“I falënderoj që më çuan në kamp, gjeta dashurinë e jetës”, rrëfim i aktorit të njohur shqiptar, Gjosho Vasia

Gjosho Vasia

Një shkrim biografik për Gjosho Vasinë nga Pjetër Logoreci.

Edhe pse kaloi shumë kohë nga kontakti me familjen e Gjosho Vasisë, për të marrë informacione mbi jetën dhe aktivitetin e tij, për të shkruar këto rreshta biografike, u desht që të “mendohem mirë.”

Personazhi im, burri i shumë talenteve Gjosho Vasia, përveç madhështisë shpirtërore dhe njerëzore, ishte një Titan i humorit të kulturuar shkodran, por edhe atij të zgjedhur shqiptar.

Vasia ishte një figurë përfaqësuese e shtresave qytetare e atdhetare që u përndoqën, përfaqësues i lobbyt të humoristëve të talentuar. Siç do lexojmë më poshtë, diktatura komuniste, nuk e desht këtë njeri të madh, me vizion dhe u mundua të ja cungojë gjymtyrët që në rini. Megjithatë, Gjoshoja, shpesh “luante me zjarrin”, duke ironizuar linjën e kuqe të partisë apo imituar personazhet qesharake të makinerisë së diktaturës.

“…me gjithë përndjekjen, arrita të bëj diçka. Arrita të jem dikush, e madje arrita të njihem prej të gjithë shqiptarëve…. Komunistët njëmijë herë më nxorrën prej dere, por unë njëmijë herë u futa prej dritares…,” ka shkruar humoristi shkodran Gjosho Vasia në kujtimet e jetës së tij.

Gjosho Vasia lindi, në qytetin e Shkodrës, më 28 tetor 1931, në një familje me tradita të larta atdhetarie e qytetarie. Babai Jaku dhe nëna Angje, patën tre femijë. Ndër to, dy djem dhe një vajzë. Rruga Vasiej, ku lindi dhe u rrit artisti, kish marrë emrin e familjes së tij. Shtëpia e tij ishte ndër të parat të ndërtuara në rrugicën pranë katedrales së Shkodrës. Krejt lagjja Serreq, pjesë e së cilës ishte dhe rruga Vasiej, ishte qendra e familjeve qytetare. Ato përcollën vlera të papërsëritëshme kulturës shkodrane. Pasi mbaroi mësimet fillore dhe të mesme në shkollën e jezuiteve në Shkodër, në shtator të vitit 1949, duke parë nevojat e kohës për mësues, punësohet si arsimtar në zonat e thella të Mirditës.

Ndër kohë, një ngjarje e padëshiruar ndodhi në Shkodër. Disa të rinj antikomunist protestuan ndaj veprimeve të policisë sekrete. Sigurimi filloi reprezaljet duke vrarë disa prej tyre. Shumë u burgosën, të tjerët arritën të arratiseshin e ndër to edhe i vëllai i Gjoshos, Lec Vasia. Pas tre muajsh pune, ndër ditët që priste inspektorin nga seksioni i arsimit, më 23 nëntor 1949, në derën e klasës së mesuesit Gjosho Vasia, trokitën dy policë të cilët “Në emër të Popullit”e arrestojnë atë. Ashtu i lidhur me hekura, mbi një kamion të ngarkuar me gurë, dërgohet në internim në kampin famëkeq të shfarosjes në Tepelenë, ku fillon kalvari pesë vjecar i mundimeve, i atij që kish lindur artist.

…Tepelena më priti me “krahë-hapët”, kujton Gjosho Vasia. Tremijë të mjerë në atë kamp, tremijë skelete të dhimbshëm që nxirrnin vaj e ofshama, krizma nofullash e hekurash. Ndër to fëmijë të stërkeqtë që nuk njohën qumështin e nënës…, u bënë miqtë e mi. …Oh! Të la të hekurta, “burrni” komuniste, poshtërsi që të lindi e të rriti injoranca e kuqe. Ti …mur rrethues i këtij kampi shfarosës, rrasë e këtij varri të pamëshirshëm, perde e zezë e thurur në tezgjahun e djallit, kulshedër me jargë sllavizmi, gjarpër që helmon pafajësinë, …..qofsh mallkue përsa të jetojë padrejtësia në botë….

