Historia tronditëse e një gruaje: Selimin ma varrosën pa emër, kështu më varrosni edhe mua…

Foto ilustrim

Historia e Selim Zymës, topografit të diplomuar në Vjenë që u arrestua dhe u dënua me pushkatim në vitin 1947 dhe mbeti pa varr. Përndjekja e bashkëshortes së tij vjeneze, e cila më në fund, në vitet ’60, u kthye në Austri dhe i befasoi të gjithë me historinë e rrallë nga Shqipëria

Në Vjenën e saj, ajo histori nga Shqipëria komuniste ngjante si përrallë. Një përrallë ndryshe, ku të dashuruarit nuk jetojnë të lumtur përgjithmonë dhe ku e drejta dhe e mira, nuk triumfon në fund. Një përrallë e vërtetë, siç e kishte titulluar gazeta vjeneze historinë e Hilde Zymës. Hilde ishte kthyer në atdheun e saj, pas disa vitesh dramatike në Shqipëri ku i kishin pushkatuar bashkëshortin, topografin e parë shqiptar, Selim Zyma dhe pasi e kishin dëbuar nga shtëpia bashkë me të bijën, e kishin detyruar të jetonte në një kasolle të fëlliqur. Edhe ato pak sende të florinjta që i shpëtuan nga oficerët e sekuestrimit, i shitën më pas për të mbajtur shpirtin gjallë dhe kur nuk kishin më çfarë të shisnin, e bija u detyrua të shiste  gjak. Me ndërhyrjen e konsullit austriak, Hilde arriti të kthehej në atdhe. Vitet kaluan dhe kur mbesa i kërkonte ndonjë histori, ajo i tregonte historinë e jetës së saj që shumë shpejt u bë popullore në shkollën e vajzës, aq sa Hilde mori një ftesë për t’ua treguar vetë nxënësve. Ishte një histori tronditëse jo vetëm për fëmijët, por edhe për mësuesit dhe prindërit e pranishëm. Të nesërmen, siç shkruan Orhan Sakiqi, në një shkrim kushtuar çiftit Zyma, gazeta më e shitur vjeneze do të hapej me historinë “Një përrallë e vërtetë nga lindja”. Kishte nisur pikërisht në Vjenë kjo përrallë e vërtetë, kur studenti shqiptar i inxhinierisë ishte dashuruar me austriaken e re dhe më pas, kishin vendosur të ktheheshin të dy së bashku në Shqipëri.

Selim Zyma, para se të shkonte në Vjenë për studime, kishte qenë për dy vite oficer teknik në Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve i cili nisi punën për përpilimin e hartave. Selimi pasi kishte mbaruar shkollën ushtarake në Stamboll, ishte emëruar instruktor në një shkollë artilerie në kryeqytetin turk të asaj kohe, ku nisi edhe studimet për Matematikë. Në vitin 1921 erdhi në Shqipëri ku qëndroi deri në vitin 1923. Më pas largohet për në Vjenë ku diplomohet si topograf dhe rikthehet sërish në atdhe me një profesion shumë të dobishëm për vendin. Pas pak muajsh punë në shkollën e aspirantëve, pasi kishte marrë edhe gradën kapiten, ai vihet në dispozicion të Ministrisë së Punëve Botore si inxhinier, ku sërish do të merrej me kufijtë, këtë herë specifikisht me kontrollin e piramidave në kufirin shqiptaro-jugosllav. Më vonë emërohet në Drejtorinë e Reformës Agrare. Këto detyra të rëndësishme, por mbi të gjitha jeta me një theks të fortë ndërkombëtar, do e bënin topografin e njohur të viteve ’30, një person të padëshiruar në mes të viteve ’40, kur Partia Komuniste mori pushtetin.

