Hoxha që asistonte në pushkatimin e të dënuarve, merrte amanetet e fundit të tyre

boriçi

Hafiz Riza Boriçi – Çallma e fundit e Boriçve të Shkodrës

Familja e Boriçëve është ndër më të njohurat e familjeve shkodrane. Në këtë familje, ka vendin e vet për kontributin e dhënë në aspektin fetar edhe Hafiz Riza Boriçi. Hafizi u lind dhe u rrit duke ruajtur me dashuri dhe nderim emrin, traditën dhe rrugën e paraardhësve të tij.

Riza Boriçi lindi në Shkodër më 04.02.1895. Jeta e tij qe e mbushur me shqetësimet që grumbullonte e paraqiste koha. Ai asnjëherë nuk qëndroi në pozita indiferente. Ishte aktiv, i matur dhe i kujdesshëm. Riza konceptoi dhe zbatoi idetë e shqiptarizmit me parimet e fesë Islame. Me vetëdije u bë trashëgimtar i çallmës së Boriçëve, duke mbyllur një cikël mbi tre breza hoxhallarësh të kësaj familjeje.

Që në fëmijëri te Rizai u zbuluan vlera pozitive, ra në sy zelli i tij për shkollim. Pasi mbaroi shkollën fillore e qytetëse, ai vazhdoi studimet te gjimnazi turk “Ruzhdije” i Shkodrës.

Pas shkollimit me arsim të përgjithshëm, ai vazhdoi rrugën e arsimimit të tij teologjik. Përfundoi shkëlqyeshëm përgatitjen e tij teologjike, duke fituar titullin “Hafiz”.

Zotëroi tri gjuhët orientale: arabishten, turqishten dhe persishten.Përdorte edhe frëngjishten. Krenohej me bibliotekën personale të trashëguar, por edhe të pasuruar, të administruar dhe të shfrytëzuar me kujdes nga ana e tij.

Gjatë gjithë jetës së tij ai qe aktiv, u dallua për përkushtimin e disiplinën në punë. Për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe administrimin e xhamive. Ai kurrë nuk e kuptoi veprimtarinë e tij fetare, jashtë interesave kombëtare. As të ndarë nga nevojat e problemet qytetare.

Ndonëse ishte idealist në bindje, nuk është marrë drejtpërdrejt me politikë. Si atdhetar e me pikëpamje demokratike, qëndroi në një opozitë të heshtur si ndaj pushtuesit ashtu edhe ndaj diktaturës.

Ndryshimet shoqërore-politike që ndodhën në vendin tonë pas Luftës së Dytë Botërore, kanë ndikuar shumë tek ai dhe e kanë bërë të vuajë shpirtërisht si rezultat i situatave të reja historike, politike e ideologjike.

Hafiz Rizai, në periudhën 1945-1951, ka pasur ngarkesë të madhe emocionale e psikologjike, duke i shkaktuar një gjendje stresi që e lodhi dhe i solli pasoja më vonë. Ai u ngarkua me një detyrë shumë delikate e të rëndë, për të kryer shërbesat fetare të të dënuarve politikë me pushkatim, në ditën e ekzekutimit të tyre.

Familjarët kujtojnë gjithë trishtim drithërimën që përshkonte Hafiz Rizanë, kur mëngjesit, para sabahut, dëgjohej të ndalej makina para shtëpisë që e merrte atë dhe së bashku me një prift nisej atje, ku korrej jeta.

Kjo ka qenë ndër detyrat fetare më të vështira që ai ka përjetuar. Kur kthehej në shtëpi, mbyllej në dhomën e tij, nuk hante as nuk pinte, por lexonte Kuran me orë të tëra. Askush nuk guxonte t’i ndërpriste meditimet e tija që shoqëroheshin me gjendje tronditëse e pagjumësie shkatërruese.

Një tjetër moment të rëndë, Hafiz Rizai kishte me familjarët e të ekzekutuarve. Ata në grupe vinin ta takonin për të mësuar prej tij dramën e përgjakshme dhe amanetin e fundit të lënë para pushkatimit. Ai rrinte e bashkëbisedonte gjatë me ta në dhomën e tij, pa praninë e askujt tjetër.

Të pushkatuarit, zakonisht ishin figura të njohura patriotësh nacionalistë e personalitete të kohës, të nderuar e me tradita, madje edhe shokë e miq të tij.

Ndaj me përlotjen e familjarëve, skuqeshin e përloteshin edhe sytë e tij, mjekrën e tij fisnike e lagnin lotët e tij, si të ishte fëmijë. S’ka arsye tjetër që, infarkti akut, ta këpuste në lulen e moshës, kur ishte vetëm 65 vjeç.

ObserverKult

Lexo edhe:

RAILE LUZAJ, GRUAJA TË CILËN TOGERI FAMËKEQ E TORTURONTE PA MËSHIRË