Historia tragjike e njeriut më të zgjuar që ka parë bota

Konsiderohet njeriu më inteligjent në botë, me një mendje të mrekullueshme dhe një inteligjencë mes 250 dhe 300 pikëve. Uilliam Xhejms Sidis (William James Sidis) konsiderohej një makinë e vërtetë llogaritëse dhe gjeni i linguistikës, dikush nga i cili priteshin suksese të jashtëzakonshme falë inteligjencës që zotëronte. 

Megjithatë, atij iu desh të përballej me problemin që e shoqëroi përgjatë rrugëtimit të jetës, duke e shpënë drejt vdekjes së parakohshme: trishtimin. Imagjinoni një fëmijë vetëm 18-muaj, që lexon “New York Times”, 8-vjeç fliste rrjedhshëm frëngjisht, gjermanisht, rusisht, turqisht dhe armenisht, duke dominuar latinishtja dhe natyrisht anglishtja, gjuha amtare. Imagjinoni një fëmijë 9-vjeçar, i cili arriti të krijojë një gjuhë të re të quajtur “vedergood”, e studiuar nga gjuhëtarët dhe e gjykuar si e plotë, e saktë dhe magjepsëse.

Uilliam Xhejms Sidis lindi në Nju Jork, më 1 prill 1898, djali i dy emigrantëve hebrenj nga Rusia. Për të është thënë e shkruar shumë, po siç ndodh rëndom në këto raste, për fat të keq, përfundon duke përzier trillimin me realitetin, ekzagjerime të dhënash e biografi të trilluara me penën e artistikes dhe bojën e fantazisë, kur në fakt pati një jetë të vështirë – megjithëse jashtëzakonisht interesante nga pikëpamja psikologjike. Dëshmitë dhe dokumentarët ilustrojnë elemente tejet të rëndësishëm, njëri në veçanti me rëndësi themelore: Uilliam Xh. Sidis nuk pati kurrë fëmijëri, nuk iu lejua të jetonte si fëmijë, pikërisht për shkak të inteligjencës së jashtëzakonshme. Kur ishte 9-vjeç u pranua në Universitetin e Harvardit, kurse një natë të acartë janari 1910, në moshën 12-vjeçare, ai mbajti leksionin e parë mbi dimensionin e katërt përpara shtypit dhe komunitetit shkencor të kohës. Prindrit, një psikolog i njohur rus dhe një nga mjeket më të rëndësishme të kohës, kishin një qëllim të qartë: dëshironin që ai të ishte gjeni, njeriu më i zgjuar në botë. Iu përkushtuan kultivimit të mendjes, duke lënë pas dore atë që ishte shumë më e rëndësishme: zemrën, ndjenjat e tij.

Gjenetika, prirja dhe një mjedis veçanërisht i favorshëm

Prindërit e Uilliamit kishin mendje brilante, një faktor i rëndësishëm gjenetik bazë e inteligjencës së lartë të zhvilluar tek djali i tyre. Qëllimi i çiftit për të ardhmen e fëmijës ishte njëherazi i qartë dhe i diskutueshëm: ata donin të trajnonin trurin e djalit që të bëhej gjeni. Përveç gjenetikës, favorizohej assesi edhe nga mjedisi rrethues, veçanërisht stimulues dhe i orientuar drejt një qëllimi specifik. I ati, Boris Sidis, përdori teknika të sofistikuara, përfshirë hipnozën, për të maksimizuar aftësitë dhe potencialin e të birit. E ëma la mjekësinë për t’iu përkushtuar edukimit, duke përdorur strategji risie në mësimdhënie. Sidoqoftë, nuk mund të mohohet se Uilliami ishte i prirur për të mësuar, edhe pse një aspekt i jetës e shënoi dhe e traumatizoi përgjithnjë: ekspozimet në publik dhe mediet.

Prindrit botonin raporte akademike për të dokumentuar përparimin e djalit. Shtypi, si dhe komuniteti shkencor, nuk e linin rehat. Gjatë kohës në Harvard, shtypi e përndoqi në kuptimin e vërtetë të fjalës. Pasi u diplomua shkëlqyeshëm, duke i lënë gojëhapur akademikët me teoritë e tij për dimensionin e katërt, u transferua në Universitetin e Hjustonit për të dhënë leksione matematike, ndërkohë që filloi të studionte për jurisprudencë. Ishte vetëm 16-vjeç, kur mendja i tha: “Mjaft”. Më pas, filloi ajo që ai vetë, e quajti pelegrinazhi drejt ferrit.

