Publikohet një poezi e panjohur nga Lefter Çipa, ajo që ‘e çoi’ në burg

Publikohet historia e panjohur e të madhit Lefter Çipa, poetit të njohur të iso-polifonisë labe me origjinë nga fshati Pilur i Vlorës.
Autor i 18 librave dhe qindra e qindra këngëve të interpretuara nga Grupi Polifonik i Pilurit, Çipa drejtoi si udhëheqës artistik për disa dekada.
U konsiderua si ‘Lasgushi i Bregut’, apo ‘Princi i iso-polifonisë labe’.
Çipa u nda nga jeta para tre ditësh.

Është interesante që në gushtin e vitit 1972, sapo dëgjoi për ngjarjen e anijes “De Rada”, që u arratis për në Greqi me 32 persona në bordin e saj, shkroi një këngë emocionuese.

Aty thuhej:
“Çan ‘De Rada shqiptare
nëpër det e në stuhi
me kapiten Vasil Malon
avancojnë për në Greqi”.

Vargjet e kësaj kënge filluan t’i këndonin disa pjesëtarë të Grupit Polifonik të Pilurit.
Kënga jehonte teksa ktheheshin nga Himara për në fshatin e tyre me automjetet e kooperativës.
E gjitha si kundërvënie ndaj jurisë së festivalit të grupeve amatore të zonës, që i kishin dhënë vendin e parë Himarës, për shkak të këngës ku thuhej:
“Çan anija shqiptare / nëpër dete dhe stuhi / se ka kapiten shokun Enver / që drejton me zotësi”.
Ajo ngjarje bëri bujë të madhe dhe Lefteri u thirr në Komitetin e Partisë së rrethit të Vlorës. Njerëzit e Sigurimit të Shtetit i kishin bërë gati prangat dhe vetëm pas ndërhyrjes së Hysni Kapos nga Tirana, ajo ngjarje u mbyll.
Lefteri shpëtoi nga burgu duke u dërguar gjashtë muaj si punëtor në prodhim!

Ndarja nga jeta e Lefter Çipës, ishte një lajm që shkaktoi trishtim të madh. Por këngët e tij do të vazhdojnë të derdhen si lumë e det i trazuar. Ashtu siç ishte shpirti i tij, nën zërin e grupit që ai krijoi dhe e ushqeu me muzën e tij poetike…
I la trashëgimisë kulturore shqiptare, një gjerdan të artë.

Thënë shkurt, Lefter Çipa, me punën dhe veprën e tij të rrallë, prej vitesh e ka futur veten në pavdeksi.
“Vajza e valëve”, apo “Bejkë e bardhë”, nuk do “mbyten” kurrë në detin a harresës.
Do të qëndrojnë aty në brigjet e Himarës e gjithë bregut, si monumente të pavdekshme, duke u trashëguar e përcjellë në breza…

Në vitin 2009, si autor realizues rubrikës “Familjet e mëdha të Shqipërisë”, te “E Diela Shqiptare” pata fatin të rrija gjatë me te. Kur shkuam me grupin realizues për të xhiruar në Himarë, Lefteri nuk pranoi të intervistohej aty në shtëpinë e tij.
Na tha se do të shkonim patjetër në Pilur, ku “ndodheshin varret dhe shpirtrat e të parëve të familjes së tyre, që nuk gjenin qetësi…”!?
Dhe ashtu bëmë, pothuaj të gjitha xhirimet e intervistat u bënë në fshatin Pilur, duke filluar nga shtëpia e tij. Aty na pritën pranë oxhakut dy prindërit që jetonin asokohe, te varrezat e fshatit, rrugët e tij, te kisha e vjetër…

