ishte veç Encios, teknik i puseve, i burgosur njëherë për politikë, me të atin po ashtu…
Njerëz të Sigurimit të Shtetit bënë fshehurazi me dinamit një shpërthim në një nga puset nëntokësore dhe faji “i gabimit teknik” iu hodh viktimës së paracaktuar. Meqë kjo ishte fare pak dhe i arrestuari nuk e pranoi, iu hartua akuza se ishte agjent i italianëve, i rusëve, i jugosllavëve…
Ngaqë Encio rezistonte për të mos pranuar atë që jo vetëm nuk e pati kryer, por as edhe shkuar ndërmend, hetimi zgjati plot 19 muaj. Pothuaj çdo ditë një njeri i maskuar hynte në dhomën ku merrej në pyetje dhe e rrihte egërsisht.
E futën të gjallë edhe në një arkivol. Gjatë të ftohtit të dimrit të Peshkopisë, ku e mbanin të izoluar, e lanë vetëm me një këmishë fanellate në trup. Iu verbua njëri sy. Zemra iu dobësua dhe përherë e më shpesh filloi të binte në aritmi. U katandis një i gjallë i pavarrosur. Më tej nuk duroi më dhe vendosi të vetëvritej. Provoi disa herë. Nuk mundi. Ia kishin hequr çdo mjet për ta bërë. Atëherë firmosi çfarë deshën ata.
U dënua me 22 vite burg. Në Spaç fillimisht, ku njëherë iu desh t’i hapë vend pranë vetes, për të fjetur, djalit të Mehmet Shehut. Më pas e çuan në Sarandë. Këtu qyteza me burgun quhej “Përparimi”. Emrin e para diktaturës, të vërtetin, e kishte Shën Vasili. U lirua në prill 1991, ndër të fundit. Nuk e takoi dot të ëmën. Roza pati ndërruar jetë në njëzetenjë shkurt. Ajo prej pak kohësh kishte ardhur në Laprakë të Tiranës, ku për të persekutuarit nga regjimi komunist patën dhënë disa banesa të thjeshta.
Encios i pushoi zemra ditën që bëri vizitën te krushku i ardhshëm, ku po fejonte djalin. Ishte 30 shtator 1991. E kishte zgjedhur nga Bulqiza, qytetit që i kishte përkushtuar gjithë jetën. U varros në periferi të kryeqytetit, në vendin e quajtur Sharrë.
Në Sharrë varri i prindërve të tyre ka fotot e të dyve. Roza, kur i vjen Karmeni dhe Guido, si edhe nipërit e mbesat, nga çdo pozicion që ata u afrohen t’i rrinë pranë, duket sikur i ndjek me sy. Kurse Milto i urtë vazhdon t’u buzëqeshë, përherë sikur diçka të gëzueshme do t’u thotë. Por nën mermer vazhdojnë të jenë vetëm një palë eshtra./kujto.al
*Ky shkrim është publikuar fillimisht në gazetën Shqip
——————
Lexo edhe:
Diti Biçaku rrëfeu qelitë e ftohta dhe çastet e fundit të Sabiha Kasimatit…
ObserverKult