“Historitë e të hënës”, në kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’ në Pejë

Kinemaja e Pejës “Jusuf Gërvalla” nga e hëna e ardhshme do të fillojë një projekt.

“Historitë e të hënës!” quhet projekti përmes të cilit, çdo të hënë në faqet zyrtare të kinemasë në rrjetet sociale, do të shfaqen copëza të historisë së kinemasë, që nga themelimi i saj në vitin 1955.

“Çdo të hënë, ne do të bëjmë një udhëtim nëpër honet e kujtesës suaj, duke shkuar mes-përmes historisë së gjatë e të bujshme të kinemasë sonë, histori kjo që për dekada ka qenë pjesë e pandashme e trashëgimisë kulturore të Pejës”, thuhet në njoftimin e kinemasë, transmeton ‘cbc.al’.

Kinemaja e ndërtuar nga paratë e punëtorëve, ka një rol kyç në zhvillimin e kulturës dhe kinematografisë në qytetin e Pejës. Madje, funksioni i saj edhe sot, nuk është vetëm kinematografik por edhe kulturor.

Ky është njoftimi i plotë i kinemasë:

Kinemaja Jusuf Gërvalla do të nisë me diçka të re në rrjetet sociale: Historitë e të hënës! Çdo të hënë, ne do të bëjmë një udhëtim nëpër honet e kujtesës suaj, duke shkuar mes-përmes historisë së gjatë e të bujshme të kinemasë sonë, histori kjo që për dekada ka qenë pjesë e pandashme e trashëgimisë kulturore të Pejës.

Le të kthehemi aty nga ku filloi gjithçka! Kinema Jusuf Gërvalla u ndërtua më 1955. Atëbotë ishte quajtur ‘Kino Rad’, që nga gjuha serbo-kroate i bie “Kinemaja e Punëtorëve”. Kishte nisur nga Sindikata e Punëtorëve, e cila zyrat i kishte pasur në pjesën e pasme të kinemasë. E gjithë kjo kishte ndodhur përgjatë epokës socialiste, kështu kinemaja ishte udhëhequr në një mënyrë që ishte e përshtatshme për kohën. Punëtorët e kinemasë kanë pasur kontroll të plotë mbi këtë institucion, pa ndonjë ngarkesë të logjikës kapitaliste. Ata kishin përzgjedhur stafin, thuhet se i kishin krijuar vetë programet dhe i kanë kryer të gjitha punët tjera. Fitimi i nxjerrë nga kinemaja më pas kishte mundësuar pagesën e punëtorëve. “Kino Rad”-i do të kishte menjëherë sukses; do të shndërrohej në pikën qendrore të aktiviteteve kulturore në Pejë, por edhe në fshatra e në periferi.

Qëndroni me ne, javën tjetër do të ju tregojmë se si kinemaja jonë ka organizuar shfaqje të filmave jashtë qytetit të Pejës!

LEXO EDHE: Kinemaja e Tarantinos hapet pas më shumë se një viti mbyllje