Por jo vetëm lot, mundime dhe vdekje në kampin fatkeq të shfarosjes. Aty, Gjosho mundohej që me sharmin e humorin e tij të lindur, t’u jepte ngjyra jetës së përditëshme të banorëve. Shpesh, spiunë, informatorë, policë, kapterrë apo personazhe të ndryshëm, bëheshin “frymëzim” i lojrave e humorit të tij. Aty edhe pse në mes vuajtesh dhe i rrethuar me tela me gjëmba, ai arriti të gjejë dhe “gjysmën tjetër” të tijën, dashurinë e vërtetë, shoqen e jetës Berinën.

Berina, një vajzë fisnike që komunizmi ia mbylli rininë në kampin e Tepelenës. Ajo vinte nga familja tiranase me tradita e Kaceleve. Ajo rritej jetime, pasi babai i saj, tregtari Jonuz Osman Kaceli, u asgjësua në vitin 1951. Ai u asgjësua së bashku me një grup intelektualesh të pafajshëm me akuzën e vendosjes së bombës në ambasadën sovjetike. Sipas familjarëve, nuk u vërtetua kurrë nëse Jonuzi u pushkatua, vdiq ndër tortura, u varros i gjallë, apo e hodhën nga dritarja e burgut.

Le të ndjekim përsëri linjën e zhvillimeve të jetës së personazhit tonë Gjosho Vasia. Ai pas 5 vitesh të egra, lirohet nga internimi dhe kthehet në Shkodër. Fillon pa shpresë të kërkojë punë. Statusi i tij “i internuar” i mbyllte atij të gjitha dyert. Për arsye që të mos “kujtoheshin” për internimin, ai detyrohet të deklarojë se kishte qënë ushtar. Kështu arrin të fillojë punë në Ndërmarjen e Pasurive të Shtetit si ndihmës bojaxhi.

Gjatë kësaj kohe, Gjosho mëson autodikakt instrumentin e kitarës. Ai gjithashtu fillon të jetë pjesë e ndonjë evenimenti kulturor në qytet. Paraqitet për të parën herë në një skenë të improvizuar amatorësh në qëndër të qytetit. Aty del natyrisht i panjohur. Me kupletin “Plak me Marak” të autorit të famshëm Pjetër Gjini. Të mahnitur nga zëri i tij, Gjoshon, fillojnë ta ftojnë në mbremjet e argëtimit. Ato organizoheshin nga rinia në ndërmarrjet e ndryshme. Suksesi dhe fama e tij në qytet, u bë shkak që ai të humbasë punën si bojaxhi, pasi e njohën dhe e paditën si i internuar e si “element armik”.

Pas një periudhe të veshtirë, në vitin 1957, i propozojnë që të punojë në fermën Perlat Rexhepi. Punësohet në repartin e riparimit të arkave. Atë vit, Gjosho i përvishet punës me pasion për të krijuar dhe drejtuar grupin artistik të ndërmarrjes dhe paraqitet me sukses në festivalin e estradave, ku arrinë të fitojë çmimin e parë, të cilin e fiton edhe në vitin 1958-ën për të dytin vit radhazi.

Në vjeshtën e vitit 1958, artisti ynë Gjosho Vasia, thirret ushtar dhe dërgohet në një repart pune në fshatin Bubullimë të Lushnjës. Në repart, ai krijon një grup artistik duke aktivizuar dhe civile nga zonat për rreth e ndër to edhe këngëtaren e re Vaçe Zela. Në këtë periudhë, përveçse drejtues grupi, atij i duhet të shkruaj tekstet, të aktrojë dhe të shoqërojë me kitarë këngët e repertorit.

Pas viteve 1960, ai ishte shumë aktiv në skenë dhe arrin të bëhet një humorist i njohur dhe mjaft popullor. Bëhet mjeshtër i interpretimit të skeqeve humoristike, i parodisë, prezantues i pashoq. Ai fillon të njihet dhe si bejtexhi duke i dhënë dasmave dhe festave familjare një kënaqësi të papërshkruar. Sic pohon ai vetë: vargun popullor shkodran (Bejten) pata fatin ta dëgjoj qysh fëmijë nga gaztori i madh Zef Hile Gega. Vargu tetërrokësh, AB- AB ose rima, u përdor shumë në Shkodër prej Osos së Falltores, Hilës së Files, Kasem Xhurrit, Tuk Vasisë e mikut tim Pjetër Gjinit….

