Historia tronditëse e një gruaje: Selimin ma varrosën pa emër, kështu më varrosni edhe mua…

Historia e Bahri Çepratit
Foto ilustrim

Mos më vini pllakë mermeri me emër, se edhe Selimin ma varrosen pa emër. Askush nuk e di ku prehet, askush nuk e di, ku të ndezë një qiri, nuk e di ku t’i vërë një lule. Kështu qoftë edhe për mua”

Historia tronditëse e Selim Zymës, topografit të diplomuar në Vjenë që u arrestua dhe u dënua me pushkatim në vitin 1947 dhe mbeti pa varr. Përndjekja e bashkëshortes së tij vjeneze, e cila më në fund, në vitet ’60, u kthye në Austri dhe i befasoi të gjithë me historinë e rrallë nga Shqipëria.

Në Vjenë, ajo histori nga Shqipëria komuniste ngjante si përrallë. Një përrallë ndryshe, ku të dashuruarit nuk jetojnë të lumtur përgjithmonë dhe ku e drejta dhe e mira, nuk triumfon në fund.

Një përrallë e vërtetë, siç e kishte titulluar gazeta vjeneze historinë e Hilde Zymës.

Hilde ishte kthyer në atdheun e saj, pas disa vitesh dramatike në Shqipëri. Atje asaj ia kishin pushkatuar bashkëshortin, topografin e parë shqiptar, Selim Zyma. Pasi e kishin dëbuar nga shtëpia bashkë me të bijën, e kishin detyruar të jetonte në një kasolle të fëlliqur.

Edhe ato pak sende të florinjta që i shpëtuan nga oficerët e sekuestrimit, i shitën më pas për të mbajtur shpirtin gjallë. Kur nuk kishin më çfarë të shisnin, e bija u detyrua të shiste  gjak.

Me ndërhyrjen e konsullit austriak, Hilde arriti të kthehej në atdhe. Vitet kaluan dhe kur mbesa i kërkonte ndonjë histori, ajo i tregonte historinë e jetës së saj. Shumë shpejt kjo histori u bë popullore në shkollën e vajzës, aq sa Hilde mori një ftesë për t’ua treguar vetë nxënësve.

“Një përrallë e vërtetë nga lindja”

Ishte një histori tronditëse jo vetëm për fëmijët, por edhe për mësuesit dhe prindërit e pranishëm. Të nesërmen, siç shkruan Orhan Sakiqi, në një shkrim kushtuar çiftit Zyma, gazeta më e shitur vjeneze do të hapej me historinë “Një përrallë e vërtetë nga lindja”.

Kjo përrallë e vërtetë kishte nisur pikërisht në Vjenë, kur studenti shqiptar i inxhinierisë ishte dashuruar me austriaken e re dhe më pas, kishin vendosur të ktheheshin të dy së bashku në Shqipëri.

Para se të shkonte në Vjenë për studime, Selim Zyma kishte qenë për dy vite oficer teknik në Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve. Aty ai kishte nisur punën për përpilimin e hartave. Pasi kishte mbaruar shkollën ushtarake në Stamboll, ishte emëruar instruktor në një shkollë artilerie. Me këtë rast ai kishte nisur edhe studimet për Matematikë atje.

Në vitin 1921 erdhi në Shqipëri ku qëndroi deri në vitin 1923. Më pas largohet për në Vjenë ku diplomohet si topograf. Rikthehet sërish në atdhe me një profesion shumë të dobishëm për vendin. Pas pak muaj pasi kishte marrë gradën kapiten, ai vihet në dispozicion të Ministrisë së Punëve Botërore si inxhinier.

“Nuk e pranoj procesverbalin”

Sërish do të merrej me kufijtë. Këtë herë specifikisht me kontrollin e piramidave në kufirin shqiptaro-jugosllav. Më vonë emërohet në Drejtorinë e Reformës Agrare. Këto detyra të rëndësishme, do e bënin atë, një person të padëshiruar kur Partia Komuniste mori pushtetin.

