Historia tragjike e dashurisë, me lojën e Trebickës dhe Laura Nezhës ngjitet tek ‘Arturbina’

“Zogu i zi”, drama e David Harrower është një pjesë e tmerrshme teatrore, thellësisht shqetësuese, emocionalisht e brishtë, që të lë pa frymë dhe të lënduar. Pjesa ka poezi të brendshme dhe shoqërohet me tërbim, frikë dhe të panjohura. Kjo dramë me regji të Kiço Londos do të shfaqet në datat 21, 22, 23 dhe 24 nëntor tek Arturbina, në orën 19.00 të mbrëmjes. 
Regjisori Londo ka përzgjedhur tre aktorët, që do t’i japin përmasat e duhura një dialogu të madh me shoqërinë në trajtimin e çështjeve të nxehta duke përfshirë kufijtë ligjor si dhe pozicionin human në botën moderne. Ata janë Laura Nezha , Alfred Trebicka dhe Rexhina Ibro. 

Kiço Londo shprehet se “synimi i ngjitjes në skenë të një tragjedie, që përsëritet shpesh në shoqërinë njerëzore, është që të përjetohet pikërisht ajo që fshihet përtej ngjarjes.” 
Në këtë dramë rrëfehet se 15 vjet pas historisë së dashurisë tragjike në kohë të gabuar  të 12 vjeçares Una me 41 vjeçarin Rei, histori e cila ka shkatërruar jetët, Una shfaqet përpara tij. Ajo ka ngrirë në kohë, pa shpresë.

Në pamje të parë, duket sikur Una vjen për hakmarrje, për larje hesapesh, por motivet e ardhjes janë më komplekse, sepse marrëdhënia e tyre ka qenë më e komplikuar se marrëdhënia e abuzuesit me viktimën.

Ajo, e siguron se e do. Ai, i shtrënguar dhe në ankth, e siguron se nuk ka patur ndjenja për ndonjë vajzë tjetër aq të re, duke u përpjekur për t’i shpëtuar përmbytjes së një dashurie të çmendur, që te Una ka mbetur e njëjtë.

Kujtimet erotike përzihen. Intensiteti arrin kulmin ndërkohë që personazhet zbulojnë ndjenjat dhe të vërtetat e fshehura mirë ndër vite, në lidhje më atë që realisht ka ndodhur para 15 vitesh.
Dy fantazma të së tashmes, të pafajshëm sa dhe fajtorë, dy njerëz që jetuan diçka të mrekullueshme dhe të frikshme njëherësh, që shoqëria dhe ligji i etiketoi abuzuesi dhe viktima. Kjo është skena ku do të luhet, duke nisur që nga dita e enjte për katër ditë rresht nga aktorët Nezha , Trebicka dhe Ibro, “Zogu i Zi”/shqiptarja