Sigurisht që jugosllavët ishin hatërmbetur me punën e Selim Zymës për përcaktimin e kufijve dhe nuk e humbën rastin për të marrë hak, kur u krijuan rrethanat, në një kohë kur opinionet e tyre bënin ligjin dhe ishin përmbi çdo ligj në Shqipëri. Në raportin për inxhinierin, siç ka arritur të zbulojë studiuesi Kastriot Dervishit, theksohet ankesa e fqinjëve. “I përmenduri në asnjë rast nuk ka pranuar sugjerimet e gjeometrave jugosllavë dhe këta të fundit kanë konstatuar se ai e ka penguar punën”, thuhet në raport. Selim Zyma, gjithmonë sipas dokumenteve të publikuara nga Kastriot Dervishi, u akuzua për sabotim, për spiunazh dhe për lidhje me amerikanët përmes Shërbimit të Spiunazhit për Ballkanin. Ai nuk pranoi asnjë nga këto akuza. “Unë gjithë kohën time kam qëndruar jashtë vijës politike. Si ka mundësi që unë të jem një prej anëtarëve të grupit të spiunazhit? Procesverbalin nuk e pranoj. Është e vërtetë që e kam nënshkruar, por është mbushur krejt me fantazira… Gjithashtu në procesverbal kam deponuar emra të personave që i njihja, por nuk është e vërtetë që unë të kem pasur lidhje me ta, hetuesit më shtrënguan prandaj i kam thënë”.

Ky guxim për të demaskuar procesin hetimor që karakterizohej nga presioni dhe dhuna dhe vendomsëri për të mos u përkulur, ndoshta e bëri të pakthyeshëm vendimin që po kurdisej për të. Procesi i nisur më 1 dhjetor 1947 përfundoi më 3 dhjetor. Gjykata Ushtarake e Tiranës, me argumentimin që Selim Zyma kishte dëmtuar fuqinë ekonomike dhe kishte vënë në rrezik integritetin e vendit, si edhe kishte kryer vepra spiunazhi në favor të shteteve të huaja e dënoi me vdekje. Më 30 dhjetor, Gjykata e Lartë Ushtarake la në fuqi vendimin. Mbetej vetëm ekzekutimi, edhe këtu, për regjimin komunist, ndryshe nga çdo kod moral dhe shoqëror, përfundonte historia: pa një varr. Hilde arriti ta gjejë kufomën e bashkëshortit me ndihmën e banorëve të Bregut të Lumit dhe ta mbulojë me dhe, siç shkruan inxhinieri Orhan Sakiqi.  Po atë dimër, gruan dhe të bijën e topografit i nxorën nga shtëpia dhe i çuan në një kasolle ku laheshin me ujë të ftohtë, të rrethuara nga batanije të varura në tel dhe ushqeheshin me bukë thatë, siç shkruan në librin e tij “Varri i fshehtë”, Petraq Kolevica. Iu desh të shisnin të gjitha sendet e arta për të mbajtur shpirtin gjallë derisa Hilde nisi të punë si rrobaqepëse. Pa bashkëshortin në krah, ajo ndodhej në mes të një vendi krejt të huaj dhe të egër tej çdo imagjinate njerëzore, derisa vizita e konsullit austriak në Shqipëri në fillim të viteve ’60, e nxori nga ai rreth mundimesh, edhe pse jo plotësisht. Ajo u lejua të kthehej në Vjenë, ku kishte një djalë që i ati këmbënguli ta mbante atje, kur Hilde dhe Selimi u nisën në Shqipëri, por la në Tiranë të bijën. La dhe eshtrat e të shoqit, pa një varr.

Ndaj kur ndjeu fundin t’i afrohej, la një amanet. “Mos më vini pllakë mermeri me emrin, se edhe Selimin ma varrosen pa emër. Askush nuk e di ku prehet, askush nuk e di, ku të ndezë një qiri, nuk e di ku t’i vërë një lule. Kështu qoftë edhe për mua”, tha ajo. Ishte dëshira e një gruaje për të ndarë me bashkëshortin atë fund të padrejtë, aq të vetmuar, që diktatura komuniste e përgatiti për mijëra njerëz./kujto.al

LEXO EDHE: Nëna që mbeti e ngrirë në borë duke shkuar për ta vizituar të birin në burg