E tmerrshme: Biankës i dhanë serum për ta paralizuar, ia hoqën dhëmbët me darë e ia shkulën flokët…

Në duart e hetuesve dhe policëve, që provuan çdo formë torture ndaj 20-vjeçares, ajo nuk u dorëzua. Bianka nuk i nxori kurrë fjalët që ata kërkonin… edhe kur i dhanë serum për ta paralizuar

Edhe pse më pak në numër sesa burrat, gratë nuk kanë munguar në hetuesitë, sheshet e pushkatimit, burgjet dhe kampet e punës së detyruar të diktaturës komuniste. Edhe pse me një trup më të brishtë. Ato nuk u kanë shpëtuar torturave mesjetare të krijuara nga mendjet e sëmura. Që merrnin në dorë jetën e njerëzve të pafajshëm që nga çasti i arrestimit të tyre.

Si në rastin e viktimave burra, mes tyre ka pasur intelektuale, mendje të kultivuara e personalitete të spiktatura që e kundërshtuan haptazi të keqen.

Por nuk kanë munguar as gratë e thjeshta, me pak ose aspak arsim e mundësi në jetë, e gjithsesi, me një bërthamë të fortë virtytesh për shpirt, i cili nuk u mposht deri në frymën e fundit.

Disa gra tashmë njihen për heroizmin e tyre, të tjera ende jo. Disa histori janë zbuluar, të tjera i gjen në dokumente e botime më pak të njohura.

Marie Shllaku, Elena Shllaku dhe Bianka Krosaj

Libri “Premtimi i përmbushur” i Gjon Sinishtës, i botuar në SHBA, në vitin 1976 dhe i publikuar në shqip, 40 vjet më vonë, përmend disa prej tyre.

Që nga Marie Shllaku, shkodrania e njohur që dashurinë për Kosovën, komunistët ia llogaritën për krim. Te një listë motrash katolike që i shtohen martirëve që dhanë jetën për besimin e tyre deri te besimtaret e thjeshta që u torturuan.

E megjithatë, nuk i treguan patriotët antikomunistë të fshehur maleve. Si Elena Shllaku, që u dënua me 20 vjet punë të detyruar. Dhe Bianka Krosaj, që humbi jetën pas 14 muajsh në qelinë e ftohtë ku u sëmur nga tuberkulozi.

Bianka, nga fshati Kaçinar i Mirditës, ishte vetëm njëzet vjeçe kur u arrestua në gusht të 1947-ës, shkruan Sinishta në kapitullin me profile martirësh. Të marrë nga numrat e revistës “Zani i Katolikëve shqiptarë në mërgim”, të viteve 1957-1958.

U akuzua se kishte ndihmuar luftëtarët antikomunistë në male, duke u çuar ushqime e barna. Që ditën e parë të burgimit, filluan ta torturonin brutalisht.

E torturuan me shkopinj e me litar të lagur. I futën vezë të ziera në sqetull, derisa lëkura e njomë iu mbush me flluska djegieje. Çdo ditë, e torturonin me korrent, në të gjitha pjesët e trupit. Duke qenë se ajo nuk u dorëzua para gjithë kësaj egërsie mizore, policia e detyroi të gëlltiste një kilogram kripë dhe nuk i dhanë asnjë pikë ujë, për dy ditë.

I dhanë serum për ta paralizuar

Njëherë ia mbushën kokën e trupin me pleshta (torturë makabre e shpikur nga fantazia e sëmurë e komunistëve ruso-shqiptarë). I bënë edhe një serum për t’i paralizuar arsyen e për t’ia dobësuar vullnetin. Por kjo djallëzi nuk pati efekt te kjo heroinë shqiptare.

Nga goja e saj, nuk doli asnjë fjalë që mund të tregonte se ku fshiheshin patriotët antikomunistë, që luftonin kundër shtypjes. Me një forcë mbinjerëzore, Bianka Krosaj i duroi të gjitha torturat e nuk foli kurrë.

Policët i xhindosi aq shumë qëndresa e saj, saqë ia hoqën dhëmbët me darë e ia shkulën flokët. Kjo torturë zgjati për 14 muaj në një qeli të ftohtë betoni. Derisa ajo mori tuberkulozin. Në pranverë e 1949, Bianka Krosaj vdiq duke dhënë një shembull sesi të besojmë në Zotin e sesi të fitojmë kundër armiqve të Zotit e të Atdheut.

Autori i këtij libri, Gjon Sinishta, ish-student i Seminarit Papnor në Shkodër, është një i mbijetuar i regjimit komunist.

U arratis nga Shqipëria për në ish-Jugosllavi, e më pas, në SHBA, ku edhe e shkroi dhe botoi këtë libër si një premtim ndaj Zotit dhe bashkëvuajtësve. Për të rrëfyer historinë e persekutimit të klerit katolik nga komunistët.

Ai ka shfrytëzuar jo vetëm botimet e katolikëve në SHBA, por edhe dëshmitë e të njohurve, të arratisur nga Shqipëria. Që kishin parë nga afër vuajtjet e të persekutuarve dhe njihnin historitë e tyre të toturave dhe qëndresës./kujto.al

LEXO EDHE: Krimet e komunizmit: Dila u dhunua dhe u dogj e gjallë, ndërsa burrin ia vranë