“Hora e Arbëreshëvet” i mbushi 532 vjet- malli për vendlindjen kurrë s’u shua

U shënua, dita e themelimit të komunës arbëreshe në Siçili: “Piana degli Albanesi” ose siç thuhet në arbërisht “Hora e Arbëreshëvet”.

Kjo komunë u themelua më 30 gusht të vitit 1488, nga një grup shqiptarësh nga viset shqiptare, kryesisht nga Himara, të cilët, e braktisën vendlindjen për shkak të luftës. Në kërkim të lirisë, ata u vendosën përtej detit Adriatik, në Itali, transmeton ‘konica.al’.

Çdo 30 gusht, përkujtohet si një ngjarje e shënuar për këtë komunitet.

Festimet e parashikuara për t’u zhvilluar dje, sipas njoftimit zyrtar në faqen e komunës “Piana degli Albanesi”, janë shtyrë për muajin nëntor, duke pasur parasysh gjendjen aktuale të pandemisë dhe duke vlerësuar shëndetin, si elementin parësor të qytetarëve.

Sipas kryetarit të kësaj komune, Z. Rosario Petta, festimet u kufizuan vetëm në liturgjinë hyjnore të së dielës, ndërsa në fund të muajit nëntor 2020, pritet të mbahen manifestime me rastin e 532-vjetorit të themelimit të kësaj vatre shqiptare në Itali.

O E BUKURA MORE

Petkat e të mirat tona
Na i lam te Korona
Krishtin na kemi me ne
Oj e bukura More
Thell të plas, me lot ndër si
Na të lipisnjëm, Arbëri!
Petkat e të mirat tona
Na i lam te Korona
Shën Mërin kemi me ne
Oj e bukua More!
Thell të plas, me lot nder si
Na të lipisnjëm, Arbëri!
Petkat e të mirat tona
Na i lam te Korona
Papën na kemi me ne
Oj e bukura More!
Thell të plast, me lot ndër si
Na të lipisnjëm, Arbëri!
Malet tan me lis e driza
Të bukur sheshe me muriza
Të bukur kroje, të bukur gropa
Të bukur gjerdhe me fallopa!
Jemi e vemi ndë Itali
E më s’ju shomi me këta si!
Dherat të huaj hare s’kan
Se s’mbllin printët tan
Prindë, luftuat me thik më dor
Ndërpër shi e ndëpër bor
Ni ju lëm pa një qiri
E pa një vajim. Oj Arbëri!
Luajtim valle nd’atë More
Shtum kangjele ndë ato hje
Klisht e tona të bukuruara
Shpizit tona të nderuara!
Ni vjen Turku, Turku i zi
E tërpron klish e shpi
Qeti: Shihni jet e re,
Na tha Dorja, zoti Ndre,
Lipim qellnjëm ka do vemi
Se buartim mallin e s’e kemi
Me kët zemër, me këta si
Klajëm keq kët Arbëri!
Ndallandishe e ler e ler
Kur të vish ti njatër hjer
Vjen të vish ti te Korona
E s’gjën më shpit e tona!
Më së gjën trima hajdhjar
Po ngë një qen, çë kloft i vrar!
Kur u nistin gjith anit
E dherat tan iktin ka sit
Burrat gjith me një vajtim
Thirrtin grat me një vajtim,
Dil e hana ti, Stihji!
Oj More! Oj Arbëri!