Sigurisht që jugosllavët ishin hatërmbetur me punën e Selim Zymës për përcaktimin e kufijve. Ata nuk e humbën rastin për të marrë hak, në kohën kur opinionet e tyre bënin ligjin dhe ishin përmbi çdo ligj në Shqipëri.

Në raportin për inxhinierin, siç ka arritur të zbulojë studiuesi Kastriot Dervishit, theksohet ankesa e fqinjëve. “I përmenduri në asnjë rast nuk ka pranuar sugjerimet e gjeometrave jugosllavë dhe këta të fundit kanë konstatuar se ai e ka penguar punën”, thuhet në raport. 

Sipas dokumenteve të publikuara nga Kastriot Dervishi, Selimi u akuzua për sabotim, spiunazh dhe për lidhje me amerikanët përmes Shërbimit të Spiunazhit për Ballkanin. Ai nuk pranoi asnjë nga këto akuza.

“Unë gjithë kohën time kam qëndruar jashtë vijës politike. Si ka mundësi që unë të jem një prej anëtarëve të grupit të spiunazhit? Procesverbalin nuk e pranoj.”

Është e vërtetë që e kam nënshkruar, por është mbushur krejt me fantazira… Në procesverbal kam deponuar emra të personave që vetëm i njihja. Nuk është e vërtetë që unë të kem pasur lidhje me ta. I kam thënë emrat, vetëm pasi isha i shtrënguar nga hetuesit”.

Ky guxim për të demaskuar procesin hetimor që karakterizohej nga presioni dhe dhuna, dhe vendomsëria e tij për të mos u përkulur, e bëri të pakthyeshëm vendimin që po kurdisej për të.

Procesi i nisur më 1 dhjetor 1947 përfundoi më 3 dhjetor. Aty argumentohej që Selim Zyma kishte dëmtuar fuqinë ekonomike dhe kishte vënë në rrezik integritetin e vendit. Dhe me argumentin tjetër se kishte kryer vepra spiunazhi, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me vdekje.

Më 30 dhjetor, Gjykata e Lartë Ushtarake la në fuqi vendimin. Mbetej vetëm ekzekutimi. Për regjimin komunist, ndryshe nga çdo kod moral dhe shoqëror, përfundonte historia: pa një varr.

Hilde arriti ta gjejë kufomën e Selimit me ndihmën e banorëve të Bregut të Lumit dhe ta mbulojë me dhe, shkruan inxhinieri Orhan Sakiqi. Po atë dimër, gruan dhe të bijën e tij i nxorën nga shtëpia dhe i çuan në një kasolle. Aty ato laheshin me ujë të ftohtë, të rrethuara nga batanije të varura dhe ushqeheshin me bukë thatë. Këto dhe fakte të tjera janë shkrua në librin “Varri i fshehtë”, nga Petraq Kolevica.

Iu desh të shisnin të gjitha sendet e arta për të mbajtur shpirtin gjallë. Më vonë Hilde nisi të punoj si rrobaqepëse. Pa bashkëshortin në krah, ajo ndodhej në mes të një vendi krejt të huaj dhe të egër tej çdo imagjinate njerëzore.

Vizita e konsullit austriak në Shqipëri në fillim të viteve ’60, e nxori nga ai rreth mundimesh. Ajo u lejua të kthehej në Vjenë. Atje kishte një djalë që i ati këmbënguli ta mbante, kur Hilde dhe Selimi u nisën në Shqipëri. Po në Tiranë la të bijën dhe eshtrat e të shoqit, pa një varr.

Kur ndjeu fundin t’i afrohej, la një amanet. “Mos më vini pllakë mermeri me emër, se edhe Selimin ma varrosen pa emër. Askush nuk e di ku prehet, askush nuk e di ku të ndezë një qiri, nuk e di ku t’i vërë një lule. Kështu qoftë edhe për mua”, tha ajo.

Ishte dëshira e një gruaje për të ndarë me bashkëshortin atë fund të padrejtë, aq të vetmuar, që diktatura komuniste e përgatiti për mijëra njerëz. /kujto.al

—————————–

Lexo edhe:

MUSA RAMADANI: NUK E NJOH E NUK MË NJEH…AS EMRIN NUK IA DI!

ObserverKult