Rrëfenjë: I çmenduri që ecte me këmbët e tij

(Rrëfenjë anonime)

Një histori e vjetër na tregon se mbreti i ri i një perandorie të largët, një ditë, bie nga kali i tij dhe thyen të dy këmbët. Edhe pse në shërbim të tij vihen mjekët më të mirë, asnjëri prej tyre nuk arritën dot ta bëjë mbretin të ecte me këmbët e tij. Kësisoj, ai nuk pati zgjidhje tjetër, veçse të ecte me paterica.

Atëherë, për shkak të personalitetit të tij krenar, ai nxjerr një dekret që detyronte të gjithë banorët e shtetit të tij të ecnin me paterica. Të gjithë ata shtetas që u rebeluan, u arrestuan dhe u dënuan me vdekje. Qysh atëherë, nënat nisën t’i mësojnë fëmijët e tyre të ecnin në paterica, sapo ata nisnin të ndërmarrin hapat e tyre të parë.
Monarku pati një jetë shumë të gjatë, kështu që, shumë banorë u zhdukën, duke marrë me vete kujtimin e kohërave, kur njeriu ecte me të dy këmbët.

Vite më vonë, kur mbreti, më në fund, vdes, pleqtë, që ishin akoma gjallë, përpiqen të braktisin patericat e tyre, por, për shkak të eshtrave të brishta dhe të lodhura, nuk arrijnë dot të ecin pa to. Shpesh, ata përpiqen t’u thonë më të rinjve se, vite më parë, njerëzit ecnin pa përdorur ndonjë mbështetje. Por, të rinjtë nuk i besojnë dhe qeshin me ta.

Duke qenë kureshtar për çka dëgjonte nga të moshuarit, një ditë, një i ri përpiqet të ecë pa paterica. Por bie në tokë dhe, menjëherë, bëhet gazi i gjithë mbretërisë. Megjithatë, ai nuk heq dorë dhe, pak nga pak, po i forcoheshin këmbët. Nuk i mpiheshin më. Kështu, djali fiton gatishmëri dhe qëndrueshmëri, gjë që e bën të ecë disa hapa me radhë. Sjellja e tij nuk i pëlqen pjesës tjetër të banorëve. Duke parë atë të ecte me këmbët e veta, njerëzit i shmangeshin dhe nuk flisnin me të.

Kur ky djalosh fillon të vrapojë dhe kërcejë, askush nuk dyshonte më se ai ishte plotësisht i prishur mendsh.
Në atë mbretëri, ku, sot e kësaj dite, të gjithë vazhdojnë të bëjnë një jetë të kufizuar, pra të ecin me paterica, ai djalë mbahet mend si “i çmenduri që ecte me këmbët e tij”.

Në shqip: Bajram Karabolli


Lexo edhe:

“I ÇMENDURI”, TREGIM NGA SHKRIMTARI I NJOHUR TURK, AZIZ NESIN

Lexo edhe:

ENKELEDA RISTANI: NJË COPËZ PËR GRUAN QË JAM

S’e kam lehtësinë e një takëm grash
Vishem lirë
Ha pak
Fle keq
Pi ndonjëherë sa dehem
Dehem ndonjëherë pa pirë
Ngjëroj mirë pije të shtrenjta
e njësoj gëlltis edhe lëtyra
Flas pa kocka nëpër gojë
por kjo s’i hyn në punë as dreqit
Jashtë bën botë e egër dhe unë
asnjë dhëmb në gojë që ta kafshoj
Paratë më mbajnë peng fuqinë
Nuk bëj dot udhëtime të gjata
as nuk ëndërroj
qameti, udhëtoj nga koka ime deri në brigje të panjohura
të rrapullive të mia modeste
Nuk mendoj se gjërat mund të rregullohen
as nuk shpresoj
dhe kjo më heq ca etiketa buzëqeshjesh shtiranake
nëpër tavolina të lodhura
me ngjyra në nevojë
Nejse, një grua që shkruan vargje
është vetëm kaq: një grua që shkruan vargje
Rrugën për në ferr e ka të shtruar pa asnjë mundim
që nga toka
nëse ferri është mbartur diku tjetër ndonjëherë
Krenaria ime thyen kokën nëpër taka të larta
të thyeshme edhe ato nga të tjerë
Kur dashuroj aq pak herë sa mundem
dashuroj të pamundurat
sepse është thënë, duket
në librin e mallkuar të lindjes sime
faqja 49
“Do dashurosh me pasion vuajtjen”
Nuk di kush e tha
por di që vazhdon edhe më cinike
“Do shkruash pa shkruar dot deri në fund”
dhe pastaj, si fletët e kujtesës mbi kanatën e frigoriferit
ngjiten në rrudhën time më të thellë të ballit
E tani ndoca herë
thyej pasqyra nëpër cepa banjash
që të mund të arratis herëdokur sytë
nga e vërteta
që s’ma pranuan asnjëherë të zbuluar…

ObserverKult