Houellebecq dhe portreti i rrëzimit të një shoqërie

Nga Agim Baçi

Si mund ta mendojmë një botë ku Dashurisë “nuk i lejohet” më thuajse asgjë për të thënë, apo kur prej rendjes pas saj rrezikon që të mbetesh jashtë vrapit të botës? Michel Houellebeck prej më shumë se 20 vitesh ka ardhur me një prozë provokative mbi portretin e zbehur të një shoqërie që shkëputet pak nga pak hallkat e të qenurit së bashku, e që na shfaqet ulur në prehrin e një individualizmi që zëvendëson çdo ditë dashurinë me seksin, që zëvendëson familjen me thërrmimin e saj të përditshëm. Mishel Zhersinski, personazhi që bart prej autorit jo vetëm emrin, por edhe mjaft detaje nga jeta e tij familjare, sidomos në lidhje me të ëmën, është një person gati aseksual, që vrojton se si liberalizmi e ka futur seksin në treg, duke e klasifikuar si çdo biznes tjetër, ndërkohë që familja vijon të zbresë në fund të honit, me zë e gjithnjë e më të dobët për botën.
I drejtpërdrejtë, gati apatik për gjithçka që pikturon deri në cepin më të fundit të dëshirave intime, Michel Houellebeck, nxjerr në pah gjithë pasojat e një çlirimi pa cak. Gjithçka ka ndryshuar sapo kufiri i së turpshmes ka shkuar në periferi, ndërkohë që ata që besojnë në Zot janë gjithmonë e më shumë pengesë e tregut, pengesë e spektaklit që reklamohet kudo. Përshkrimi i tij për Mishelin dhe gjysmëvëllain, Brunon, është një paradë e jetës që në fillim të viteve ’60, e deri në prag të mijëvjeçarit XX, ku gjithçka është tashmë një treg dëshirash dhe ku vdekja është gjithnjë e më shumë një shqetësim teknik e jo moral. “Për një perëndimor modern, edhe kur është mirë me shëndet, mendimi i vdekjes është si një zë i dobët, që i bujit në kokë sapo shuhen planet dhe dëshirat e tij. Me moshën, zëri bëhet akoma më i fortë; mund ta krahasojmë me një hungërimë të shurdhët, që shpesh shoqërohet me një cingërimë. Në kohë të vjetra, zëri ishte pritja e mbretërisë së Zotit, tani, është pritja e vdekjes”. (po aty, f.80-81)Busulla e vetme e personazheve të Houellebeck janë dëshirat intime, të trupit, i cili është gjithnjë përballë frikës së vetmisë dhe plakjes. Kalkulimi i gjithçkaje është arma moderne, me tytën jo te tjetri, por te vetja. “Erotiko-publiciteti” duket sikur përndjek këdo që dëshiron ende të thërrasë dashurinë dhe tjetrin për një copë udhë. Dhe, në fund, pasi ke kaluar një mal të tërë dëshirash të fshehta, padurimesh për humbjet, mosvëmendje ndaj asaj që duhet të në bëjë zemrën të rrahë, a ka rëndësi se sa i lexuar, apo sa shkencëtar i zoti je? Këtu Houellebeck është pa kompromis, i ashpër deri në pabesinë e fjalës që shkruhet apo thuhet. Nuk është autori që ka nevojë për terapi, ai është diagnostikuesi i përditshmërisë që na bjerr drejt diktaturës së spektaklit të përditshmërisë. Dinjitetin e së shenjtës e ka zënë televizioni, që të sugjeron pafundësisht atë që të duhet, atë që duhet të vraposh që ta kesh.

Të dehumanizuar dhe të pafuqishëm për të lidhur një marrëdhënie të vërtetë njerëzore, personazhet e Houllebeckut janë një klithje ndaj humbjes së përditshme të njeriut. Dhe Bruno, gjysmëvëllai i Mishelit, që dëshiron të bëhet shkrimtar, është pasqyra e asaj që kishte parashikuar shkrimtari i tij i parapëlqyer, Aldous Huxley. “Ndërsa liria politike dhe ekonomike zvogëlohet, liria seksuale ka gjasë të ketë prirje të zmadhohet. Dhe diktatorët (vetëm po iu desh mish për top dhe familje që të kolonizojnë tokat bosh apo ato të pushtuara) do të inkurajojnë këtë lloj lirie. Ndërthurja e lirisë me drogat, filmat dhe radion do të ndihmojë të arrihet ëndërrimi me sytë hapur, që të arrihet nënshtrimi i individit ndaj robërisë në emër të fatit”, shkruante Huxley në romanin “Më e mira e botëve”, një parashikim që tashmë personazhet e Hoeullebeck e jetojnë çdo ditë në vetminë dhe koasin e tyre. “Erotiko-publiciteti” dhe mbretëria e dëshirave është pikërisht disheza ku e përhershmja dhe tradita shkojnë gjithnjë e më në skaje, pa patur mundësi që të jenë një udhërrëfyes.
Por a mund të jemi të lirë sipas logjikës së konsumit, ku përmbushim vetëm nevojat? A mund të bëjmë diçka për veten pa pyetur kurrë se cila është udha jonë në jetë me atë që duhet të bartim ne për të nesërmen? Houllebeck ka provokuar duke nxjerrë në sipërfaqe armët e shkatërrimit, duke nxjerrë edhe thërrmijat më elementare që po shpërthejnë pranë gjithkujt nga ne.

ObserverKult

Lexo edhe:

MICHEL HOUELLEBECQ: SHPRESOJ TË KTHEHEM SË SHPEJTI…