Pavarësisht inteligjencës, Uilliami nuk e përfundoi jurisprudencën, as ndonjë tjetër. Nuk ishte as 17-vjeç kur vendosi të rebelohej ndaj mjedisit akademik e eksperimental, që e detyruan të ndihej si kavie laboratori, i vëzhguar me lupë dhe i analizuar në çdo aspekt e mendim. Në vitin 1919, u arrestua për rekrutim të rinjsh dhe nisjen e një demonstratë komuniste, mirëpo falë ndikimit të prindërve dhe famën që kishte, u lirua menjëherë. Sidoqoftë, një gjë e tillë u përsërit, kur, për t’u mbrojtur nga prindrit dhe nga vetë shoqëria, ai nxiti një kryengritje të rinjsh kundër kapitalizmit dhe u tregua shumë arrogant para gjykatësve. U dënua me 2-vjet, duke marrë kështu atë që dëshironte aq shumë: vetminë dhe izolimin.

Pasi rifitoi lirinë, gjëja e parë që bëri Uilliam Xh. Sidis ishte të ndryshonte emrin. Dëshironte një jetë në hije, megjithatë si shtypi, ashtu edhe prindrit vazhduan ta gjurmonin, duke e detyruar të ndërmerrte një pelegrinazh në Shtetet e Bashkuara, kohë kur kërkoi punë sporadike dhe iu përkushtua asaj që dëshironte më shumë: të shkruarit. Botoi disa punime me pseudonime të ndryshme, shkroi libra mbi historinë e tij, por edhe mbi teoritë mbi vrimat e zeza. Sipas ekspertëve, mund të ketë dhjetëra libra të harruar që fshehin, prapa një identiteti të rremë, figurën e Uilljam Xh. Sidis.

Një fund i parakohshëm dhe në vetmi

Uilliam Xh. Sidis dashuroi vetëm një grua: Marta Folei, një aktiviste irlandeze, me të cilën pati një marrëdhënie komplekse dhe të trazuar. Fotografia e saj ishte e vetmja që ata gjetën midis rrobave, kur trupi i tij u gjet i pajetë, në një apartament të vogël në Boston, në vitin 1944, në moshën 46-vjeçare, nga një hemorragji cerebrale.

Uilliam Sidis i kaloi vitet e fundit, nga njëra gjykatë në tjetrën. Shtypit i pëlqente ta përkufizonte: “Fëmija i mrekullueshëm që nuk arriti asgjë, tani ngashërehet ndërsa punon magazinier”, “Njeriu më inteligjent në botë, bën një jetë të mjerueshme”, “Rrënohet gjeniu i matematikës dhe linguistikës”, “William J. Sidis u lodh së menduari”.

Nuk dihet nëse u lodh vërtet duke menduar, apo edhe së jetuari. Sidoqoftë, nga leximi i biografive del qartë se ai u lodh nga shoqëria, familja dhe mjedisi akademik që kishin pritshmëri shumë të mëdha, madje para se të lindte. Ai u lodh duke mos qenë në gjendje të ishte vetvetja dhe, kur kishte mundësi ta bënte, nuk mundi. Ishte ekspert i dimensionit të katërt dhe vrimave të zeza, por tema më e rëndësishme në jetë, arti i të mësuarit dhe të luftuarit për lumturinë e vet, gjithmonë i shpëtonte nga duart, nga këndvështrimi dhe nga zemra…

Uilliam Xhejms Sidis vazhdon të jetë njeriu më i zgjuar në botë deri më sot, me IQ-në më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Në vendin e dytë, gjejmë Terrence Tao, matematicieni i ri australian me IQ 225-230, i cili aktualisht jep mësim në universitetin e Los Anxhelosit.

Mbase në një cep të largët të botës mund të ekzistojë ndonjë fëmijë mendjehollë, ende i paidentifikuar, me inteligjencë ndoshta edhe më të lartë, mirëpo kjo nuk ka rëndësi, pasi shifrat mbeten shifra. Në raste të tilla, e rëndësishme është që këtyre fëmijëve t’u lejohet të kenë një fëmijëri të vërtetë, të gëzojnë lidhje të sigurta emocionale dhe një mjedis ku mund të përmbushen si njerëz që ndjekin dëshirat e tyre, në liri, pa presion. Pasi, siç kuptohet edhe nga historia, ndonjëherë inteligjenca e madhe, nuk është simptomë e lumturisë./Konica.al