Dy tre vjet pasi atij emisioni, ku familja Çipa shkëlqeu në atë spektakël te “E Diela Shqiptare”, e ftuam Lefterin përsëri në Tv Klan.
Kësaj radhe te emisioni “Histori me Zhurmues” që kishte ideuar, prezantonte dhe e realizonte Pandi Laço. Unë kisha rolin e kryeredaktorit.
Ai na tregoi plot episode dhe ngjarje nga jeta e tij, por refuzoi të na tregonte para kamerave një ngjarje të ndodhur në vitin 1971.
Atë na e tregoi me gjysmë zëri në fund të bisedës, teksa po ngriheshim për ta përcjellë. Këtë ngjarje po përpiqem ta risjell në këto pak rreshta, ashtu siç na e tregoi ai:

“Duhet të ketë qenë gushti i vitit 1972 dhe në qytetin e Himarës zhvillohej takimi i grupeve amatore, nga ku do përzgjidheshin ato më të mirat, që do të përfaqësonin rrethin e Vlorës në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Në mbarim të atij takimi apo festivali siç e quanim ne, me patëdrejtë, juria i dha vendin e parë Grupit Polifonik të Himarës, gjë e cila shkaktoi një zemërim të madh te Grupi i Pilurit që drejtoja unë. Shkak që t’i jepej vendi i parë Grupit Polifonik të Himarës, u bë edhe një këngë e sapodalë prej tyre, ku thuhej: “Çan anija shqiptare / nëpër dete dhe stuhi / se ka kapiten shokun Enver / që e drejton me zotësi”.

Unë u përpoqa t’i qetësoja pjesëtarët e grupit tim të Pilurit, pasi, edhe pse Himara kishte marrë vendin e parë, në Gjirokastër do shkonim dhe ne, si Grupi Polifonik i Pilurit. Por ata nuk donin t’ja dinin, djem të rinj, si Kristua im e të tjerë dhe teksa shkonin për në Pilur me makinat e kooperativës, e transformuan atë këngë, duke e kënduar kështu: “Çan anija shqiptare / nëpër dete me stuhi / me kapiten Vasil Malon / avancojnë për në Greqi”. Mirpo këto gjëra ishin me shumë zarar në atë kohë dhe menjëherë njerzit dashakeq lajmëruan Sigurimin e Shtetit. Kështu mua më thirrën në Komitetin e Partisë së rrethit të Vlorës, prej nga varej Himara në atë kohë. Aty ku ishin prezent dhe disa nga ata të Sigurimit të Shtetit të Degës së Punëve të Brendshme, ata të Komitetit të Partisë më bënë një “dush të ftohtë” për orë të tëra që ta mbaj mënd, ku më akuzuan mua, si autor të asaj kënge, që në vend të shokut Enver, i këndonte tradhtarëve dhe armiqve që kishin rrëmbyer anijen dhe ishin arratisur në Greqi.

Më lejuan të largohesha pas disa orësh dhe më thanë se do më thërrisnin përsëri. Ndërkaq u bë çështje e madhe dhe nga dita në ditë prisja që të më vinin hekurat, pasi ajo ngjarje u morr vesh në të gjithë rrethin e Vlorës, e më tej deri në Tiranë, ku ishte raportuar deri te shoku Hysni Kapo. Nisur nga kjo situatë ku ndodhesha, me anë të disa njerëzve tanë i dërguam fjalë Hysni Kapos, të cilët i shpjeguan se Lefter Çipa nuk ishte autori i asaj kënge dhe nuk kishte gisht fare te ajo ngjarje. Pas kësaj, Hysni Kapo, u tha atyre të Komitetit të Partisë: “Këtë çështje zgjidheni si të jenë ligjet e shtetit dhe normat e vija e Partisë, por mendoni edhe se me çfarë do paraqitemi ne të rrethit të Vlorës në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës…’!

Këto fjalë të fundit të ‘shokut Hysni’ bënë që unë të shpëtoja nga një dënim i rëndë, ku burgu pothuaj ishte hapur prej ditësh për mua dhe pritej vetëm të më ‘prisnin kostumin’, pra, të më nxirrnin në gjyq për të më dënuar. Por shyqyr që ndërhyri shoku Hysni dhe mua më dënuan, duke më hequr nga përgjegjës i Vatrës së Kulturës së Pilurit dhe më dërguar si dënim për gjashtë muaj si punëtor në prodhim, punëtor me lopatë në bujqësi. Kjo gjë u bë shkak që në vitin 1974, mua të mos më dërgonin me Grupin e Pilurit në festën që organizohej me rastin e 30 vjetorit të Kongresit të Përmetit, ku do ishte prezent Enver Hoxha me gjithë shokët e udhëheqjes dhe aty do këndonin nga një këngë disa grupe të zgjedhura polifonike.