Njihen duelet në bejtë të Gjoshos. Njihet me talente të tjerë të humorit si Pjetër Gjinin, Mërgim Muhjen, Muharrem Nurjën, Gjok Vatën, Njazi Burginë, Mark Kaftallin e me kusherinjtë e tij Simon e Kolec Pepa. Duke shfletuar shënimet e Gjoshos, lexoi që në vitin 1962, punësohet si punëtor, në Fabrikën e Cingareve të Shkodrës. Aty i kërkohet të krijojë grupin artistik. Ky u bë shumë i njohur për humorin dhe lojën e mrekullueshme të aktorëve. Aktorët Gjosho Vasia, Muharrem Nurja dhe Gëzim Kruja, që ishin themeli i grupit, si dhe këngëtarët Fatmira Puka, Gjokë Vata, Tonin Tërshana, njiheshin në të gjithë republikën.

Në vitin 1967, Gjoshoja krijon grupin shumë të njohur të Hidrocentralit të Vau Dejës. Me të del në turne në të gjithë republikën. Bashkëpunon me aktorin brilant Zef Deda duke u bërë dyshja me simpatike e skenave të humorit shqiptar.

Një vit më vonë, në 1968-tën, Gjosho dhe grupi i tij i hidrocentralit nderohet me Flamurin e Festivalit të Estradave të Ndërmarrjeve si dhe merr Medaljen e Artë në takimin e estradave profesioniste në Tiranë. Gjatë kësaj kohe, Gjosho Vasia, arrin të shpalosë të gjithë talentin e tij të shumëanshëm. Ai ishte autor, regjisor, poet, kompozitor, parodist, prezantues, imitues.

Ai luan me kitarë, por edhe imiton me gojë vegla të ndryshme muzikore si dhe zëra përsonazhesh të ndryshëm. Në një aktivitet të dendur artistik, humoristi Gjosho Vasia dallohet për ironinë dhe realizimin me mjeshtri të figurave “problematike” për shoqërinë e kohës. Ai sjell në skenë, me një interpretimi brilant, një galerie rolesh si :… të koprracit, dembelit, hajdutit, matrapazit, rrenacakut, burokratit, mendjemadhit, punëtorit pararojës, fshatarit mediokër…

Po ashtu është shumë aktiv së bashku me humoristin Zef Deda në TVSH. U angazhua në programet e ndryshme, që nga ai i fëmijëve deri në formatet e mëdha të vitit të ri që organizonte radiotelevizioni. Në vitet 1970 – 74, kur arti dhe kultura kishte një “fllad” të lehtë modernizimi dhe demokratizimi, Gjoshon e pranojnë si aktor profesionist në Estradën e Shkodrës.

Kjo ëndërr nuk i zgjatë shumë, pasi fillon fushata e “ashpërsimit të luftës së klasave” me pleniumet e radhës. E kupton që duhet të largohet nga ky institucion që ishte nën kontrollin e rreptë të partisë dhe jep dorëheqjen.

“Që ma pranuan me gjithë qejf”, tregonte ai. Aktori Gjosho Vasia, me personalitetin e talentin e tij të pashoq, u ndi mirë gjatë interpretimeve në skenën profesioniste. Por, duhet përmendë që përjetoi edhe momente të vështira nën trysninë e disa “kolegëve me parti” të cilët e sulmonin për “hijet në biografi”. Pati ndonjë aktor të “famshëm” të estradës. Për xhelozi profesionale apo servilizëm partiak të devotshëm, kërkonte viktimën te Gjosho Vasia.

Unë kam dy Gjosho brenda meje, i shprehej aktori miqve të afërt. Gjoshon që flet, qesh e këndon, hin e del nëpër skenë. Gjoshon që hap gojën vesh më vesh, por ka zemrën që i qanë me lot gjakut.

