Hyrje falas në muzetë dhe parqet arkeologjike

Sitet e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe muzetë e Shqipërisë po tërheqin një numër përherë e më të madh vizitorësh vendas, por edhe të huaj.

Kësaj i shërben edhe nisma e Ministrisë së Kulturës që turistët dhe vizitorët të dielave të  vizitojnë falas muzetë dhe parqet arkeologjike në të gjithë vendin.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti ftoi sërish vizitorët vendas dhe të huaj të mos e humbasin rastin për të vizituar muzetë dhe parqet arkeologjike, pa biletë.

Në kushtet e situatës së COVID-19, Ministria e Kulturës ka marrë disa masa lehtësuese, që synojnë të nxisin turizmin, një ndër të cilat është dhe hyrja falas çdo të diel në muzetë dhe parqet arkeologjike.

Vizitat kryhen gjithnjë duke respektuar protokollet e mbrojtjes kundër përhapjes së COVID-19.

Në Shqipëri ndodhen një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia, etj, ndërsa nga kalatë përmendim kalaja e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit, Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, Kalaja e Petrelës, Tiranë, Kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër etj, ndërsa nga muzetë përmendim Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeu Etnografik në Berat, Muzetë Arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeu i armëve dhe Etnografik në Gjirokastër, Muzeu Etnografik në Sarandë, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeu Arkeologjik, Tiranë, Muzeu Historik, Shkodër etj./ATSH