Honoré de Balzak, shkrimtari që vazhdon të na magjeps

Më 20 maj 1799 do të lindte në Tours, një nga mendjet më të ndritura të botës së letrave. Në vitet 1820, kur Honoré de Balzak vendosi të bëhej shkrimtar, në Francë romani ishte ende një zhanër i parëndësishëm letrar.

Ashtu si Volteri, francezët e shkolluar preferuan poezinë dhe tragjeditë e mëdha, ku virtyti, e vërteta, entuziazmi dhe shpresa, marshonin solemnisht nëpër faqe. Si rezultat, romancierët bashkëkohorë francezë thuajse turpëroheshin për prozën e tyre. Shumë botuan me pseudonime: burrat, sepse toni i tyre kishte tendencë të lehtë, shkollor dhe shumë antiklerikal; gratë, sepse e dinin që do pasoheshin nga mosmarrëveshje, do shiheshin shtrembër nëse shkruanin haptas për botim.

Viktor Hygoi e konsideroi Balzakun si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të 19-të, çka do ta shprehte me forcë dhe fuqimisht në elozhet e fjalimit të varrimit: “Të gjithë librat e tij formojnë vetëm një libër, një libër të gjallë, me shkëlqim”.

Shokë udhe, dy gjigantët e letërsisë franceze e filluan karrierën në të njëjtën kohë dhe frekuentuan të njëjtat rrethe; secili ndoqi karrierën e tjetrit, Balzaku me zili, Hygoi me simpati. Ata morën drejtime të ndryshme: Hygoi filloi të ishte kundërrevolucionar dhe do të ndiqte një evolucion drejt të majtës, Balzaku, nga një liberal, do të bëhej një konservator solid. Hygoi do kishte të gjitha nderimet (deputet, akademik), kurse Balzak do të rrëzohej tri herë për t’u zgjedhur nën Kupolë. Përgjatë një shekulli në lëvizje, ata janë dy autorë të mëdhenj, edhe pse pozicioni në fushën e letrave nuk është i njëjtë. Hygoi, në fillesat e hershme do mbështetej financiarisht dhe do gëzonte përfitime dhe lehtësira. Nga ana tjetër, Balzaku ishte i dënuar t’ia dilte me forcat e veta. Jeta e tij mishëron, që nga fillimi i viteve 1820, tregun letrar.

Romancier, gazetar, botues, sipërmarrës, kritik, eseist, Balzaku ndoqi një karrierë shembullore, duke pasur parasysh dëshirën për të qenë i suksesshëm. Me “Komedia njerëzore”, si një zot, ai krijoi një botë të tërë, një katedrale libër dhe, për t’ia arritur qëllimit, i vuri vetes detyrën e një minatori fjalësh. Pena e tij e kredh lexuesin në pallatet nën sundimin e Lui-Filipit, në rrugica të zhurmshme e rrugica të qeta. Lexuesi takohet me mashtrues, borgjezë, fisnikë të mëdhenj, grabitës, kontesha dhe vajza.

“Të gjitha personazhet e tij janë të pajisur me zjarrin jetësor, me atë pasion që e karakterizonte atë vetë”, – shkroi me admirim Sharl Bodëleri.

Në ditët e sotme, jeta dhe vepra e Balzakut vazhdon të na magjepsë. Autori pretendon se familja është njësia themelore e shoqërisë, mirëpo shumë nga protagonistët e tij enden si jetimë. Gjithçka që përshkruan, shkon thuajse përkundër parimeve që ai beson se janë themeli i një shoqërie në harmoni. Ai përshkruan rrënoja, përshkruan zhgënjime pasionesh, gjithçka që mund të ushqejnë individualizmin, madje edhe zgjidhjet revolucionare. Përpos gjithçkaje, frymëzimet vizionare, fluturimet mistike dhe poetike përshkojnë gjithë krijimtarinë e tij me një bukuri dhe fuqi që jehojnë endenë 2021. Realizmi dhe mprehtësia me të cilën Balzak vizualizon gjendjen njerëzore, janë karakteristikat kryesore të shkrimeve. Duke qenë vëzhgues shumë i mprehtë, ia ka dalë ta përshkruajë sjelljen individuale dhe shoqërore par excellence.

Si shumë kolosë të mëdhenj në histori, jeta e Balzakut nuk ka qenë e lehtë: ai i mbijetoi një fëmijërie dhe adoleshence të karakterizuar nga abuzimi, përjetoi një histori dashurie të denjë për roman, që zgjati gati gjithë jetën, por, mbi të gjitha, Balzaku zgjoi admirimin e bashkëkohësve të tij. Përmes veprave letrare, Balzaku la gjurmët e tij të mençurisë për eksploruesit më të guximshëm të etur për dije. Vdiq në Paris, më 18 gusht 1850./Konica.al

LEXO EDHE: Vdekja e gjeniut: Të gjithë kanë të drejtë ta përcjellin Balzakun, përveç…