Në vënd tim, si përgjegjës të Grupit të Pilurit, caktuan agronomin, Pavllo Guma, por pjestarët e grupit nuk pranuan të shkonin dhe protestuan hapur në Himarë, duke thënë se nuk shkonin po mos të vijë Lefteri. U bë bujë e madhe se në atë kohë nuk lejoheshin protestat dhe kështu për ta mbyllur atë gjë, më dërguan mua dhe aty në festën e Kongresit të Përmetit, para Enver Hoxhës dhe shokëve të udhëheqjes, Grupi i Pilurit, këndoi një këngë që sapo e kisha bërë për atë rast, ku thuhej: “Në Përmet u bë kuvendi / Dhe u zhvillua Kongresi / Kur nga lufta tundej vëndi / U vendos sovraniteti / Nga trimat e zemberekut / Dalë nga gryka e dyfekut”.

Kjo këngë u prit me duartrokitje nga vetë Enver Hoxha dhe shokët e tjerë të udhëheqjes dhe pas asaj kohe, nuk ma zunë më në gojë atë punën e këngës me anijen De Rada, që çante nëpër dete dhe stuhi, me kapiten Vasil Malon dhe komisar shokun Pandeli”.

Kjo ishte pak a shumë ngjarja që na tregoi Lefteri, ku edhe pse ju luta dhe insistova shumë, jo vetëm që nuk pranoi ta tregonte atë në emsion përballë Pandi Laços, por më tha që të mos i’a tregoja asnjeriu. Që nga ajo kohë, me Lefterin jemi takuar jo rrallë, gjë e cila vinte edhe për shkak të miqësisë sonë me vëllanë e tij, Kriston apo me djemtë e tij, Sandrin, Benin, etj.

Ndërsa pasi ai u sëmur këto dy vitet e fundit, me Lefterin jemi takuar shumë rrallë dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale që ai bëri në Tiranë, kemi komunikuar vetëm në telefon dhe gjatë bisedave tona që zgjasin shumë, edhe pse dhimbja e mundonte , ai s’e jepte kollaj veten. Dhe në atë gjëndje, ai gjeti forcë dhe u ul e shkroi një shkrim studimor, që i’a kërkova si pasthënië për një libër timin voluminoz, kushtuar një prej kollosëve të letrave shqipe, me të cilin Lefteri kishte pasur shumë miqësi.

Nuk ja mbajta dot fjalën për t’ja dërguar kopjen e parë të librit sapo të dilte nga shtypshkronja, ashtu siç i thoja kur bisedonim në telefon, pasi libri ende nuk ka dalë për shkak të situatës së Pandemisë, por edhe sepse Lefteri iku shpejt…! (Për fat të keq kështu më pat ndodhur dhe me dy miqtë e tjerë, të ndjerët Maks Velo dhe Faslli Haliti, të cilët ashtu si edhe Lefteri tashmë, ‘nuk pritën’ të shikonin atë që kishin shkruar për mikun e tyre, që aq shumë e vlerësonin dhe i detyroheshin në jetën dhe krijimtarinë e tyre). Duke e ndjerë vetën shumë borxhli ndaj Lefter Çipës, le të shërbejnë këto pak rradhë si një shenjë homazhi për atë njeri të madh, që tashmë ka hyrë në rradhën e atyre njerëzve, që vetëm fizikisht nuk janë në mes nesh./Memorie.al

LEXO EDHE:

LEFTER ÇIPA: HAHESHIM ME NJËRI TJETRIN KUSH I KËNDONTE ENVERIT. KUSH E MOHON, MOHON VETEN