I biri i Koço Devoles tregon porosinë e artistit: Më tha të mos merrem me…

Si çdokush tjetër, ai nuk mori asgjë me vete, madje nuk la pas as pasuri materiale. Ata që e njihnin nga afër, thonë se Koço Devole jetoi në një shtëpi me qira deri sa u largua nga kjo jetë.

Ai vetëm dha buzëqeshje dhe shpresë në ato vite kur e qeshura ishte kaq e pakët. Dhe këtë e bëri edhe në këmbim të kërcënimeve. Mbështjellë nga lulet, dashuria dhe dhimbja e njerëzve të afërm dhe kolegëve, por dhe aromës së temjanit, Koço Devole, artisti i jashtëzakonshëm i humorit shqiptar, u përcoll dje në banesën e fundit. Ai u nda nga jeta pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore, për shkak të virusit Covid-19.

U përcoll me një ceremoni familjare, por pavarësisht situatës pandemike, njerëzit që shkuan ta përcillnin nuk ishin të paktë. I pranishëm në ceremoni ishte edhe i biri, Genci, i cili mes dhimbjes u shpreh se i ati i la si pasuri virtytin e së drejtës dhe këshillën që të mos ngatërrohej me politikë, ndonëse ai vetë e pati në shënjestër politikën, pavarësisht ngjyrave.

“Ishte një baba i mrekullueshëm. Një prind i jashtëzakonshëm, prind i përkryer. E adhurojnë mbesat dhe nipërit, bashkëshort i devotshëm. Na ka lënë një boshllëk i jashtëzakonshëm”, tha ai mes lotësh, teksa shton për “News24” se një nga këshillat e tij ishte që “një artist s’duhet të ngatërrohet me politikën, që të kujtohet si i tillë. Po u ngatërrove me politikën, do humbasësh vlerat”.

Sa i përket faktit se jetoi deri sa iku nga kjo jetë në një shtëpi me qira, i biri u shpreh se ky ishte virtyti i të drejtëve. “Ai është i pastër dhe i qetë me shpirtin e tij”.

Ndërkaq ai u shpreh qartë në lidhje me trajtimin që i ishte bërë në spital. Genc Devole nuk e pranoi faktin se ishin mjekët ata që e kishin nxjerrë nga spitali, ende pa u kuruar, për shkak të mungesës së shtretërve.

Sipas tij, i ati, ishte larguar nga spitali me dëshirën e tij, madje pa marrë aprovimin e plotë të mjekëve.

E fatkeqësisht ai do të kthehej sërish aty, por këtë herë gjendja ishte e rënduar dhe aktori, i cili prej dy vjetësh vuante nga leucemia, nuk e përballoi këtë goditje të fundit nga virusi Covid19.

Ai u nda nga jeta ditën e diel, në moshën 75-vjeçare, duke lënë pas një karrierë të jashtëzakonshme, një pafundësi karakteresh, ndonëse te njerëzit do të mbetet i paharruar në figurën e Sillos./panorama.com.al