Pas statusit të “profesionistit” në teatër, ai fillon punën në Uzinën e Telave në Shkoder me statusin e përditshëm “të punëtorit”. Në të vertetë, në organike figuronte si punëtor, por krijoj dhe drejtoj grupin artistik nga ku sfidoj me profesionalizëm shumë artistë të mëdhenj të skenës. Arrin ta zërë vendin e tij të respektuar në plejadën e humoristëve më të permendur shqiptar, si dhe të fitojë respektin dhe miqësine e tyre. Aktorët të cilët e njohën atë nga afër si P. Preka, S. Sallaku, Z. Deda, F. Hasa, A. Prodani….etj. janë shprehur me superlativa për Gjosho Vasinë njeri dhe aktor.

Ndërsa në lagjen e tij, Gjoshon e mbajnë mend për kanconetat italiane që këndont. I këndonte sidomos kur mblidhte miqtë për të pjekur rakinë. Komshitë çuditeshin me aftesitë e Gjoshos për të bërë të gjitha zanatet. Në rindërtimin e shtëpisë së tij, falë një fiziku prej sportisti, ai bëri hamallin. E bëri muratorin, karpentierin, marangozin, bojaxhinë e mekanikun. Gjosho njihet edhe si kompozitor i disa këngëve të muzikës së lehtë. Gjithashtu edhe për këngët për fëmijë të cilat shpesh i këndonte në mes miqve e shokëve. Ai është autori i këngës se njohur “Unë dhe Kombinoshet”, të cilën pasi nuk ja pranuan në festivalin e fëmijëve në Shkodër, fitoi çmimin e parë në festivalin kombëtar të pionierëve në Tiranë.

Por Gjosho ishte dhe sportist i mirë. Ai garoi disa herë në garat e atletikës në disiplinën “kërcim së larti”. Këtu pati rezultate të shkëlqyeshme e duke marrë vendet e para. Në kampionatin rinor kombëtar të atletikës në vitin 1949, shpallet i dyti në kërcim së larti. Në Spartakiadën e parë Kombëtare të vitit 1959 në Tiranë, ai shpallet kampion i kërcimit së larti. Falë këmbënguljes së B. Dizdarit e F. Bilalit, ai ishte aktiv edhe me ekipin e Vllaznisë. Aty stërvitej tre herë në javë në stadium dhe njihej si kampion lokal i kërcimit së larti.

Në vitin 1990, kur filluan levizjet për demokraci, Gjosho Vasia kërcënohet me burg nga një instruktor i partisë së Shkodrës, pasi kishte “Llapën e Madhe” e bënte “agjitacion e propagandë”, “tallej” me partinë…. Në këto rrethana, ai vendosë gjënë më sublime, të arratiset prej atdheut.

Pasi shet çdo gjë që i përkiste trashëgimisë 300 vjeçare të familjes Vasia. Blen dy bileta avioni dhe fluturon për në Kanada. Por, atje nuk ndihet mirë dhe vendosë të jetojë në qytetin e Triestes deri sa vdes më 21 nëntor 2013. Më vonë, emri i tij, Gjovalin Jak Vasia u gjet ndër listat e zeza të Ministrisë së Brendshme me numrin 40, së bashku me shumë të tjerë të pregaditur për t’u eleminuar në rast reprezaljesh.

Në vitet e demokracisë, në nëntor të 2008-ës, Gjosho Vasia u vlerësua nga këshilli bashkiak në Shkodër me titullin MIRËNJOHJA E QYTETIT. Më 16.03.2010 u vlerësua nga Presidenti Republikës, Bamir Topi me urdhërin MJESHTËR I MADH me një motivacionin që është rezultantja e jetës së tij: …talentit dhe krijuesit të rrallë të skenës së humorit, që, falë personalitetit dhe karakterit të fuqishëm, jo vetëm diti t’i rezistojë me fisnikëri përndjekjes së egër të diktaturës komuniste, por me humorin e tij u dha gëzim, dritë dhe shpresë njerëzve të thjeshtë dhe bashkëvuajtësve në të gjithë vendin./Preferenca.al

—————

Lexo edhe:

KY ËSHTË KOLONELI QË EKZEKUTUA NË SHPELLË VEÇ QË KUNDËRSHTOI KËTË GJË…

ObserverKult